Debati nëse emri i guvernatorit të ri duhet të vijë apo jo nga 9 anëtarët që do të zgjidhen në Këshillin Mbikëqyrës pritet të krijojë konfliktin e radhës mes kryeministrit dhe Presidentit…
Shkarkimi i Ardian Fullanit nga Parlamenti si guvernatori i Bankës së Shqipërisë dhe anëtar i Këshillit Mbikëqyrës i hap tashmë përfundimisht rrugë zgjedhjes së guvernatorit të ri.
Përtej emrave që diskutohet dhe thirrjeve për aplikim për në Këshill Mbikëqyrës nga ana e kryeministrit Rama për të gjithë shqiptarët që punojnë jashtë, procesi nuk pritet të jetë aq i thjeshtë.
Procedurat mund të futen në një ngërç ligjor për shkak të interpretimeve të ndryshme që po i bëhen nenit 44 të ligjit të Bankës së Shqipërisë, lidhur me kompetencat përkatëse të qeverisë, presidentit, Kuvendit dhe Këshillit Mbikëqyrës për rrugën se si do propozohet dhe nga duhet të vijë guvernatori i ri. Ligji i Bankës së Shqipërisë parashikon që emri i guvernatorit të vijë nga një prej 9 anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës (që zgjidhen nga kryeministri, kuvendi dhe vetë Këshilli), ndërkohë që presidenti Bujar Nishani ka deklaruar se nuk përcaktohet një kriter i tillë dhe emri që ai do të propozojë si guvernator nuk është e thënë të vijë nga brenda Këshillit Mbikëqyrës.
Interpretimet ligjore
Sipas nenit, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë përbëhet nga 9 anëtarë, nga të cilët 5 propozohen nga Kuvendi, 3 nga kryeministri dhe një nga vetë Këshilli mbikëqyrës.
Ndërsa propozimi për guvernator vjen nga presidenti, por sipas të njëjtit nen, ku thuhet shprehimisht: “Në nenin 44 pika 2 pas shkronjës “c” fjalia “Presidenti i Republikës emëron Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, mbështetur në propozimin e Kryetarit të Këshillit të Ministrave” hiqet dhe zëvendësohet me “Guvernatori zgjidhet nga Kuvendi, me propozimin e Presidentit të Republikës”, shruhet në nenin 5 të ligjit nr.8893, datë 25.07.2002 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8269, datë 23.12.1997 “Për Bankën e Shqipërisë”, ndryshuar me ligjin nr.8384, datë 29.07.1998″.
Lidhur me këtë proces, presidenti i Republikës Bujar Nishani është shprehur pak ditë më parë në emisionin “”Opinion” se “Kushtetuta qartazi e përcakton që propozimin për emërimin e Guvernatorit të ri e bën Presidenti i Republikës”. Ai ka sqaruar se nuk ka asnjë kriter në ligjin për Bankën e Shqipërisë, që guvernatori duhet të jetë anëtar i Këshilllit Mbikëqyrës . “Kriteret kanë të bëjnë me shtetësinë e personit që duhet të zgjidhet Guvernator, me arsimimin e tij dhe në eksperiencën në fushën bankare. Këto janë kriteret e ligjit dhe nuk ka asnjë kriter që të jetë anëtar i Këshillit Mbikëqyrës. Zoti Fullani, vetë, kur është zgjedhur herën e parë Guvernator nuk ka qenë anëtar i Këshillit Mbikëqyrës së Bankës”, ka pohuar Nishani.
Me këto deklarata, Nishani ka bërë të qartë se ai nuk ka ndër mend të propozojë një emër që do t’i servilet nga anëtarët e zgjedhur të këshillit Mbikëqyrës, por një person tjetër, duke e çuar në 10 numrin e anëtarëve.
Nga ana tjetër, neni 44 i ligjit nuk e parashikon një procedurë të tillë, kur thuhet shprehimisht se Këshilli Mbikëqyrës përbëhet nga nëntë anëtarë ( Guvernatori i Bankës së Shqipërisë – kryetar i Këshillit Mbikëqyrës; zëvendësguvernatori i parë i Bankës së Shqipërisë – zëvendëskryetar i Këshillit Mbikëqyrës; zëvendësguvernatori i dytë i Bankës së Shqipërisë; gjashtë anëtarë) dhe të gjithë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi Popullor i Republikës së Shqipërisë, mbështetur në propozimet e bëra si më poshtë:
a) Pesë anëtarë propozohen nga Kuvendi Popullor;
b) tre anëtarë propozohen nga Këshilli i Ministrave;
c) një anëtar propozohet nga Këshilli Mbikëqyrës.
Edhe ish guvernatori Fullani është propozuar si anëtar nga ish kryeministri Berisha dhe si guvernator nga ish presidenti Topi, por këmbëngulja e Nishanit në daljen e tij publike të hënë, e ndjekur nga deklarata e Berishes të martën se nuk janë të detyruar të zgjedhin një nga anëtarët për guvernator mund ta çojë procesin në një rrugë pa krye dhe pa zgjidhje. Guvernatori është një nga anëtarët e Këshillit dhe me pas është kryetar i tij dhe drejtues ekzekutiv . Edhe krerët e institucioneve të tjera të pavarura janë votuar dy herë, si anëtarë dhe si kryetare.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.