Një studim i madh, i kryer nga kërkuesit e MIT (Massachusetts Institute of Technology), tregon disa zgjedhje të ndryshme në rang botëror sa i përket etikës së automjeteve autonome, si dhe disa variacione rajonale në këto preferenca.
Studimi ka një mbulim në të gjithë botën dhe shkallë unike, me më shumë se 2 milionë pjesëmarrës online nga më shumë se 200 vende, të cilët vënë në peshë versionet e një dileme klasike morale, e cila quhet “Trolley Problem”. Problemi përfshin skenarë në të cilin është i pashmangshëm një aksident dhe automjeti duhet të zgjedhë një nga dy opsionet potencialisht fatale. Në rastin e një makine pa drejtues, kjo nënkupton devijimin drejt disa njerëzve në vend të një grupi të madh kalimtarësh.
“Në thelb, studimi përpiqet të kuptojë llojet e vendimeve morale që do të duhet të marrin automjetet pa drejtues”, – thotë Edmond Awad, pjesë e MIT Media Lab dhe autori kryesor i një artikulli të ri, që përshkruan rezultatet e studimit. “Ne nuk e dimë ende se si ato do ta bëjnë këtë”. Awad shton: “Ne kemi gjetur se janë tre elemente të cilat njerëzit duket se pajtohen më së shumti”. Në të vërtetë, zgjedhjet më të qarta në rang botëror në studim janë ato për shpëtimin e jetës së njerëzve mbi jetën e kafshëve; shpëtimin e jetës së shumë njerëzve në vend të pak njerëzve dhe shpëtimin e jetës së të rinjve në vend të njerëzve të moshuar.
“Zgjedhjet më të rëndësishme ishin në njëfarë mase të njëjta në mënyrë universale”, nënvizon Awad. “Por shkalla në të cilën ishin dakord ose jo me këtë ndryshon, në varësi grupeve të ndryshme ose vendeve”. Për shembull, kërkuesit panë një tendencë më pak të theksuar për të shpëtuar të rinjtë dhe jo të moshuarit, në atë që ata e cilësuan një grupim “lindor” vendesh, duke përshirë shumë vende në Azi.
Artikulli, “The Moral Machine Experiment”, u publikua te “Nature”. Autorët janë Edmond Awad; Sohan Dsouza, me doktoraturë në Media Lab; Richard Kim, asistent kërkimi në Media Lab; Jonathan Schulz, akademik në Harvard University; Joseph Henrich, profesor në Harvard; Azim Shariff, profesor i asociuar në University of British Columbia; Jean-François Bonnefon, profesor në Toulouse School of Economics; dhe Iyad Rahëan, profesor i asociuar i arteve dhe shkencave të medias në Media Lab dhe docent në MIT Institute for Data, Systems, and Society. Awad është angazhuar në kërkimin shkencor në grupin Scalable Cooperation i MIT Media Lab, i cili drejtohet nga shkencëtari siriano-australia, Iyad Rahwan.
Për të kryer studimin, kërkuesit projektuan atë që e quajtën “Moral Machine”, një lojë online në shumë gjuhë, ku pjesëmarrësit mund të shprehnin zgjedhjet e tyre sa i përket një sërë dilemash me të cilat mund të përballen makinat pa drejtues.
Për shembull, në dilemën nëse automjetet autonome duhet t’u shpëtojnë jetën këmbësorëve që respektojnë ligjin apo, në mënyrë alternative, të këmbësorëve që shkelin ligjin (shumica e njerëzve zgjodhën alternativën e parë).
Në total, “Moral Machine” mblodhi thuajse 40 milionë vendime individuale nga ana e të anketuarve në 233 vende; studimi mblodhi 100 ose më shumë përgjigje nga 130 vende. Kërkuesit analizuan të dhënat si një e tërë, ndërkohë që i ndanë pjesëmarrësit në nëngrupe të përcaktuara nga mosha, edukimi, gjinia, të ardhurat si dhe pikëpamjet fetare dhe politike. 491.921 të anketuar ofruan të dhëna demografike.
Awad thotë që njohja e këtyre lloj zgjedhjeve duhet të jetë pjesë e rëndësishme për informimin e publikut në këto çështje. Në të gjitha rajonet, njohja e këtyre zgjedhjeve, teorikisht, ndihmon mënyrën e krijimit të software për kontrollimin e makinave autonome. Rahwan theksoi që “interesi i publikut në platformë kapërceu pritshmëritë tona” – duke u dhënë mundësinë kërkuesve të kryenin një studim që rriti ndërgjegjësimin rreth automatizimit dhe etikës, duke dhënë informacione specifike.
“Nga një anë, ne donim që t’i përfshinim njerëzit në një mënyrë sa më të thjeshtë në një debat të rëndësishëm social. Në anën tjetër, kërkonim të mblidhnim të dhëna për të identifikuar se cilët faktorë – sipas njerëzve – janë më të rëndësishëm për makinat elektrike për t’i përdorur në zgjidhjen e problemeve etike”.
Burimi: World Economic Forum