Kontrolli europian për marrëveshjen e vendosjes së çmimit të naftës u zgjerua teksa Neste Oil OYJ (NES1V), rafineria e vetme e Finlandës, tha se iu kërkua të sigurojë informacion në lidhje me manipulimin e mundshëm të naftës së papërpunuar globale dhe tregjeve të biokarburanteve (karburant që sigurohet nga metalet organike).
Zgjerimi i hetimit vjen pasi Pannonia Ethanol, një prodhues hungarez biokarburantesh, tha se depozitoi një ankesë në Komisionin Europian vitin e kaluar, pasi kompania Platts, që jep të dhëna mbi çmimet, refuzoi kërkesat për të kontribuar në procesin e përcaktimit të çmimit të saj. Ndërkohë, Statoil ASA (STL), një nga kompanitë e naftës europiane që ka qenë e zënë në kurthin e hetimit, tha se ka “tolerancë zero” ndaj shkeljeve të rregullave.
Royal Dutch Shell Plc, BP Plc dhe Statoil, tre prej eksploruesve më të mëdhenj të naftës së Europës, janë duke u hetuar nga zyrtarët e Komisionit Europian në lidhje me manipulimet e mundshme të çmimeve në tregun botëror të naftës së papërpunuar prej 3.4 trilionë dollarësh në vit. Platts, në pronësi të McGraw Hill Financial Inc. (MHFI), është gjithashtu një nga objektivët në hetim. Hetimi, i cili shtrihet edhe në produkte të pazbuluara që rrjedhin nga nafta e papërpunuar dhe biokarburanteve, tregon se si disa prej tregjeve të energjisë u mungon transparenca e aksioneve dhe obligacione të korporatave të SHBA-së.
“Ka të ngjarë që kjo të përhapet gjithkund”, tha Craig Pirrong, drejtor i Universitetit të Hjustonit, Global Energy Management Institute. “Shumë do të varet se çfarë do të ndodhë kur ata të fillojnë të shohin përmes mesazheve elektronikë, teksteve dhe SMS-ve, për shkak se këto kompani komunikojnë me pjesëmarrës të tjerë të tregut dhe ‘rrethi’ mund të zgjerohet relativisht shpejt”.
Neste, bazuar në Espoo, Finlandë, tha se nuk është objekt i hetimit dhe se do të bashkëpunojë me kërkesën për të dhënë informacion.
Marrja e njoftimit
Kompani të tjera të përfshira në hetim ka të ngjarë të jenë njoftuar zyrtarisht nga Komisioni Europian, tha në një intervistë telefonike Andy Lipow, president i Lipow Oil Associates LLC në Hjuston.
Hetimi mund të përfshijë “një numër të konsiderueshëm personash të cilët janë njoftuar dhe thjesht nuk e kanë pranuar atë publikisht”, tha Lipow.
Pannonia deklaroi se kërkoi akses për më shumë se një vit që të tregtonte produktet e etanolit në afatin e përditshëm kohor prej gjysmë ore të Platts, gjatë të cilit përcaktohen referencat e çmimeve për lëndët e ndryshme djegëse mbi bazën e propozimeve dhe ofertave të pjesëmarrësve. Pavarësisht se i përmbushte të gjitha kërkesat për informacion shtesë, Pannonia tha se ishte refuzuar.
“Pasi u refuzua vazhdimisht nga Platts, kompania depozitoi një ankesë në fund të vitit të kaluar në Komisionin Europian, vetëm dhe në mënyrë specifike në lidhje me aksesin ndaj Platts për tregtimin e produkteve të etanolit”, referoi në një mesazh elektronik Mark Brennock, zëdhënës për Dunafoldvar, kompani me bazë në Hungari.
“Verifikim i plotë”
Platts tha se ka ndjekur një proces të njohur me Pannonia.
“Për të prodhuar standardet e cilësisë më të lartë, Platts po angazhohet në një proces të plotë verifikimi me anë të të cilit pjesëmarrësit e interesuar duhet të tregojnë se ata mund të plotësojnë kërkesat e metodologjisë sonë të publikuar”, tha Kathleen Tanzy, një zëdhënëse nga Nju Jork.
Shefi ekzekutiv, Helge Lund, i Statoil, tha se kompania nuk toleron shkeljet e ligjeve të Bashkimit Europian.
“Ne investojmë sasi të madhe të kohës në trajnimin e njerëzve tanë në mënyrë që ata të ndjekin të gjitha rregullat e aplikueshme dhe rregulloret në siguri, në antikorrupsion, në antikonkurrencë dhe kështu me radhë”, tha dje Lund në një konferencë të mbajtur në Bruksel.
Platts publikon çmimet referencë që përdoren për të përcaktuar kostot që rafineritë paguajnë për naftën bruto dhe shpërndarësit për naftë dhe benzinë. Tregtarët raportojnë transaksionet në Platts. Janë pikërisht këto marrëveshje që përdoren për të përcaktuar çmimin në vend që të përdoret një regjistrim i plotë i të gjitha tregtimeve.
Me kë “lidhen” çmimet
Total SA (FP), kompania e tretë më e madhe në Europë e naftës, ka vlerësuar se gati 80 për qind e transaksioneve e së gjithë naftës së papërpunuar dhe produkteve të saj të jenë të lidhura me çmimet e referencës sikundër janë ato të publikuara nga Platts, ndërsa gati 20 për qind janë të lidhura me Bursën e Nju Jork dhe tregtimet e Londrës.
Çmimet e Platts janë përdorur për gati 95 për qind të transaksioneve të naftës bruto, 90 për qind të transaksioneve të produkteve të naftës dhe transaksioneve të derivateve të OTC, sipas vlerësimeve të Total.
“Kjo është një shifër tepër e lartë”, tha Phil Flynn, analist i lartë i tregut në Price Futures Group në Çikago, në një intervistë telefonike. “Nëse kjo do të përfshinte një kompani, atëherë ndoshta njerëzit do të mendojnë se ata po hetojnë vetëm një treg. Tani ju po përfshini një tjetër kompani dhe kjo mund të jetë e madhe. Në këtë pikë, ne nuk e dimë se çfarë dhe se sa mallra janë duke shqyrtuar ata”.
Ku më pas?
Treguesi referencë Brent i Detit të Veriut i Platts përcakton çmimin e gjysmës së naftës së papërpunuar në botë, nga Kanadaja në Australi. Nafta e përpunuar si produkt i saj përdoret nga industria e linjave ajrore, ku karburanti zë rreth një të tretën e shpenzimeve operative, sipas Shoqatës Ndërkombëtare të Transportit Ajror. Në tregjet e biokarburanteve, kompania vlerëson çmimin e etanolit dhe naftës organike si ethyl tert-butyl ether, një suplement i benzinës së oksigjenuar që përdoret në prodhimin e karburantit motorike.
Influenca që kanë agjencitë e raportimit të çmimeve shtrihet përtej naftës bruto dhe produkteve të naftës. Vlerësimet e publikuara nga Platts dhe konkurrentët e tij, duke përfshirë edhe Argus Media Ltd dhe ICIS të Reed Business Information janë përdorur për të përcaktuar çmimin e lëndëve të para të përdorura në çdo gjë, duke filluar nga qeset plastike te pjesët e makinave në industrinë kimike botërore prej 2.2 trilionë dollarësh, si edhe për qymyrin, energjinë, metalet, emetimet, gazin e lëngshëm natyror dhe normat e anijeve.
“Nuk mendoj se dikush duhet të ndihet i vetëkënaqur”, tha Pirrong. “Kushdo që merr pjesë në këtë proces, duhet të pyesë veten se cili është hapi tjetër”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.