Pas diskutimesh dhe negociatash të shumta, kriza e bankave të rajonit Veneto në Itali u zgjidh me shpejtësi fundjavën e kaluar. Intesa San Paolo Bank mori pjesët e mira të (good bank) Veneto Banca dhe BancaPopolare di Vicenza. Si lindi kriza e bankave italiane? Pesha e tyre në Shqipëri
Fundjava e 23-25 qershorit ishte shumë e zënë për autoritetet bankare italiane, të cilat po përpiqeshin në maksimum të zgjidhnin problemin e dy bankave problematike të rajonit Veneto, Veneto Banca dhe BancaPopolare di Vicenza, përpara se të hapeshin të hënën.
Të dielën, formula ishte gati. Këshilli Italian i Ministrave miratoi dekretin, i cili i hapi rrugë likuidimit të Banca Popolare di Vicenza e Veneto Banca dhe kalimin e pjesëve të mira te Banka Intesa.
Të hënën, i gjithë rrjeti i dy bankave italiane, Popolare Vicenza e Veneto Banca (klientë, depozita, letra me vlerë,…) u transferua formalisht tek Intesa Sanpaolo, duke siguruar në këtë mënyrë vazhdimësi të plotë të të gjithë marrëdhënieve të klientëve.
Intesa Sanpaolo mori nga shteti 5.2 miliardë euro: 4.8 miliardë euro do të shërbejnë për të ruajtur normën e kapitalit bazë të Intesa Sanpaolo (12,8%) dhe 400 milionë euro për garanci.
Intesa Sanpaolo njoftoi zyrtarisht se ka nënshkruar një kontratë me likuiduesit e Banca Popolare di Vicenza dhe Veneto Banca lidhur me blerjen nga Intesa Sanpaolo të disa aseteve, detyrimeve dhe marrëdhënieve të caktuara juridike të dy bankave, për një çmim simbolik prej € 1 (Euro).
Ndërhyrja e Intesa Sanpaolo bën të mundur shmangien e pasojave serioze sociale që do të rridhnin përndryshe nga procedurat e likuidimit të detyrueshëm administrativ për të dy bankat. Kjo ndërhyrje do të ruajë vendet e punës në bankat e përfshira, kursimet e rreth 2 milionë familjeve, aktivitetet e rreth 200,000 sipërmarrjeve të mbështetura financiarisht dhe, për rrjedhojë, vendet e punës së 3 milionë njerëzve në zonat që regjistrojnë normën më të lartë të rritjes ekonomike të Italisë.
Intesa Sanpaolo do të blejë një gamë të caktuar aktivitetesh, e cila përjashton NPL-të (huatë e këqija, kredi të pamundura për t’u paguar dhe pagesat që u ka kaluar afati), obligacionet e subvencionuara, si dhe aksionet dhe marrëdhëniet e tjera juridike që Banka nuk i konsideron funksionale për blerjen. Sidoqoftë, Intesa Sanpaolo do të shpërndajë 60 milionë euro në total si dëmshpërblim për kursimtarët e vegjël që zotërojnë obligacione të subvencionuara të lëshuara nga dy bankat, e cila përfshin një shumë si ndërhyrje e saj e veçantë, përveç kontributit të saj të parashikuar proporcional në fondin e vënë në dispozicion nga sistemi bankar.
Intesa Sanpaolo dhe Veneto Banka kanë të dyja filiale në Shqipëri. Banka e Shqipërisë njoftoi se vendimet e marra në fundjavë nga Banka e Italisë dhe Qeveria e Republikës së Italisë, kanë sjellë ristrukturim të plotë të veprimtarisë së grupit bankar “Veneto Banca”. Pjesa më e mirë e veprimtarisë së këtij grupi, ku përfshihen edhe filialet e tij në Shqipëri dhe në disa vende të tjera, i kanë kaluar Bankës Intesa Sanpaolo, grupi më i madh bankar në Itali. Kjo është e konfirmuar edhe në njoftimin për shtyp të grupit bankar Intesa Sanpaolo të datës 26 qershor 2017.
Për sektorin bankar shqiptar, kjo do të thotë që “Banka Veneto sh.a”, deri më parë e zotëruar plotësisht nga grupi bankar “Veneto Banca”, tani do të zotërohet nga grupi bankar “Intesa Sanpaolo” dhe aktiviteti i saj do të bëhet pjesë e këtij grupi bankar. Ndryshimi i aksionerit do të ruajë treguesit e mirë të bankës dhe do të përmirësojë administrimin e saj. Si edhe në raste të tjera të ngjashme, ndryshimi i aksionerit do të jetë një proces i pandjeshëm për veprimtarinë e përgjithshme, për depozituesit dhe për klientët e tjerë të bankës.
Në këtë proces, krahas mbikëqyrjes nga afër, Banka e Shqipërisë do të ushtrojë kompetencat që i njeh ligji dhe kuadri rregullativ për rastin e ndryshimit të aksionerit të një banke, përfundon njoftimi i Bankës së Shqipërisë.
Intesa San Paolo është banka e katërt më e madhe në Shqipëri, sipas aktiveve. Në fund të vitit 2016, totali i aseteve të saj ishte rreth 1.1 miliardë euro, sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave, apo rreth 11% të totalit të sistemit. Ashtu si në Itali, edhe në Shqipëri, Intesa Sanpaolo është nga më të shëndetshmet dhe më fitimprurëset e sistemit bankar shqiptar. Në vitin 2017, filiali i Shqipërisë raportoi një fitim prej rreth 17 milionë eurosh.
Veneto Banka në Shqipëri ka një peshë të vogël në sistemin bankar vendas. Ajo renditet e 12-a, me një total aktivesh prej 190 milionë eurosh, apo 1.8% të totalit të sistemit bankar.
Nëse do të bëhej bashkimi, Intesa do të ngjitej sërish në bankën e tretë më të madhe në vend, sipas aktiveve, me rreth 12.6% të totalit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.