Vullnet Haka tregon se zgjidhje është menaxhimi i integruar i mbetjeve. Më shumë se 50% e mbetjeve urbane janë mbetje inorganike. Sipas propozimit të Shoqatës së Riciklimit bëhet ndarja e mbetjeve që në burim, ku hidhen të ndara në tre grupe të ndryshme: mbetjet organike, inorganike dhe mbetjet e rrezikshme që kalojnë në një proces tjetër menaxhimi.
Sipas llogaritjeve të tyre, mbetjet inorganike përgjigjen për rreth 60% të mbetjeve. Ndërsa 40% janë mbetje organike. Mbetjet organike pasi transferohen në landfill, kompostohen dhe prej tyre çlirohet gaz dhe energji, në fund ajo që prodhohet është plehu organik. Rezultat i këtij procesi është zero mbetje.
Për sa u përket mbetjeve inorganike ato ndahen në disa grupe, si plastika, qelqi, metale të ndryshme, druri, inerte, konfeksione dhe të tjera mbetje. 85% e tyre mund të ripërdoren, riciklohen ose në rastin e drurit të bëhen peletë, ndërsa vetëm 15% e tyre mbetet për djegie.
Të gjitha mbetjet inorganike adresohen ose te ripërdoruesi, materiale të cilat me gjysmë procesi pune ose direkt mund të ripërdoren për procese të ndryshme.
Haka shton se hierarkia për menaxhimin e mbetjeve logjikisht është:
-Reduktim
-Ripërdorim
-Riciklimin
-Asgjësim (Incenerim ose Groposje)
Por sipas zotit Haka është bërë një zëvendësim, duke nxjerrë incenerimin të parin. Ndërkohë që incenerimi nuk ka një peshë, 15% nëse i qëndron besnik procesit të menaxhimit të integruar të mbetjeve.
Trajtimi i mbetjeve me riciklim (si mund të ulen kostot e trajtimit nëpërmjet riciklimin)
Nëse themi se Shqipëria prodhon 1.5 milionë mbetje në vit dhe i duhen 120 euro për të trajtuar çdo ton të prodhuar (120 euro është kostoja e trajtimit në vendet e BE-së, kurse në Shqipëri për shkak të kostove të lira të punës, kostoja e riciklimit të mbetjeve përllogaritet rreth 80-90 euro). Sipas zotit Vullnet Haka, kjo kosto mund të ulet shumë thjesht: Një pjesë të kësaj kostoje e rimerr nga mekanizmi ekonomik.
Pjesën tjetër, duke përdorur mekanizmin financiar, duke u bazuar në parimin “Ndotësi paguan”. Ata që prodhojnë mbetje, fabrikat, apo në aktivitetet e ndryshme ekonomike, mbi bazë të sasisë që gjenerojnë të paguajnë një fond që të shkojë për trajtimin e mbetjeve.
Ndarjen e mbetjeve bashkiake nga mbetjet që prodhohen nga aktivitetet ekonomike.
Të përdoren format e delegimit të përgjegjësisë për menaxhimin e mbetjeve ndërmjet subjekteve, duke shmangur detyrimin ndaj bashkive. Nëse një kompani që prodhon mbetje, bën kontratë me një kompani që trajton mbetje, nuk ka pse paguan më në bashki.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.