“Zhgënjejnë” fondamentet; në tre muajt e parë hynë zyrtarisht 16 milionë euro më pak, nuk justifikojnë rënien e euros

12/06/2018 11:41 PM 0 komente

Deficiti i llogarisë korente, i  cili mat transaksionet ndërkombëtare të një vendi me pjesën tjetër të botës, pra mat hyrje-daljet e valutës (pa përfshirë llogaritë financiare) u përkeqësua në tremujorin e parë të vitit, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, një tregues që zyrtarisht nuk justifikon rënien e euros në të njëjtën periudhë .

Sipas shifrave zyrtare të Bankës së Shqipërisë deficiti i llogarisë korente, në tremujorin e parë të vitit 2018, shënoi 165 milionë euro, në zgjerim referuar të njëjtës periudhë në një vit më parë, me rreth 16 milionë euro ose 11%.  Pra, zyrtarisht në ekonominë shqiptare në tre muajt e parë të vitit kanë hyrë 16 milionë euro më pak se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Thellimi i deficitit korrent, sipas BSH, reflekton zgjerimin e deficitit tregtar të mallrave, me rreth 27 milionë euro. Deficiti tregtar (mallra dhe shërbime) u zgjerua me rreth 14%, në nivelin 355 milionë euro. Ndonëse eksportet u rritën me 20.3% për tre mujorin në raport me janar-mars të një viti më parë, importet u zgjeruan me 8.3%, por rritja në vlerë e importeve është më e lartë, pasi importet e mallrave janë gati katër herë më të larta sesa eksportet. Thellimi i deficitit korrent u diktua nga zgjerimi i deficitit tregtar (mallra) -shpenzime të  larta të importeve në makineri– pajisje dhe lëndëve djegëse e energjisë, thotë Banka e Shqipërisë.

Edhe eksportet e shërbimeve kanë sjellë më pak valutë në vend. Rënia e suficitit në llogarinë e shërbimeve së bashku me zgjerimin e balancës negative të të ardhurave parësore kanë mbështetur thellimin e deficitit korrent. Llogaria e shërbimeve, regjistroi balancë pozitive prej rreth 260 milionë eurosh, rreth 16 milionë euro më pak, krahasuar me të njëjtën periudhë në një vit më parë, tha Banka e Shqipërisë.

Një burim i rëndësishëm i hyrjes së valutës ishin edhe turistët. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, shpenzimet e turistëve në Shqipëri ishin 331 milionë euro në tremujorin e parë të vitit, me një rritje prej gati 10% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Por, në kahun tjetër, shpenzimet e shqiptarëve në udhëtimet jashtë vendit arritën në 254 milionë euro, me rritje prej 12.3% me bazë vjetore. Për shkak të rritjes me ritme më të larta të shpenzimeve të shqiptarëve jashtë, bilanci neto, pra paratë që mbeten në vend nga aktiviteti turistik ishte 78 milionë euro, nga 76 milionë euro në tremujorin e parë 2017, pra me një përmirësim minimal prej vetëm 2 milionë eurosh.

Pozitiv ishte ndikimi i emigrantëve, të cilët sollën 147 milionë euro në tre muajt e parë të vitit, ose 12 milionë euro më shumë se një vit më parë.

Edhe një tjetër tregues, Mjetet e rezervës valutore për shkak të veprimeve në bilancin e pagesave ka rënë më me 143 milionë euro milionë euro. Kjo do të thotë që nga veprimet e Shqipërisë me pjesën tjetër të botës, të pasqyruara në bilancin e pagesave nga vendi ka dalë valutë, çka teorikisht duhet të kishte çuar në një nënçmim të lekut, jo forcim të tij siç ndodhi në tre muajt e parë të vitit dhe ka vijuar edhe aktualisht.

Në tre muajt e parë të vitit, euro u nënçmua ndjeshëm në tregun e brendshëm valutor, një tendencë që sipas institucioneve zyrtare u justifikua me të ashtuquajturat fondamente, pra përmirësimin e burimeve zyrtare të hyrjes së valutës në Shqipëri nga eksportet e mallrave e shërbimeve, turizmi, investimet etj. Për periudhën janar-mars, një euro u këmbye me 132 lekë, nga 135.8 në të njëjtën periudhë të një vit më parë.

Rënia e monedhës së përbashkët vijoi edhe pas marsit, për të zbritur në nivelin më të ulët të 10 viteve prej 124.17 lekë në 5 qershor dhe për t’u rritur në rreth 127 lekë pas ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë.

Edhe në tremujorin e fundit të 2017, deficiti i llogarisë korente erdhi në zgjerim, duke arritur në 295 milionë euro (niveli më i lartë që nga tremujori i dytë 2016), si rrjedhojë e përkeqësimit të bilancit tregtar dhe atij të shërbimeve. Për gjithë vitin 2017, deficiti i llogarisë korente u përmirësua me vetëm 10 milionë euro.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz