Duket se më të humburit prej zhvlerësimit të monedhës së përbashkët europiane janë eksportuesit, kryesisht operatorët në sektorin fason, që punojnë në sektorin e tekstileve e këpucëve. Në harkun kohor të një viti (mars 2017- mars 2018), euro është zhvlerësuar me rreth 5 për qind. Vetëm gjatë marsit monedha e përbashkët ka humbur mbi 3 pikë përkundrejt lekut vendas, kurse nga viti në vit humbja ka qenë 6.4 pikë. Aktualisht euro ka zbritur në kuotën e 129 lekëve, ndërsa deri dy vjet më parë, monedha e përbashkët këmbehej mesatarisht me 140 lekë.
E ndërsa me zhvlerësimin e euros, mallrat e importit, pushimet jashtë, këstet e kredisë po bëhen më të lira, duket se për fasonët “po kthehet në dhimbje koke”.
Flamur Hoxha, administrator i kompanisë fasone Kler, tha për Monitor se humbja prej kursit të këmbimit, deri më tani shkon nga 5 deri në 7 për qind xhiros.
Shitjet e sektorit, në 2017-n, përllogariten të jenë rreth 50 miliardë lekë, sipas të dhënave nga Anketa e Strukturore e Ndërmarrjes 2016 dhe operatorëve për normën e rritjes në 2017. Ndërsa humbjet për shkak të zhvlerësimit të euros me 5% arrijnë deri në 3.5 miliardë lekë, apo 27 milionë euro.
Këto humbje sipas zotit Hoxha do të amortizohen duke ulur fitimet dhe investimet e kompanive fason.
Çdo pikë zhvlerësim i euros përkthehet në po kaq pikë minus të ardhura në sektorin e fasonit shprehet biznesmeni Gjergj Liqejza, administrator i kompanisë Madish. Ai pohoi se gjatë vitit 2017 euro është nënçmuar me rreth 4 pikë ndaj lekut dhe po në këtë masë kanë rënë edhe të ardhurat e eksportuesve.
Eksportuesit i kanë kontratat e shitjes në euro teksa shpenzimet i kanë lekë. Rënia e vlerave të euros ka frenuar ritmet e rritjes së eksporteve të cilat do të ishin edhe më të lartë në vlerë nëse euro nuk do nënçmohej në nivelet aktuale. Rënia e mëtejshme edhe saj gjatë viti, lajmëron frenim të të rritjes së industrisë edhe këtë vit.
Në një prononcim të mëparshëm për Monitor, “Albaco Shoes” një nga kompanitë më të mëdha të eksportit në sektorin fason, konkretisht ne prodhimin e këpucës, pa një rënie të dukshme të fitimeve prej zhvlerësimit të monedhës së përbashkët euro me rreth 4 pikë në vitin 2016. Ekonomistja e Albaco pohoi se nëse kursi i këmbimit do të vijonte nënçmimin për euron, siç ka ndodhur së fundmi, rënia e të ardhurave do të krijonte vështirësi. Volumi i këmbimeve të kompanisë në një ditë arrin mesatarisht 50-60 mijë euro. Në një muaj sipërmarrja e fasonit këmben rreth 1 milion euro. Duke qenë se euro u zhvlerësua me 3.5 për qind në 2016, humbjet e kompanisë nga kursi i këmbimit llogariteshin 35 mijë euro në vetëm një muaj. Kjo shumë e konvertuar në 12 muaj i çon humbjet nga kursi i këmbimit në një vit në rreth 450 mijë euro.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.