1 mijë mijë fermerë të zonave malore tashmë mund të përfitojnë subvencione për të zhvilluar aktivitetin e tyre. Fondi total i vënë në dispozicion është 13.1 milion euro nga të cilat 6.5 milionë janë grante të Gjermanisë dhe Danimarkës ndërsa pjesa e mbetur nga buxheti i shtetit. Këto fonde do të mbështesin fermat me bagëti të imta,bimët mjekësore dhe arrorët.
13.1 milion euro vihen në dispozicion të fermerëve të zonave malore të cilët duan të zgjerojnë aktivitetin.Përfitues nga këto fonde përllogariten të jenë rreth 1000 fermerë të cilët merren me bagëti të imta,drurrë frutorë oe arrorët si dhe me bimë mjekësore.Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti deklaroi se subvencionet do të jenë në shumën 3.5 deri në 10 milionë lekë.
Edmond Panariti : “Bëhet fjalë për zona që i përkasin 6 qarqeve, të Shkodrës, Kukësit, Dibrës, Elbasanit, Beratit dhe të Korçës. Fillimi i kësaj iniciative vjen në kohën e duhur pasi ju e dini që bujqësia shqiptare zhvillohet në dy binarë, në bujqësinë intensive që është bujqësi e zonave të Ulësirave Perëndimore, ku tashmë kjo bujqësi e ka marrë vrullin e saj, treguesit janë pozitivë dhe në rritje e përmirësim. Ky është dimensioni i parë, por një dimension tjetër jo më pak i rëndësishëm, e jo me më pak peshë në ekonominë shqiptare dhe në rritjen e mirëqënies së popullatës janë zonat kodrinore dhe malore. Ky projekt vjen në momentin e duhur kur ne kërkojmë të rrisim shkallën e financimit të bujqësisë, të agro-turizmit në këto zona. Nga java që vjen, 1000 fermerë që do të jetë numri total i përfituesve të parashikuar nga këto projekte, do të jenë të gatshëm për të aplikuar për të marrë financime për aktivitete në fushën e bujqësisë dhe agro-turizmit. Këtu bëhet fjalë për financime që shkojnë direkt në fermë, pra nga fermerë që synojnë të përmirësojnë dhe ristrukturojnë fermën dhe masa e financimit për këta fermerë në tre zinxhirët e vlerës që ne kemi përzgjedhur që janë bagëtitë e imëta, drurët frutorë, bimët aromatike dhe mjekësore, do të jetë goxha e konsiderueshme dhe do të arrijë deri në 3.5 mln lekë të reja për çdo fermë”.
Ambasadori gjerman në Shqipëri deklaroi se këto fonde do të zhvillojnë bujqësinë në zonat malore duke bërë që njerëzit të mos largohen nga pakënaqësitë.
Helmut Hoffman: Bujqësia është kyç për zhvillimin e Shqipërisë pasi ka ende shumë potencial të pashfrytëzuar.Zhvillimi i këtij sektori sidomos në zonat e varfëra është me rëndësi të madhe pasi kjo do të bënte që banorët të punojnë dhe të qëndrojnë aty por nga ana tjetër është e rëndësishme edhe për integrimin në BE.
Ndërsa ambasadori danez u shpreh se subvencionet në zonat malore kanë si synim reduktimin e varfërisë.
Mads Sandan Jensen: Qëllimi ynë me dhënien e këtyre fondeve është reduktimi I varfërisë dhe prandaj përqëndrimi është kryesisht në zonat malore duke I ofruar mbështetje në marketim apo agropërpunim.Më shumë vëmendje do të kenë gratë fermere .Ne duam që të fusim teknologji të reja .
Ky projekt i cili do të zbatohet nga GIZ do të zgjasë tre vite dhe tashmë fermerët do të kenë mundësi të njihen me të gjitha kriteret në zonat ku banojnë pasi do të ngrihen zyra të posaçme informimi.
/ ORA NEWS
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.