Flet Zamir Stefani, drejtor i Drejtorisë së Privatizimit/ Futet dhe koncepti i ri i zonave zhvillimore
Ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj deklaroi dy ditë më parë se qeveria po punon për zhvillimin e zonave industriale. Pranë Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes tashmë funksionon një grup i posaçëm pune, të cilët po bëjnë një skanim të hollësishëm të zonave industriale në vend, të problematikave dhe zgjidhjeve të mundshme, të potencialit dhe mundësive për të patur një impakt real mbi ekonominë.
Zamir Stefani, drejtor i Drejtorisë së Privatizimit, ka sqaruar për Monitor.al se po përgatitet një zonë të tillë, siç është ajo e Spitallës, që është rreth 800 hektarë. Në bazë të ligjeve të miratuara më parë, ne kemi të evidentuara 9 zona ekonomike, por që nuk kanë funksionuar. Jemi duke përgatitur riorganizimin e tyre dhe me ligj të rregullohen që të hapen edhe zona të tjera. Saktësimi i evidencave do t’i shërbente më mirë planit që ka qeveria.
“Koncepti i zonave ekonomike përfshin: ato të lira, industriale dhe do të futet edhe një koncept i ri që janë ato zhvillimore. Zonat industriale janë ato që zhvillohen në të gjithë sektorët e ekonomisë, ndërsa ato të lira dallohen për lehtësitë fiskale dhe doganore. Ndërsa për të futur konceptin e zonave zhvillimore duhet të bëhen ndryshime në ligjin ekzistues. Do të synohet të futen sipërfaqe të mëdha tokash që janë nën administrimin e Ministrisë së Bujqësisë, por që janë ende të pashfrytëzuara, kuptohet që do të hiqen ato toka që janë dhënë me ligjin 7501 dhe ato që janë planifikuar për kthim dhe kompensim. Pjesa e mbetur do të përdoret për zona zhvillimore. Natyrisht, të gjitha këto, në kuadër të partneritetit publik–privat”, thotë Stefani.
Ndërsa ministri Ahmetaj ka sqaruar gjatë një takimi të disa ditëve më parë se “Grupi i punës për zonat industriale, së bashku me bashkëpunëtorët nga Kennedy School ka vizituar në terren secilën prej zonave të dështuara industriale dhe tashmë ne kemi një pamje të qartë të situatës. Po punohet për përgatitjen e një pakete mbështetëse për tërheqjen e investitorëve të interesuar për zhvillimin e këtyre zonave ekonomike në vend, për të shfrytëzuar atë pjesë të potencialit që nuk është vënë në punë deri tani, që nga pozita jonë gjeografike, kosto e krahut të punës e deri tek mënyrat në të cilat vendi do të zhvillohet pas marrjes së statusit të vendit kandidat për në BE.
Shumë shpejt, gjatë 300 ditëshit të dytë do të kemi gati formatin e zonës industriale pilot, e cila do të shërbejë si pikë referimi për investitorët në raport me zhvillimin e këtyre zonave në Shqipëri. Ne besojmë se zona industriale është një ndihmesë e madhe për biznesin vendas dhe një instrument i rëndësishëm për tërheqjen e investitorëve të huaj dhe për krijimin e një industrie prodhuese për eksportin”, ka thënë ministri i ekonomisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.