Zëvendëskryeministri dhe ministri i Zhvillimit Rajonal dhe Fondeve të Bashkimit Europian, Branko Grcic, gjatë fjalës në hapjen e Panairit Rexpo 2015 tha se Kroacia ishte duke u bërë një destinacion gjithmonë e më interesant për investime.
“Pas gjashtë-shtatë vitesh krize të thellë që preku botën, Europën dhe Kroacinë, ne mund të themi se jemi në prag të rimëkëmbjes”, tha Grcic, duke shtuar se kjo dëshmohet edhe me vendin e 40-të që Kroacia zë në renditjen e Doing Business të Bankës Botërore.
Sipas Grcic, Kroacia ka bërë përparim të rëndësishëm në shumicën e segmenteve të biznesit, që mund t’i atribuohet pjesërisht anëtarësimit në BE.
“Anëtarësimi në BE me siguri është pasqyruar në një perceptim të ri të Kroacisë, e cila po kthehet në një destinacion investimi. Në vitet në vijim, Kroacia do të jetë gjithmonë e më interesante dhe tërheqëse për investitorët e huaj”, tha Grcic.
Ai shtoi se tendenca pozitive do të ndihet në sektorin e ndërtimit i cili, pas shtatë vitesh rënie, më në fund kishte dalë nga kriza.
Grcic përmendi disa projekte të ndërmarra nga qeveria në detyrë, si Aeroporti i Dubrovnikut, përgatitjet për ndërtimin e urës në Gadishullin Peljesac, dhe të tjera. Ai shtoi se këto ishin projekte që kërkonin shumë punë dhe të paktën tre vjet e gjysmë për t’u përgatitur.
“Unë jam një optimist i përjetshëm dhe dy vitet e fundit, sidomos këtë vit të fundit, ka dëshmi se optimizmi im nuk ishte i pakuptimtë”, tha ai.
Këshilltari ekonomik i Presidentes Kolinda Grabar-Kitarovic, Nikica Valentic, tha se shpresonte se investimet si nxitësi kryesor i rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), do të jenë fokusi i interesit të qeverisë së ardhshme.
“Qeveria e ardhshme do të formohet në rreth dhjetë ditë dhe unë shpresoj se nuk do të harrojmë rëndësinë e investimeve”, tha Valentic.
Rexpo 2015 është edicioni i katërt i një panairi ndërkombëtar mbi projektet e investimeve dhe një forum për të kontraktuar punë dhe për të prezantuar projekte.