Akreditimi është shndërruar tashmë në një mekanizëm që garanton në tregun tonë produkte apo shërbime cilësore, në përputhje me standartet e duhura.
Zv.Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, znj. Brunilda Paskali u shpreh gjatë takimit të sotëm për 10 vjetorin e themelimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimit (DPA) se kemi nevojë për një burim të besueshëm vlerësimi, të cilin na e ofron vetëm një akreditim sipas stardarteve europiane.
Zv.Ministrja përmendi dy nga zhvillimet më kryesore në fushën e akreditimit, të cilat janë: Miratimi i ligjit të ri për akreditimin në muajin shtator 2014 dhe aplikimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimit për nënshkrimin e marrëveshjeve të njohjes reciproke me Organizmin Evropian të Akreditimit në fushën e testimit.
“I bëj thirrje të gjithë institucioneve shtetërore që ofrojnë aktivitet të vlerësimit të konformitetit që të akreditohen, pasi vetëm në këtë mënyrë demonstrohet performanca e tyre. Do t’i bëja thirrje edhe operatorëve ekonomikë që ushtrojnë aktivitet në Shqipëri që të akreditohen, pasi vetëm në këtë mënyrë produktet dhe shërbimet e tyre do të jenë më të arritshëm për konsumatorin”, u shpreh Zv.Ministrja Paskali.
Gjithashtu pjesëmarrës në këtë aktivitet, kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimit, z. Armond Halebi, listoi arritjet më të mëdha të institucionit që drejton dhe për vitin 2014 veçoi rritjen e numrit të organizmave të akredituar, ku vetëm gjatë këtij 6-mujori janë akredituar 7 organizma të reja, si në laboratorët mjekësore, mjedisit apo organizma çertifikues të personelit.
z. Halebi u ndal edhe në ligjin e ri për akreditimin dhe deklaroi se një prej risive të tij është përcaktimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimit, si i vetmi organizëm kombëtar akreditues dhe përmendi gjithashtu një sërë objektivash për të ardhmen, si rritja e bashkëpunimit mes organizmave në fushën e akreditimit.
Gjatë këtij aktiviteti, DPA ndau certifikata të reja akreditimi për katër organizma.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.