Publikohet Report Best Countries 2018, me klasifikimin e vendeve më të mira në botë
Me rastin e World Economic Forum në Davos, është publikuar Report Best Countries 2018, në bashkëpunim me U.S. News dhe The Wharton School-University of Pennsylvania.
Vendi më i mirë në botë rezulton se është Zvicra. Reputacioni i saj në afat të gjatë për politikën neutrale dhe stabilitetin ekonomik kanë kontribuar në pozicionimin në krye të renditjes.
Raporti ka analizuar 80 vende në bazë të 75 parametrave, nga ndikimi ekonomik tek fuqia politike e cilësia e jetës së qytetarëve, për të kuptuar se si perceptohen shtetet në nivel botëror.
Klasifikimi dominohet nga dy vende që zbatojnë politika progresive sociale dhe mjedisore: nëse Zvicra është në vend të parë, në të dytin gjejmë Kanadanë. Nën drejtimin e Kryeministrit Justin Trudeau, Kanadaja këtë vit ka fituar reputacionin si vendi i parë në botë që ofron një cilësi të shkëlqyer jete.
Gjermania renditet në vend të tretë, ndërsa Britania e Madhe në të katërtin. Reputacioni i Gjermanisë si vend i hapur, me një qeveri transparente dhe vëmendje të madhe ndaj barazisë gjinore e kanë bërë të ngjisë një shkallë në klasifikim krahasuar me vitin 2017. Rënia e Britanisë së Madhe është shenjë e mungesës së besimit në fuqinë e saj ekonomike post-Brexit.
Japonia rendit në vend të pestë, falë rezultateve të larta në sipërmarrje, ekonominë në zhvillim dhe traditën.
Shtetet e Bashkuara renditen në vend të tetë, pas Suedisë dhe Australisë, duke lëshuar terren në dy kategori: hapja ndaj biznesit dhe ekonomive në zhvillim. Perceptimi se SHBA është një vend i qëndrueshëm politikisht, demokratik dhe i hapur ka rënë. Megjithatë mbetet perceptimi se është vendi më i fuqishëm (për të tretin vit radhazi), ndjekur nga Rusia në vend të dytë.
Suedia vijon të jetë e përqendruar në prioritetet kombëtare, duke forcuar programet e saj ndaj ndihmës sociale dhe duke investuar në tregjet financiare. Falë kësaj strategjie, Suedia renditet në vend të gjashtë.
Australia renditet në vend të parë për stabilitetin ekonomik, dhe në vend të pestë për cilësinë e lartë të jetës – këto e kanë ndihmuar të renditet në vend të shtatë të klasifikimit.
Top 10 mbyllet nga Franca dhe Holanda. Franca vlerësohet për kulturën, kuzhinën e mirë dhe modernitetin. Vendet e Ulëta, nga ana tjetër, vlerësohen në të gjithë botën për shoqërinë progresive dhe në respekt ndaj mjedisit.
Vendet si Suedia, Finlanda, Danimarka e Norvegjia janë në 15 vendet e para. Danimarka është në vend të parë për politikat e saj ndaj grave dhe fëmijëve, ndërsa Suedia në vend të parë sa i përket politikave ‘green living’.
Singapori dhe Kina, respektivisht në vend të 16 dhe 20, janë ndër vendet më mirë të klasifikuara në Azi, falë rritjes së fortë ekonomike.
Luksemburgu rezulton se është më “miqësor ndaj biznesit”, ndërsa Gjermania është në vend të parë për sipërmarrjen. Britania është në krye sa i përket arsimit, Kanadaja për cilësinë e jetës, ndërsa Zelanda e Re vendi më i mirë për të dalë në pension.
Brazili është vendi i parë që duhet të vizitoni, ndërsa Italia perceptohet si një vend trendy: trashëgimia kulturore është pika e saj e fortë. Italia renditet në vend të parë për sektorin e ushqimit, modës dhe tendencave.