Çmimet në SHBA u rritën me një shpejtësi më të madhe nga sa pritej muajin e kaluar, pasi rritja e kostove të energjisë dhe të ushqimit bënë që inflacioni të arrinte shkallën më të lartë që nga viti 1981.
Norma vjetore e inflacionit u rrit në 8.6% në muajin maj, sipas Departamentit të Punës, pas lehtësimit që pati në prill.
Rritja e kostos së jetesës ka vënë në vështirësi familjet dhe ka ushtruar presion mbi politikëbërësit për ta vënë këtë çështje nën kontroll.
Banka qendrore e Amerikës ka rritur normat e interesit vazhdimisht që nga muaji mars.
Analistët shpresonin se këto lëvizje kishin filluar të jepnin efekt për të reduktuar aktivitetin ekonomik, duke lehtësuar presionet e çmimeve. Por, konflikti midis Rusisë dhe Ukrainës, i cili ka rritur çmimin e naftës dhe të produkteve ushqimore si gruri, për shkak se pengon eksportet nga të dyja këto vende, e ka bërë më të vështirë trajtimin e problemit.
Çmimet e ushqimeve u rritën më shumë se 10% muajin e kaluar krahasuar me majin e vitit 2021, ndërsa energjia u rrit me më shumë se 34%.
Por, raporti i së premtes tregoi se rritjet vazhdojnë të përhapen në të gjithë ekonominë, duke shtuar kostot e gjithçkaje, që nga biletat e linjave ajrore dhe veshjet, deri te shërbimet mjekësore.
“Inflacioni ka arritur kulmin. Çmimet e konsumit kanë shkuar përtej pritshmërive të kaluara. Rritja vjetore prej 8.6% është rritja më e shpejtë në më shumë se 40 vjet,” tha Greg McBride, analisti kryesor financiar në Bankrate.com.
“Për më tepër, rritjet e ҫmimeve janë përhapur pothuajse kudo.”
SHBA-ja është përballur me rritjen e çmimeve që nga viti i kaluar, kur rikthimi i fuqishëm dhe i papritur i aktivitetit ekonomik pas tronditjes së pandemisë, i nxitur edhe nga sasitë e mëdha të shpenzimeve të qeverisë amerikane, mbingarkoi furnizimet, duke i shtyrë kompanitë që të rrisnin çmimet.
Tani, lufta në Ukrainë ka bërë që ky problem të përhapet në mbarë botën, me izolimet e shkaktuara nga Covid në Kinë këtë pranverë që kanë pasur kontributin e tyre në rritjen e ҫmimeve.
Teksa kostot e rritura godasin fuqinë blerëse të familjeve dhe nxisin reduktimin e shpenzimeve, zyrtarët po paralajmërojnë se rritja ekonomike në shumë vende rrezikon të reduktohet ndjeshëm.
“Lufta në Ukrainë, izolimet në Kinë, ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit dhe rreziku i stagflacionit po godasin rritjen ekonomike. Për shumë vende, recesioni do të jetë i vështirë për t’u shmangur,” tha këtë javë presidenti i Bankës Botërore, David Malpass./ BBC