Ministria e Financave pohon se gjatë vitit të kaluar, numri i ndërtesave të regjistruara dhe të faturuara arrti në 1,260,587 teksa vitin që vjen synohen të regjistrohen dhe të tatohen rreth 1,300,000.
Rezultatet e Censit 2011 treguan se në të gjithë vendin kishte 1,008,243 banesa rezidenciale. Të dhënat tregojnë se fondi i ndërtesave për qëllime tatimore në vitin 2022 ishte 25% më i lartë se ato të regjistruara në vitin 2011.
Në vitin 2022, të ardhurat nga taksa e ndërtesave arritën në 6,1 miliardë lekë, me një tatim mesatar 4,869 lekë për ndërtesë.
Ministria e Financave analizoi se ka një ndërgjegjësim të tatimpaguesve për detyrimet e tyre për tatimin në pronë. Procesi i zhvillimit të shërbimeve elektronike është në vazhdim, duke shtuar së kadastra fiskale nuk ishte plotësisht funksionale.
Kadastra Fiskale është regjistri qendror i bazës së të dhënave të pasurisë së paluajtshme që shërben për hedhjen, përpunimin, korrektimin e të dhënave dhe që shërbejnë për efekt të llogaritjes së shumës së taksës së pasurisë së paluajtshme për t’u paguar nga çdo taksapagues.
Ministria e Financave vlerëson se, qasja në të dhënat e tregut është thelbësore, në një sistem taksimi bazuar në vlerën e tregut. Pa të dhëna të sakta, të plota dhe të përditësuara nuk është e mundur të përcaktohen vlerat e vlerësuara që reflektojnë vlerën e tregut. Në këtë mënyrë aksesi në të dhënat e plota të tregut është një parakusht për të qenë në gjendje të kryhet një vlerësim cilësor.
Qeveria ka në proces miratimi një projektligj që synon rritjen e të ardhurave nga taksa e ndërtesës, kryesisht nëpërmjet rritjes së arkëtimeve nga shtëpitë e dytë dhe treta.
Projektligji i ri për taksën mbi pasurinë e paluajtshme që synon të rrisë arkëtimin edhe në rastet e banesave në proces legalizimi por që ende kanë certifikatë pronësie, truall privat që është zënë nga ndërtesa në proces legalizimi.
Nëse pronari i parcelës nuk e shfrytëzon parcelën e tij, për shkak se ajo parcelë është zënë, nga një apo më shumë njësi të ndërtesave pa leje ose të legalizuara, taksapagues për parcelën është pronari i njësive të ndërtesave.
Nëse pasuria e paluajtshme nuk është e pajisur me dokument pronësie, taksapaguesi është poseduesi i pasurisë së paluajtshme. Një përcaktim i tillë nuk i jep asnjë të drejtë pronësie mbi pasurinë e paluajtshme, poseduesit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.