1 Maji i gjen punëtorët e Kosovës në gjendje të rëndë, 100 mijë prej tyre do të mbesin pa punë

01/05/2020 1:44 PM 0 komente

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi ka thënë se shteti i Kosovës ka dështuar t’u sigurojë punëtorëve pagën mesatare prej 250 euro.  Sipas tij, pozita e punëtorit në sektorin privat është e rëndë, teksa ka thënë se shumë prej tyre, pagën e kanë 130 euro. Kurse, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se papunësia është sfida më e madhe në Kosovë.

Gjendja e punëtorëve të sektorit privat vazhdon të jetë e rëndë. 1 Maji ndonëse çdo vit shënohej me protesta, kësaj radhe një gjë e tillë është pamundësuar për shkak të koronavirusit. Nga Sindikata e Sektorit Privat thonë se në fund të qershorit, rreth 100 mijë punëtorë do të humbin vendet e tyre të punës.

Në një konference për media, Jusuf Azemi, i cili është kryetar i kësaj sindikate, ka thënë se shteti i Kosovës ka dështuar t’u sigurojë punëtorëve pagën mesatare prej 250 euro. Ai apeloi që sektorit privat t’i kthehet një vëmendje që e meriton.

“Ne apelojmë edhe në këtë kohë të vështirë që sektori privat t’i kthehet vëmendja që e meriton sepse tani punëtorët e këtij sektori jo që po luftojnë që të ketë paga, por po luftojnë për ekzistencën e tyre sepse që të gjitha kanë mbetur anash dhe tani këta janë të papunë, janë pa kontrata dhe janë pa mbështetje institucionale. Sado që ne shpesh, qeveria pretendojnë se ne do të jemi mbështetës të kësaj kategorie, deri më tani ne nuk kemi parë. Dhe normalisht që ne në vazhdimësi do të përcjellim situatën. Nga kjo situatë çfarë jemi dhe nga situata të cilën institucionet kompetente nuk janë duke menduar fare se si të dilet nga kjo situatë, ne sigurisht se muajin qershor, eventualisht korrik do të kemi mbi 100 mijë vende të humbura të punës”, tha Azemi.

Punëtorët më të prekur nga kjo situatë, Azemi tha se do të jenë ata të ndërtimtarisë, gastronomisë dhe sigurimeve fizike.Azemi ka kërkuar nga qeveria që t’i fus të gjithë punëtorët në pakon emergjente. Sipas tij, Qeveria e Kosovës gjatë kësaj periudhe ka bërë tri gabime.

Ndërkohë, ai ka përsëritur që pagat duhet të nivelizohen mes sektorit privat dhe atij publik.

“Kemi qenë kundër pagesës së punëtorëve nëpër barnatore, minimarkete dhe furra të ndryshme. Përderisa barnatoret kanë punuar non-stop, përderisa minimarketet kanë pasur një qarkullim shumë të madh dhe furrtarët. Ne jemi për stimulimin e punëtorëve sepse për ata punojmë, por ky stimulim u dashtë të vije nga vetë pronarët e kompanive, nga vetë furrtarët që kanë pasur një qarkullim shumë të madh, nga vetë barnatoret. Andaj pse kjo të jetë barrë e qeverisë, kur këto mjete kanë mundur të shpërndahen tek rastet sociale të cilat do të kemi shumë pakënaqësi në përfundimin e kësaj pakoje fiskale”, shtoi Azemi.

Në shumë vende të botës dita e punëtorëve është një festë që festohet më 1 maj të çdo viti, e cila synon të kujtojë angazhimin e lëvizjeve sindikale dhe vështrimin ekonomik-social të punëtorëve.

Kurse, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se papunësia është sfida më e madhe në Kosovë.

Përmes një postimi në Facebook ka thënë se 1 Maji nuk është thjesht ditë feste e punëtorëve por ditë kur duhet reflektuar mbi të gjitha ditët tjera të punës.

“Natyrisht se papunësia është sfida jonë e madhe. E papunësia e madhe është pasojë e qasjes së sistemit ndaj njeriut punëtor. Para luftës kishim shtetin okupator që na dëboi nga vendet e punës. Pas luftës kishim modelin neoliberal që s’na punësoi dot. Ndërkohë, arsimi e ekonomia ecën ndaras, e në hendekun e tyre po rritej rinia e papunë. Ndër pak fushat ku triumfojmë sot në Evropë është ajo e papunësisë më të lartë”, ka shkruar ai.

Por, Kurti thotë se as me punësim nuk përfundojnë sfidat e punëtorëve.

Sipas tij, puna pa siguri, pa kontratë, pa kontribute pensionale, pa sigurim shëndetësor, e pa të drejta për pushim me pagesë, është më shumë normë se përjashtim.

Kurti thotë se “për aq sa shoqëria organizohet rreth ekonomisë e për mirëqenie, përpjekja do të vazhdojë. Për aq sa vazhdon përpjekja, do të jem krah jush. Për punë, të drejta, e dinjitet”.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka uruar të gjithë punëtorët e vendit për 1 Majin, Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve.

Haradinaj ka thënë se kjo ditë Kosovën e gjen në një kohë kur pjesa më e madhe e ekonomisë ka pushuar, duke thënë se rimëkëmbja është jetike për Kosovën pas kalimit të pandemisë Covid-19 me një qeveri me kapacitete të plota.

“Dita Ndërkombëtare e Punës, na gjen në betejë me Covid-19, kur pjesa më e madhe e ekonomisë sonë ka pushuar. Të vetëdijshëm se do të na duhet kohë për rimëkëmbje, është jetike që Kosova në këtë periudhë ta ketë një Qeveri, e cila mund të punojë me kapacitete të plota, që shteti të ndërmarrë hapa të guximshëm dhe masa të infuzionit për ekonominë tonë, por edhe për t’u bërë krah i atyre që kanë humbur punën, si pasojë e pandemisë. Qëllimi ynë duhet të jetë mirëqenia e punëtorëve dhe konsolidimi i tyre financiar, por edhe fokusi tek të papunët dhe kategoritë sociale. Askush nuk do të braktiset dhe së bashku do t’ia dalim. Mbarë punonjësve të vendit, urime 1 Maji!”.

Mbi 23 për qind e qytetarëve të Kosovës, sipas të dhënave të fundit të Bankës Botërore, jetojnë në varfëri.

Sipas këtyre të dhënave të Bankës Botërore, rreth 18 për qind e popullatës në Kosovë jeton në varfëri me më pak se 2 euro në ditë, ndërsa 5 për qind e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë ekstreme ose me më pak se 1.50 euro në ditë.

Me një rritje ekonomike mesatare prej 4 për qind, Kosova ka vuajtur nga papunësia dhe problemet ekonomike e sociale ndër vite.

Pas pandemisë së koronavirusit, sipas parashikimeve edhe të Bankës Qendrore të Kosovë do të ketë një ulje të rritjes ekonomike nga -2 deri në -4 për qind.

Ndërkaq, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, pas pandemisë, ekonomia e Kosovës pritet të tkurret për 5 për qind.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of