Procesi i buxhetimit, rishikimit, ekzekutimit, monitorimit dhe raportimit të Buxhetit rezulton të jetë akomodues dhe legjitimues ndaj shkeljeve të disiplinës fiskale nga entet publike, duke mundësuar marrjen e angazhimeve financiare pa fonde në dispozicion, si dhe krijimin e detyrimeve të prapambetura (fragment nga baza për opinionin e auditimit të KLSH mbi zbatimin e Buxhetit të Shtetit për vitin 2017)
Nga Fatos Çoçoli
Raporti i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave të Kuvendit për zbatimin e Buxhetit të Konsoliduar të Shtetit për vitin 2017, jep një pasqyrë të problematikës së sotme të financave tona publike. Krahas evidentimit të të metave të konstatuara, ai synon përmirësimin e qeverisjes publike, sidomos rritjen e përgjegjësisë së strukturave vendimmarrëse qeveritare.
Ky raport i auditimit më të rëndësishëm që një institucion suprem auditimi kryen, lidhur me pasqyrat financiare të Shtetit dhe qeverisjes, gjatë një viti ushtrimor financiar ka ardhur duke u maturuar dhe duke u rritur në cilësi për KLSH-në që nga viti 2012. Këtë e kanë dëshmuar partnerët e zhvilluar europianë të KLSH-së, si Zyra e Auditimit Suprem të Polonisë (NIK), Gjykata e Auditimit të Austrisë, etj.
Që në raportin për zbatimin e Buxhetit të Shtetit të vitit 2012, paraqitur nga institucioni në vitin 2013, në qeverisjen e Partisë Demokratike, Kryetari i KLSH, dr. Bujar Leskaj, theksoi domosdoshmërinë e shlyerjes në kohë të detyrimeve të prapambetura, të cilat ishin akumuluar në një stok tejet shqetësues për financat publike. KLSH paralajmëroi Kuvendin dhe Qeverinë për risqet e akumulimit të këtyre detyrimeve, përpara se sa ta ngrinin këtë shqetësim Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore në fund të vitit 2013.
Sikurse Kryetari i KLSH-së e ka përsëritur në vijimësi çdo vit në paraqitjen në Kuvend të këtij raporti auditimi themelor për mbarëvajtjen e financave të Shtetit, përgjegjësia për suksesin apo mossuksesin e financave publike, nuk duhet lënë kurrsesi vetëm në personin e ministrit të Financave. Shëndoshja dhe garantimi i qëndrueshmërisë së treguesve kryesorë financiarë është një punë dhe përgjegjësi e përbashkët e të gjitha institucioneve të Shtetit, që nga ministritë e linjës e deri tek institucionet e pavarura. Asnjë nga ministritë ose institucionet e tjera qendrore nuk mund të lajnë duart si Pons Pilati, përpara përkeqësimit të këtyre treguesve.
Paralajmërimet e KLSH
Në thelb, KLSH thotë se disa zëra kryesorë buxhetorë, përfshirë deficitin buxhetor dhe borxhin publik kanë devijime materiale (sasiore dhe cilësore) në drejtim të hartimit, ekzekutimit, monitorimit dhe raportimit të tyre, jo në përputhje me Ligjin nr. 130/2016 “Për buxhetin e vitit 2017”, i ndryshuar, Ligjin nr. 9936, datë 26.06.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, Ligjin nr. 9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huasë në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, Ligjin nr. 10296 datë 08.07.2010 “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”, i ndryshuar, si dhe me Vendimin e Këshillit të Ministrave, nr. 50 datë 05.02.2014 “Për miratimin e strategjisë për parandalimin dhe shlyerjen e detyrimeve të prapambetura e të planit të veprimit” dhe aktet e tjera nënligjore në zbatim të tyre. Me fjalë të tjera, këta tregues janë menaxhuar dhe raportuar jo sipas ligjeve në fuqi. Kjo është e rëndë, shumë e rëndë. Kemi një papërgjegjësi dhe deformime informacioni themelor buxhetor në nivele të pamenduara më parë.
Por çfarë ka ndodhur realisht?
KLSH thotë se detyrimet e prapambetura dhe stoku në rritje i rimbursimit të TVSH-së nuk reflektohen në treguesit e konsoliduar fiskalë, sidomos në treguesin e deficitit dhe në treguesin e borxhit publik, tregues bazë për parashikimet makroekonomike, së bashku me rritjen ekonomike. Kështu, detyrimet e prapambetura (pagesat ende të pakryera nga Buxheti i Shtetit për punë të kryera nga sipërmarrjet private) për vitin 2017 ishin 19 miliardë lekë, ose 152 milionë euro. Ministria e Financave dhe e Ekonomisë nuk jep garanci nëse njësitë ekonomike kanë deklaruar në Thesarin e Shtetit të gjithë faturat e prapambetura dhe ato të krijuara rishtas deri në datën e raportimit.
Këto detyrime të prapambetura nuk janë raportuar në tabelën e treguesve fiskalë, por janë konsideruar si shpenzim i periudhave të ardhshme, duke mbajtur artificialisht të ulët deficitin buxhetor. E njëjta gjë dhe për treguesin e borxhit publik, i cili, nëse i shtohet edhe detyrimi për rimbursim i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (i TVSH-së në 11 miliardë lekë ose 88 milionë euro), shkon në nivelin 72% të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) të vendit.
Kjo vërehet në një kohë kur në strategjinë “Për Menaxhimin e Financave Publike 2014-2020”, e përgatitur për të realizuar qëndrueshmërinë dhe shëndoshjen e financave tona publike, objektivi i uljes së borxhit publik në fund të vitit 2017 ka qenë 65.5% e PBB (!). Pra jemi afro 7% të PBB-së, ose mbi 1 miliard euro prapa! Devijimet e shumta që kanë pësuar të ardhurat dhe shpenzimet buxhetore, që nga faza fillestare e planifikimit të tyre, deri në fazën e realizimit faktik, si dhe devijimet e shumta në mënyrën e mbulimit të financimit të deficitit buxhetor, nga kujdesi dhe përqendrimi i mëparshëm me financim nga burime të brendshme në atë me burime të huaja, dëshmojnë për mungesë të aftësisë buxhetuese, por edhe menaxhuese të financave publike. Ky fenomen është konstatuar si për zërat e shpenzimeve, ashtu edhe për të ardhurat.
KLSH vëren se Dokumenti i Planifikimit Buxhetor Afatmesëm 2017-2019 është hartuar në mënyrë formale. Ai nuk është eficient, duke vënë në dyshim standardet dhe vërtetësinë e programimit buxhetor. Institucioni i ruajtjes së financave publike ka konstatuar se për disa institucione të rëndësishme buxhetore, megjithëse vlera e miratuar e fondeve të investimeve kapitale me financim të brendshëm ka qenë e njëjtë me atë të projektbuxhetit të vitit 2017, si dhe me miratimin e buxhetit sipas Ligjit 130/2016, lista e përfundimtare e investimeve kapitale të miratuara me ligj është e ndryshme nga lista e miratuar në projektbuxhetin e vitit 2017.
Plani i buxhetit paraqitet me diferenca në Sistemin Informatik Financiar të Qeverisë, në nivel zërash buxhetorë dhe në total. Kështu:
1. Të ardhurat e përgjithshme për vitin 2017 janë 442.9 miliardë lekë, ndërkohë që ky zë në Sistemin Informatik Financiar të Qeverisë paraqitet me 408.8 miliardë lekë, pra me një diferencë për 34,101 miliardë lekë (ose 272 milionë euro) më pak.
2. Shpenzimet për vitin 2017 paraqiten në vlerën 474.1 miliardë lekë, ndërkohë në Sistemin Informatik Financiar të Qeverisë ato janë regjistruar 459,627 miliardë lekë pra me një diferencë për 14,474 miliardë lekë më pak.
3. Deficiti buxhetor për vitin 2017 paraqitet në vlerën 31,200 miliardë lekë, ndërkohë ky zë në Sistemin Informatik Financiar të Qeverise është 50,826 miliardë lekë, pra me një diferencë 19.6 miliardë lekë më shumë!
Veprimet e lartpërmendura faktojnë se çeljet e fondeve, monitorimi dhe ekzekutimi i buxhetit nëpërmjet sistemit të Thesarit nuk janë në përputhje me tavanet buxhetore të miratuara, veprim i cili mbart riskun e kryerjes së shpenzimeve nga ana e njësive shpenzuese pa pasur një plan shpenzimi.
KLSH ka konstatuar se janë çelur projekte investimi me financim të brendshëm, në vlerën 5.1 miliardë lekë, të cilat rezultojnë të mbyllura me miratimin e Aktit Normativ Nr. 03, datë 06.11.2017 “Për një ndryshim në buxhetin e vitit 2017”. Ky fakt tregon për një buxhetim të dobët dhe formal nga ana e ministrive të linjës.
Gjithashtu konstatohet se, ka projekte investimi të cilat janë çelur për herë të parë me miratimin e Aktit Normativ Nr. 03, datë 06.11.2017 “Për një ndryshim në buxhetin e vitit 2017, të miratuar me Ligjin 130/2016”, por referuar kontratës së regjistruar në SIFQ, konstatohet se këto projekte investimi janë kontrata në vazhdim nga vitet e kaluara në vlerën 6,830.8 milionë lekë, kryesisht të FZHR-së. Në disa raste janë konstatuar që faturat e regjistruara kanë rezultuar me data më të hershme se çeljet me akt normativ dhe fondet janë çelur për vlera më të vogla se faturat faktike të prapambetura.
KLSH, gjykon se Aktet Normative në fund të vitit u japin mundësinë institucioneve të ndërmarrin angazhime buxhetore pas datës 15 Tetor 2017, në kundërshtim me ligjin organik të Buxhetit. Institucioni ka vërejtur 3 raste kontratash të lidhura dhe realizuara në periudhën kohore 28-31 Dhjetor 2017, të cilat logjikisht janë të pamundura të realizohen.
Për këto arsye dhe për shumë të tjera të renditura në detaje në raportin e tij mbi buxhetin e Shtetit 2017, institucioni i auditimit të jashtëm publik tek ne konkludon se procesi i buxhetimit, rishikimit, ekzekutimit, monitorimit dhe raportimit të Buxhetit rezulton të jetë akomodues dhe legjitimues ndaj shkeljeve të disiplinës fiskale nga entet publike, duke mundësuar marrjen e angazhimeve financiare pa fonde në dispozicion, si dhe krijimin e detyrimeve të prapambetura.
Shumë ente buxhetore kanë marrë angazhime financiare në tejkalim të fondeve të çelura buxhetore, në kundërshtim me ligjin për menaxhimin e sistemit buxhetor tek ne. Është arritur deri aty sa të mos lejohet përdorimi i fondeve buxhetore të miratuara nga Kuvendi për njësitë e pushtetit vendor, me qëllim raportimin e treguesit të deficitit buxhetor të ulët dhe të disa zërave në Buxhet brenda kufijve të miratuar.
Kjo nuk i ka dhënë një pamje të drejtë aktivitetit financiar publik për vitin e kaluar. Defektet në mungesën e planifikimit të duhur, në mosrespektimin e radhës prioritare për buxhetimin e projekteve në vazhdim, çelja e fondeve në Sistemin e Informacionit Financiar Qeveritar, me shifra të ndryshme nga limitet e vendosura në treguesit fiskalë, kryerja e shpenzimeve të pambështetura me plan buxhetor dhe mosraportimi i plotë i shpenzimeve për disa zëra buxhetorë janë që të gjitha dukuri që nuk duhet të përsëriten më.
Ato dëshmojnë për një papërgjegjshmëri të dukshme në menaxhimin e të dhënave dhe treguesve kryesorë financiarë të Shtetit, për një qasje “fshehim ose modifikojmë disa të dhëna tani, pse i rregullojmë dhe i sistemojmë më vonë”. Kuptohet qartë kjo qasje: dëshira për të raportuar suksese të forta në financat publike. Por nuk mund të raportosh një deficit buxhetor nën 2% të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) të vendit tënd, për shembull, kur realisht, me stokun e faturave dhe detyrimeve të papaguara, e ke mbi 3% të PBB-së, pra rreth 50% më të lartë!
o kështu ndodh edhe me raportimin e nivelit të borxhit publik, pa përfshirë stokun e detyrimeve nga kontratat PPP dhe rimbursimi i TVSH-së. Në një situatë të tillë, është e domosdoshme një analizë e thelluar e shkaqeve për mosrealizimin e treguesve kryesorë të Strategjisë së Menaxhimit të Financave Publike 2014-2020, duke përcaktuar një plan veprimi të qartë për të gjitha institucionet përgjegjëse, sipas rekomandimeve të dhëna nga raporti i KLSH-së për zbatimin e Buxhetit të Konsoliduar të Shtetit për vitin 2017.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.