Kur planifikoni një udhëtim ndërkombëtar, mund të mos ju shkojë në mendje për të menduar se si do të jetë aeroporti. Por, disa aeroporte janë destinacione në vetvete.
Ju mund të habiteni kur të zbuloni se disa nga aeroportet më të mira në botë ndodhen kryesisht në vendet aziatike.
Me sa duket, vendet perëndimore duhet të përmirësojnë konkurrueshmërinë e tyre. Le të shohim listën me 10 aeroportet më të mira në botë për këtë vit.
- Aeroporti Ndërkombëtar i Hong Kongut, Hong Kong, Kinë
Aeroporti Ndërkombëtar i Hong Kongut shërben si një portë kryesore për në pjesën tjetër të Kinës dhe të Azisë. Ai është një qendër e rëndësishme për udhëtimet ndërkombëtare. Nga pistat mund të dallohen pamjet e maleve masive që shtrihen në të gjithë horizontin. Brenda aeroportit ka evente të shumta, bëhet shopping, si dhe ka shumë vende ku vizitorët mund të shijojnë ushqime të ndryshme.
- Aeroporti Ndërkombëtar i Mynihut, Mynih, Gjermani
Ky aeroport të jep përshtytjen e një qyteti të vogël, si një qiellgërvishtës i madh që ka aq shumë dritare saqë duket sikur është tërësisht i hapur. Në të ndodhen shumë restorante dhe dyqane – madje edhe makina shitëse për të blerë maska për fytyrën dhe mjete të tjera që duhen për t’u mbrojtur nga koronavirusi. Nëse dëshironi të përjetoni luksin e vërtetë, në këtë aeroport ndodhet zona VIP me një sallë pritjeje të veçantë. Ka shumë gjëra për të eksploruar dhe për të parë në Aeroportin Ndërkombëtar të Mynihut.
- Aeroporti i Marrakech Menara (RAK)
Aeroporti i Marrakech Menara është në listën e 10 aeroportëve më të mirë, kryesisht për dizajnin e tij të veҫantë. RAK ka disa pika shumë të përshtatshme për të bërë foto për Instagram dhe dallohet për shkak të atij lloji të arkitekturës që nuk mund t’i rezistoni pa i bërë një foto. Plot me restorante, ushqime dhe dyqane, RAK ka zona të veҫanta ku mund të uleni dhe të pushoni duke shijuar një pije sipas preferencave tuaja.
- Aeroporti Heathrow, Londër, Mbretëria e Bashkuar
Aeroporti Heathrow i Londrës është një nga aeroportet më të ngarkuara të Europës dhe ndodhet vetëm një udhëtim të shkurtër me tren larg nga zemra e Londrës. Njerëzit vijnë në Heathrow nga ҫdo cep i globit dhe kjo është ndoshta arsyeja pse ai është kaq i ngarkuar. Në Heathrow ndodhen shumë dyqane të stilistëve, duke e bërë atë një pikë të rëndësishme të botës së modës.
Njerëzit që punojnë në këtë aeroport janë shumë të prirur për t’ju ndihmuar dhe janë më se të gatshëm t’ju tregojnë rrugën që duhet të ndiqni për të arritur te porta juaj, në mënyrë që të siguroheni që do të jeni në kohë për fluturimin. Së shpejti, ky mund të bëhet aeroporti më i madh në botë.
- Aeroporti Ndërkombëtar i Dubait (DXB), Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe
Nëse Aeroporti Ndërkombëtar i Dubait do të kishte një simbol, ato do të ishin palmat. Në DXB, ju mund të ndjeni menjëherë klimën e ngrohtë dhe atmosferën e relaksit, pavarësisht nëse ndodheni këtu tranzit apo jeni duke vizituar Dubain. Në fakt, DXB është një pikë e njohur ndalese për ata që udhëtojnë nga Amerika e Veriut drejt Azizë. Në DXB gjithashtu ndodhen dyqanet më të mëdha duty-free në botë.
- Aeroporti Ndërkombëtar Hamad (DOH), Doha, Katar
Aeroporti Ndërkombëtar Hamad vendosi të bëjë një hap të madh përpara kur instaloi “Strehën e Mikpritjes dhe të Përtëritjes”, me fjalë të tjera, një grup sallonesh dhe banjave spa të vendosura për t’ju bërë të harroni stresin e udhëtimit.
Kjo përfshin kabina gjumi, një spa, dushe, si dhe një qendër fitnesi, për të mos përmendur se ka edhe shumë ushqime të mrekullueshme në DOH. Vetë DOH është kaq i bukur saqë mund të konsiderohej një muze. Struktura e aeroportit është plot me harqe të mbivendosura dhe me trarë të kryqëzuar me dritare të hapura. DOH është një aeroport që duhet parë!
- Aeroporti Ndërkombëtar Narita (NIA), Tokio, Japoni
Nëse dëshironi të provoni kuzhinën japoneze, Aeroporti Ndërkombëtar Narita është vendi i mrekullueshëm ku duhet të shkoni. NIA është aeroporti kryesor nga ku duhet të kaloni nëse jeni duke udhëtuar nga Amerika e Veriut për në Azi.
Nëse destinacioni juaj është Tokio, atëherë këtu ndodhen trena ekspres që ju sjellin në qendër të qytetit. Nëse ju pëlqen të relaksoheni, ka edhe shërbime të bukurisë, si një sallon flokësh dhe një sallon thonjsh. NIA është një aeroport që ofron shërbime për ta bërë vizitën tuaj sa më argëtuese, në vend që të ndiheni sikur keni ngecur në një aeroport.
- Aeroporti Ndërkombëtar Incheon (ICN), Koreja e Jugut
Ky aeroport duket sikur është sjellë nga e ardhmja! Për të arritur këtë, në Aeroportin Ndërkombëtar Incheon është bërë një punë mjaft e madhe. Aty po bëhen shumë rinovime, me synimin për të krijuar një hapësirë që mund të mbajë 100 milionë pasagjerë në vit.
ICN nuk është thjesht një aeroport. Aty ndodhen ekspozita të shumta të artit dhe një muze, organizohen shpesh koncerte dhe evente të ndryshme, ndërkohë që vizitorët kanë mundësinë të shijojnë kuzhinën lokale dhe të bëjnë shopping në një “rrugë” kulturore, që është një ide mjaft spektakolare. Vizitorët në ICN nuk do të mund të thoshin kurrë që u mërzitën duke pritur fluturimin e tyre!
- Aeroporti i Stambollit (IST), Stamboll, Turqi
Pati shumë njerëz që morën pjesë në inagurimin e këtij aeroporti të mrekullueshëm në vitin 2018, dhe ai nuk zhgënjeu.
I dizenjuar nga Grimshaw Architects, të cilët dëshironin që IST të bëhej aeroporti më i madh në botë, ai është projektuar me robotë të teknologjisë së lartë që i drejtojnë pasagjerët për në portën e tyre. Ambientet e brendshme janë mahnitëse, me tavane të larta dekorative dhe kolona të mëdha të bardha që ju bëjnë të ndiheni sikur jeni në një pallat mbretëror.
- Aeroporti Changi i Singaporit (SIN), Singapor
Me shumë gjasa, ky është aeroporti më i lezetshëm në botë. Muret e aeroportit Changi të Singaporit janë të mbuluara me bimë! Në pjesën tjetër të aeroportit gjen përdorim teknologjia e kohëve më të fundit, duke krijuar një kombinim interesant mes arkitekturës futuriste dhe strukturave organike – madje, edhe ujëvarave.
Ky aeroport jo vetëm që është një pikë për dhjetëra fluturime nga e gjithë bota, por ai është në vetvete një destinacion. Në fakt, ju mund të bëni edhe dasmën tuaj në SIN! Plot kopshte, ekspozita të fluturave dhe i mbushur me atraksione dixhitale, do të ishit me fat po të zbulonit se jeni duke mbërritur në një aeroport me kaq shumë eksperienca të bukura për të ofruar. / The Travel