Sipas kompanisë data.ai, në shkurt 2023, këto 10 aplikacione së bashku përfaqësojnë thuajse 5.9 milionë dollarë të shpenzimeve globale të konsumatorëve
Kërkesa e konsumatorëve për përvojat chatbot IA ka kanalizuar miliona dollarë në aplikacionet celulare që reklamojnë lidhjen e tyre me teknologjitë ChatGPT ose OpenAI.
Sipas një analize të re të ekosistemit të aplikacioneve të Inteligjencës Artificiale, të kryer nga data.ai, këtë vit konsumatorët kanë shpenzuar më shumë se 14 milionë dollarë në 10 aplikacionet më fitimprurëse që reklamojnë përdorimin e teknologjive ChatGPT ose OpenAI.
Dhe kërkesa vijon të rritet. Në shkurt 2023, sipas kompanisë data.ai, këto 10 aplikacione së bashku përfaqësojnë thuajse 5.9 milionë dollarë të shpenzimeve globale të konsumatorëve. Në 20 ditët e para të marsit, aplikacionet regjistruan mesatarisht 232.000 dollarë shpenzime në ditë, me rritje 11% krahasuar me mesatarisht 210.000 dollarë në shkurt.
Është e qartë se përfshirja e funksioneve të “Inteligjencës Artificiale” dhe referencave ndaj mjeteve si ChatGPT apo OpenAI ka nxitur kërkesën, duke qenë se pjesa më e madhe e aplikacioneve regjistruan shpenzime minimale nga konsumatorët para ndërveprimit të tyre me IA.
Për shembull, i njëjti grup aplikacionesh regjistroi vetëm 1.6 milionë dollarë shpenzime globale nga konsumatorët në dhjetor 2022, të cilat u rritën 3.7 herë, për të arritur totalin e shkurtit. Analiza tregon se muaji i kaluar shënoi rritje me 55% krahasuar me 3.8 milionë dollarë të shpenzuara në janar 2023.
Por në këtë tendencë ka një përjashtim. Aplikacioni Pixelcut AI Photo Editor pati realizuar të ardhura të mira para prezantimit, në janar 2023, të mjetit të tij të copywriting “magic writer” që përdor GPT.
Në dhjetor 2022, aplikacioni regjistroi 817.000 dollarë shpenzime nga konsumatorët. Në shkurt, të ardhurat u tkurrën lehtë në 813.000 dollarë, sipas vlerësimeve të data.ai. Përpara 1 janarit 2023, Pixelcut gjeneroi shpenzime bruto në vlerën 19.8 milionë dollarë në nivel global, kështu që ende po ecën mirë.
Përveç Pixelcut AI Photo Editor, analiza e data.ai përfshiu edhe aplikacionet më fitimprurëse Genie – AI Chatbot; AI Chat – Chatbot AI Assistant; AI Chatbot – Open Chat Writer; Apo – AI Personal Assistant; Chat AI Bot – Writing Assistant; ChatOn – AI Chatbot Assistant; AI Chat – Ask Anything; Chat AI – Ask Anything; e GoatChat.
Nga këto, Genie regjistroi më shumë të ardhura këtë vit, me 3.2 milionë dollarë në shpenzimet globale të konsumatorëve në 2023. AI Chat dhe Pixelcut renditen përkatësisht në vendin e dytë dhe të tretë, me 2.8 dhe 2.2 milionë dollarë.
Aspekti më interesant në këtë grup aplikacionesh është se, në pjesën më të madhe, asnjë prej tyre nuk po përpiqet të krijojë markën dhe një identitet të vetin për të tërhequr konsumatorët.
Në vend të kësaj, ata thjesht po pasurojnë me fjalë kyçe emrat e aplikacioneve të tyre që të përputhen me termat e kërkimit që njerëzit mund të përdorin kur kërkojnë një lloj aplikacioni chatbot me IA. Fjalët si “AI”, “Chat” ose “Chatbot” dhe “Assistant” do të ndihmojnë në rritjen e shkarkimeve.
Aplikacionet e këtij grupi renditen edhe të parët në kërkimet në App Store për termin OpenAi. Ky është një tregues se sa terren ka fituar OpenAi në tregun e aplikacioneve për pajisje celulare, duke mos pasur një aplikacion të vetin zyrtar.
Muajin e kaluar, Semafor raportoi se kompania po punonte mbi një aplikacion celular ChatGTP, që do t’u lejonte përdoruesve të celularëve të përdornin IA me një përvojë të posaçme, në vend të ndërfaqes ekzistuese të internetit.
Megjithatë kompania refuzoi ta komentojë lajmin, ndaj nuk është e qartë se në çfarë faze është projekti. Edhe Apple, i cili luan rolin e ndërmjetësit, po përpiqet të menaxhojë fluksin e aplikacioneve të fuqizuara nga IA.
Në janar, si App Store edhe Google Store u “pushtuan” nga aplikacione të dyshimta ChatGTP që pretendonin se ishin të lidhura me OpenAi, në mënyrë që të paguanin çmime të larta abonimi për të hyrë në
ChatGPT – një shërbim që është falas nëpërmjet Web-it.
Madje, një aplikacion i njohur “ChatGPT Chat GPT AI With GPT-3” arriti në krye të App Store para se të eliminohej nga Apple. Që prej atëherë, kompania ka mbyllur dyert.
Për shembull, një zhvillues aplikacionesh, Hidde van der Ploeg pati krijuar një aplikacion që lejonte ndërveprimin me ChatGPT nga Apple Watch, por u refuzua nga App Store për shkak të përdorimit të “GPT” në emrin origjinal të aplikacionit WatchGPT. Aplikacioni u riemërua “Petey” dhe ai u miratua.
/ Tech Crunch