Përqafoni nxehtësinë në këto destinacione plot diell…
Para se të rikthehen qiejt gri, jetojeni më gjatë verën tuaj, duke rezervuar në minutën e fundit një nga këto destinacione për muajin gusht, qoftë për një fundjavë apo për pushime javore.
1.Sintra, Portugali
Një udhëtim i shkurtër me tren nga Lisbona, do t’ju çojë në qytezën magjike të Sintras. Pallati i Penas është pika turistike më e njohur e këtij qyteti me sipërfaqen e tij të veshur me tjegulla dhe të përpunuar në detajet më të imta, por pika jonë më e dashur është pa dyshim Quinta da Regaleira për gjelbërimin e saj dhe pamjet piktoreske të Initiation Well që ia vlejnë për t’u postuar në Instagram.
2.Napoli, Itali
Me shumë mundësi është i mbushur me turistë (si pjesa më e madhe vendeve të Europës gjatë muajve të verës), por Napoli është shtëpia e disa prej picerive më të mira të botës dhe ndodhet pranë qytetit të lashtë të Pompeit si dhe pikave turistike të frekuentuara shpesh nga njerëz të famshëm si Bregu i Amalfit dhe Kapri.
3.Zanzibar, Tanzani
Nëse doni të shijoni ngrohtësinë tropikale, shkoni në Zanzibar – një arkipelag pranë bregut të Afrikës Lindore. Temperatura mesatare në muajin gusht është 29°C, duke ju ofruar mundësinë për të jetuar më gjatë ndjesinë e vapës së verës. Zhytuni dhe kërkoni breshkat e detit në ujërat e pastra blu apo thjesht shtrihuni në rërë për të marrë rreze dielli.
4.Edinburg, Skoci
Tre fjalë: Edinburgh Fringe Festival. Gjatë këtyre ditëve, rrugët me kalldrëm të qytetit mbushen plot e përplot me amatorë, aktorë dhe artistë që të gjithë të përgatitur për të performuar në festivalin Fringe, që mbahet në muajin gushti.
5.Salzburg, Austri
Kodrat e hijeshojnë qytetin e Salzburgut: vendin e shesh-xhirimit të filmit Sound of Music. Ndërsa në dimër mbulohet nga dëbora, gjatë verës ky qytet austriak është një ndërthurje e mrekullueshme e kodrave të gjelbra, kështjellave të lashta dhe liqeneve të shndritshme që ju mund t’i eksploroni gjatë pushimeve tuaja verore.
6.Galway, Irlandë
Vera është stina kur Irlanda tregon shkëlqimin e saj të vërtetë dhe grija e përhershme e dimrit i lë vendin qiellit të kthjellët dhe gjelbërimit. Galway në bregun perëndimor të Irlandës është vendi i përkryer për të kaluar fundjavën apo pushime javore. Zbuloni terrenin e thyer të Konemaras ose bashkohuni me turistët e tjerë në shkëmbinjtë e Moherit para se të udhëtoni përmes Wild Atlantic Way.
7. Zagreb, Kroaci
Edhe pse Kroacia humbi në finalen e Kupës së Botës përballë Francës, ky vend i vogël por i fuqishëm do të jetë në festë gjatë gjithë verës, duke e bërë kohën e përkryer për ta vizituar atë. Merrni me qira një jaht dhe lundroni përgjatë bregut kroat apo shëtisni nëpër Parkun Kombëtar të Liqeneve të Plitvicës. Kudo që të shkoni, do jeni të rrethuar nga ujërat e pastër gjithë shkëlqim dhe njerëzit e mrekullueshëm.
8. Reikjavik, Islandë
Në dimër, Islanda është e famshme për peizazhet e saj me dëborë dhe Dritave Polare – por kur vjen vera, ajo shndërrohet në një botë krejt tjetër. Gushti është koha më e mirë për ta vizituar Islandën me gjithë peizazhet e saj të gjelbra dhe ujëvarat madhështore, pa qenë nevoja të qëndroni me orë të tëra në temperatura nën zero. Për më tepër, ju do të përfitoni edhe nga kohëzgjatja e ditës për thuajse 24 orë, e cila është një përvojë e veçantë.
9. Ishujt e Scilly, Mbretëria e Bashkuar
Për të shijuar parajsën tropikale brenda Mbretërisë së Bashkuar, mjafton të zgjidhni si destinacion Ishujt e Scilly. Arkipelagu pranë ishullit të Kornuellit ka plazhe të shumta me rërë të bardhë, ujëra të kaltra dhe temperatura subtropikale. Arratisja ideale për pushime me familjen.
10. Liqeni i Anesisë, Francë
Gjatë verës, kur shumë njerëz dynden në Provence dhe në Rivierën Franceze sapo del shenja e parë e diellit, qytetet e Alpeve Franceze janë më pak të frekuentuara nga turistët, por po aq mikpritëse. Anesia është një qytezë përrallore, sikur të kishte dalë nga “E bukura dhe Bisha”, me liqenet e saj të mëdha dhe malet e larta që rrethojnë fshatin me kalldrëm. Për më tepër, mjafton një udhëtim i shkurtër me autobus për të arritur në Gjenevën e Zvicrës dhe për të shijuar një ditë të përkryer.
*Laura Hampson
Burimi: Standard UK