Flet Jonian Antoni, administrator i Century 21
Dikur, vilat ishin të orientuara vetëm në zonat rurale të vendit. Por, së fundi është zgjuar interesi i shqiptarëve për të jetuar në vila, të cilat, sipas Jonian Antonit, administrator i Century 21 mund të përballohen nga vetëm 5% e popullsisë. Një vilë rezidenciale në Tiranë kushton nga 250 mijë deri në 2 milionë euro.
Si ka qenë kërkesa dhe oferta në tregun e vilave?
Vilat kanë qenë për një kohë të gjatë në Shqipëri një produkt pa shumë interes, i konsideruar vetëm nga super të pasurit, për vila të mëdha, ose nga shqiptarët që banojnë në zonat rurale, për vila modeste dhe pa investime.
Në vitet e fundit, për shkak të rritjes së nivelit të të ardhurave, por sidomos për fillimin e konceptimit të një vile në komplekse të urbanizuara, vila ka filluar të bëhet një produkt interesant.
Në vetvete, vila është shumë më e madhe se një apartament dhe si rrjedhojë, edhe kushton më shtrenjtë, por ka kosto mirëmbajtje shumë më të lartë. Për shkak të kësaj, tregu i pasurive të paluajtshme parqet një kërkesë 90% në favor të apartamenteve dhe vetëm 10% në favor të vilave.
Cilat kërkohen më shumë, vilat brenda zonave urbane apo rurale? Cili është qëllimi kryesor i përdorimit të tyre?
Vilat në përgjithësi përdoren për banim. Kërkesa e tyre varion sipas tipologjisë së vilave. Vilat rezidenciale parapëlqehen afër zonave urbane, me një distancë 15-20 minuta nga qendra ose zonat e zyrave.
Vilat turistike (e plazhit) preferohen sa më afër me detin dhe sa më afër më kryeqytetin. Për këto arsye, plazhet e Durrësit, Gjirit të Lalëzit janë lokacioni ideal për blerësin vendas që kërkon një vilë për sezonin veror.
Turistët nuk e kanë problem lokacionin, përderisa i ofron plazh të mirë, infrastrukturë të aksesueshme, të sigurt si kompleks sidomos në dimër dhe afërsi me aeroportet.
Si është oferta nga aktorët e tregut për këtë produkt të tregut të pasurive të paluajtshme?
Është ende e vakët, shumë pak komplekse rezidenciale ofrojnë vila dhe për këtë arsye, edhe çmimet e vilave janë ende të larta në raport me apartamentet.
Cilat janë zonat kryesore ku po zhvillohet ndërtimi i vilave?
Ka disa, kryesisht rreth Tiranës. Bëhet fjalë për vila luksoze dhe të përballueshme vetëm nga 5-7% e popullsisë.
Ndërkohë që edhe komplekset turistike janë duke u zhvilluar dhe shumë prej tyre janë moderne dhe me infrastrukturë të lakmuar. Një nga aspektet pozitive të Shqipërisë është se shumë është ndërtuar pas viteve 2000, duke i bërë më koherente dhe të pëlqyeshme nga të huajt për shkak të infrastrukturave dhe teknologjive moderne që aplikohen në vila.
Si variojnë çmimet e vilave në Tiranë dhe në bregdet (sipas zonave, këtë mund ta trajtojmë më vete)?
Ka diversitet shumë të madh. Vilat rezidenciale në Tiranë variojnë nga 250,000 euro deri në 2,000,000 euro. Sa më e madhe të jetë vila dhe trualli, aq më i shtrenjtë çmimi.
Vilat në resorte turistike fillojnë nga 130,000 euro dhe zakonisht përfundojnë në 700,000 euro. Është shumë e vështirë për një blerës qoftë shqiptar, qoftë edhe i huaj, të konceptojë një shtëpi të dytë në një vend si Shqipëria në vlerat 700,000 euro. Prandaj ne si agjenci u këshillojmë ndërtuesve të fokusohen te produkti i vilave nga 130,000 deri në 300,000 për vilat në zonat turistike.
Në tregun e pasurive të paluajtshme a shikohen vilat si një produkt me qëllim investimi (për t’u hedhur në tregun e qirasë apo për rishitje)?
Edhe ky është një trend që has vështirësi për t’u parashikuar dhe varet nga blerësi. Blerësit e huaj e shikojnë si një miks për përdorim vetjak në disa vite dhe për ta rishitur pas 5-10 vitesh kundrejt një fitimi të arsyeshëm.
Blerësit shqiptarë e shikojnë vilën si një ambient banimi qoftë për vilat rezidenciale ashtu edhe për vilat në zona turistike. Vetëm 1/10 e pronarëve të vilave i japin me qira vilat e tyre sidomos në zona turistike.
Në zonën e bregdetit të Jugut, oferta është shtuar për sa u përket vilave, duke qenë se disa kompani po zhvillojnë projekte më vila. A ka rrezik që kjo të krijojë mbiofertë në tregun e vilave në Shqipëri? Si mund të ndikojë në nivelin e çmimeve?
Fatkeqësisht ka shumë pak kompani që po investojnë në bregdetin e Jugut me projekte të sakta në vila, ne i përgëzojmë ato pak kompani dhe mundohemi t’i ndihmojmë sa më shumë. Vilat në Jug janë një produkt interesant nëse zgjidhen çështjet infrastrukturore që i mungojnë Jugut, përkatësisht; një aeroport, bypass i Fierit, bypass i Vlorës, dhe rruga e Llogorasë. Nëse këta faktorë zgjidhen, vilat në Jug bëhen një nga produktet më interesante në Ballkan.
Cilët kategori blerësish kanë interes në blerjen e vilave (këtu mund të bëjmë një profil blerësi, si p.sh. madhësia e familjes, të huaj apo shqiptarë, niveli i të ardhurave)?
Ashtu si në gjithë botën e zhvilluar, vilat ndahen në dy profile blerësish:
Blerësit vendas: Kryesisht blerësit e moshës 35 deri në 55 vjeç, të cilët duke qenë se po krijojnë familje, kanë nevojë për më shumë hapësira, për hapësira të gjelbra dhe ambiente për fëmijët. Kur fëmijët kalojnë moshën 20 vjeç bëhen të pavarur dhe dalin më vete, (kryesisht shkojnë drejt qytetit), si pasojë edhe prindërit e tyre drejtohen drejt qytetit pas moshës 55 vjeç për arsyet e mëposhtme;
Më afër fëmijëve, qendrave spitalore, më pranë me familjarët e tjerë, heqja dorë nga përdorimi i makinave. Ky i fundit, një faktor shumë i rëndësishëm, sepse pas moshës 55 vjeç edhe bie ndjeshëm aftësia për të drejtuar mjetet dhe dëshira për të përdorur makinën, ndërkohë që nëse banon në një vilë, duhet patjetër të kesh një ose më shumë makina në dispozicion të familjes.
Pra është e rëndësishme të kuptohet që në tendenca mbarëbotërore vila përdoret kryesisht në moshën 35 deri 55 vjeç, në momentet kur një familje po zhvillohet dhe derisa fëmijët arrijnë moshën e pjekurisë dhe pavarësisë, më pas tendenca është rikthimi në qendra të urbanizuara.
Blerësit e huaj: të cilët në Shqipëri janë ende të pakët por rriten çdo vit. Kategoria më e madhe e këtyre blerësve janë mbi 40 vjeç, me familje të mëdha dhe kryesisht shqipfolës nga vendet fqinje si Maqedonia dhe Kosova. Zgjedhin Shqipërinë, sepse këtu një vilë kushton të paktën 50% më lirë se në vende të tjera dhe ka akses me makinë disa orë nga banesa e tyre.
Ndërkohë blerësit që blejnë nga vende më të largëta janë ose emigrantë të lidhur me Shqipërinë, ose investitorë që futen në projekte për t’i dhënë vilat me qira disa vite dhe të përfitojnë nga rritja e çmimit për një rishitje kundrejt fitimit pas 5-10 vitesh.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.