Data 22 Prill shënon Ditën e Tokës. Testoni njohuritë tuaja për mjedisin, duke sfiduar veten me faktet e mëposhtme që tregojnë mënyrën se si po ndryshon klima jonë.
Më poshtë janë disa pyetje të modelit “e vërtetë – e gabuar”.
- E vërtetë apo e gabuar: Industria e modës në vitin 2018 prodhoi 4% të emetimeve të gazeve serë në botë.
E vërtetë: Sektori i modës në vitin 2018 ishte përgjegjës për afërsisht 2.1 miliardë tonë metrikë të emetimeve të gazit serë, që përbën rreth 4% të totalit global të emetimeve, sipas një raporti të vitit 2020 nga organizata jofitimprurëse për qëndrueshmërinë Axhenda Globale e Modës dhe firma e konsulencës në fushën e menaxhimit McKinsey and Company.
- E vërtetë apo e gabuar: Fatkeqësitë natyrore në vitin 2021 u kushtuan Shteteve të Bashkuara më shumë se 200 miliardë dollarë.
E gabuar: Në vitin 2021, fatkeqësitë natyrore u kushtuan Shteteve të Bashkuara afërsisht 148 miliardë dollarë, sipas Qendrave Kombëtare për Informacionin Mjedisor.
Gjatë vitit 2021, Agjencia numëroi 20 fatkeqësi të motit dhe klimës, duke përfshirë përmbytjet, zjarret dhe ciklonet tropikale, të cilat rezultuan në vdekjen e 724 njerëzve. Që nga viti 1980, vendi ka kaluar 323 fatkeqësi të motit dhe të klimës, të cilat në total kanë kushtuar mbi 2.195 trilionë dollarë.
- E vërtetë apo e gabuar: Industria e shërbimeve të ushqimeve kontribuoi me 50% të mbetjeve globale të ushqimit në vitin 2019.
E gabuar: Industria e shërbimeve ushqimore prodhoi 26% nga 931 milionë tonët e mbeturinave ushqimore të vitit 2019, sipas një raporti të publikuar në vitin 2021 nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin.
Studiuesit zbuluan se rreth 8% deri në 10% e emetimeve globale të gazeve serë shkaktohen nga produktet ushqimore që nuk konsumohen.
- E vërtetë apo e gabuar: Rreth 80% e ujërave të zeza në botë futen përsëri në ekosistem pa u trajtuar ose pa u ripërdorur.
E vërtetë: Sipas Kombeve të Bashkuara, 80% e ujërave të zeza në botë futen përsëri në ekosistem pa u trajtuar ose pa u ripërdorur, dhe afërsisht 44% e ujërave të zeza të familjeve në të gjithë botën nuk trajtohen në mënyrë të sigurt.
Për shkak të kësaj, rreth 1.8 miliardë njerëz në botë përdorin një burim uji të pijshëm që është potencialisht i kontaminuar me fekale. Ata që konsumojnë ujë të patrajtuar janë të rrezikuar për t’u prekur nga sëmundje të tilla, si: kolera, dizenteria, tifoja dhe poliomieliti.
- E vërtetë apo e gabuar: Secila prej katër dekadave të fundit ka qenë më e nxehtë se çdo dekadë paraardhëse.
E vërtetë: Sipas Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike, katër dekadat e fundit kanë qenë secila më e ngrohtë se çdo dekadë e mëparshme që nga viti 1850.
Shkencëtarët arritën në përfundimin se gazrat serë të prodhuar nga aktiviteti i njeriut janë shkaku që ka sjellë këtë ngrohje prej përafërsisht 1.1 gradë Celsius midis viteve 1850-1900.
- E vërtetë apo e gabuar: Emetimet e dioksidit të karbonit në vitin 2020 arritën nivelin më të lartë të përqendrimit në sipërfaqen e planetit në të paktën 800,000 vitet e fundit.
E vërtetë: Pavarësisht reduktimit prej 6% deri në 7% të emetimeve të dioksidit të karbonit si rezultat i izolimeve që erdhën nga pandemia e COVID-19, emetimet e dioksidit të karbonit në vitin 2020 arritën nivelin më të lartë të përqendrimit në sipërfaqen e planetit në të paktën 800,000 vitet e fundit, sipas raportit vjetor numër 31 të Gjendjes së Klimës, të publikuar nga Shoqëria Amerikane Meteorologjike.
- E vërtetë apo e gabuar: Rreth 50% e energjisë së një lavatriçeje shkon për ngrohjen e ujit.
E gabuar: Gati 90% e energjisë së një lavatriçeje shkon për ngrohjen e ujit, sipas Institutit Amerikan të Pastrimit. Familjet që fillojnë t’i lajnë rrobat me ujë të ftohtë mund të eliminojnë rreth 1,600 paund dioksid karboni në vit, sipas këtij instituti.
- E vërtetë apo e gabuar: Pesha e prodhimit vjetor të mbetjeve plastike në të gjithë globin është pothuajse e barabartë me peshën të gjithë njerëzve në botë.
E vërtetë: Sipas Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin, njerëzit prodhojnë çdo vit rreth 400 milionë tonë mbeturina plastike, një shifër kjo pothuajse e barabartë me peshën e gjithë njerëzve në botë.
Organizata raporton se sasia e mbetjeve plastike të gjeneruara në fillim të viteve 2000 u rrit më shumë në një dekadë të vetme sesa në 40 vitet e mëparshme të marra së bashku. Në të gjithë botën blihen çdo minutë 1 milion shishe plastike, ndërsa gjysma e të gjithë plastikës së prodhuar është projektuar për një përdorim të vetëm.
- E vërtetë apo e gabuar: Në Shtetet e Bashkuara u ricikluan në total 15 milionë tonë plehra gjatë vitit 2018.
E gabuar: Rreth 94 milionë tonë e mbetjeve të ngurta bashkiake u ricikluan në Shtetet e Bashkuara gjatë vitit 2018, sipas të dhënave më të fundit për menaxhimin e materialeve nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Mbrojtjen e Mjedisit, të publikuara në vitin 2020.
Agjencia zbuloi se sasia e mbetjeve të ricikluara në vitin 2018 kurseu më shumë se 193 tonë metrikë ekuivalent të dioksidit të karbonit, një shifër e krahasueshme me emetimet që mund të reduktohen nga heqja e afro 42 milionë makinave nga përdorimi përgjatë një viti.
- E vërtetë apo e gabuar: Shtatë vitet më të ngrohta për oqeanin kanë qenë shtatë vitet e fundit.
E vërtetë: Sipas Administratës Kombëtare të Oqeanit dhe Atmosferës, shtatë nivelet më të larta të nxehtësisë së oqeanit janë regjistruar midis viteve 2015 dhe 2021. Nivelet rekord të nxehtësisë u identifikuan në vitin 2021 në Oqeanin Atlantik të Veriut, në Oqeanin Paqësor të Veriut dhe në Detin Mesdhe./ CBS News