Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës, i njohur si Trusti, sot në orën 15:00 do të hapë mundësinë për aplikim për tërheqjen e 10 përqindëshit. Aplikimi do të bëhet në faqen www.trusti10.org, dhe do të jetë i hapur për katër muajt e ardhshëm. Numri i kontribut-dhënësve në Trust është 639.264. Mbi 10 mijë kontribut-dhënës kanë nga 100 euro kursime
Sot, në orën 15:00 hapet sistemi për aplikimin online për tërheqjen e 10 përqindëshit nga Fondi i Kursimeve Pensionale dhe aplikimi bëhet përmes faqes Trusti10.org. Dtë më parë, pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, Kryeministri Avdullah Hoti takoi përfaqësuesit e Trustit dhe Bankës Qendrore të Kosovës për të diskutuar rreth zbatimit të këtij Ligji.
“E falënderoj Trustin dhe BQK-në për kryerjen e të gjitha procedurave në mënyrë që qytetarët shumë shpejt të fillojnë procedurën e aplikimit për tërheqjen e këtyre fondeve. Nga informatat që morëm është hapur edhe ueb-faqja. Të gjitha përgatitjet janë bërë, të premten në orën 15:00 hapet sistemi për të aplikuar për tërheqjen e mjeteve”, tha kreu i ekzekutivit.
Në anën tjetër, zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore, Sokol Havolli, tha se aplikimi për Fondin e Kursimeve është i lehtë.
“Aplikimi do të jetë shumë i thjeshtë. Në momentin e aplikimit, numri personal dhe xhirollogaria duhet të jenë të sakta”, tha Havolli. Aplikimi mund të bëhet nga sot duke klikuar në këtë link. Në udhëzim, thuhet se për aplikim duhet të shënohet numri personal dhe ai i llogarisë bankare
“Nuk mund të aplikohet me numër të llogarisë bankare të familjarit apo kujtdo tjetër dhe as llogari të biznesit. Nuk mund të aplikohet me llogari të bankës jashtë Kosovës”, njofton Trusti.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 72 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, të premten e kaluar votuan në lexim të dytë Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike. Pas miratimit, Ligji u dekretua nga Zyra e Presidencës dhe hyri në fuqi pas publikimit në Gazetën Zyrtare. Qeveria e Kosovës, me ndryshimin e Ligjit për Fondet Pensionale, parasheh kompensimin e mjeteve të tërhequra në vlerë nën 10 mijë euro.
Nenit 7 të këtij Ligji i shtohet paragrafi “Përjashtimisht, me qëllim të rimëkëmbjes ekonomike, pjesëmarrësit mund t’i tërheqin dhjete për qind (10%) të kursimeve të tyre pensionale në FKPK, në përputhje me nenin 12A të këtij Ligji.
Mjetet e tërhequra nga pjesëmarrësit sipas këtij neni, e të cilët kanë kursime deri në nëntë mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntë euro (9,999.00 euro) kompensohen në formë rimburësimi, duke filluar nga viti 2023, sipas formulës dhe metodologjisë se rimburësimit që vendoset me vendim te Qeverisë së Republikës së Kosovës, në konsultim me Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës, brenda afatit prej gjashte (6) muajsh nga dita e hyrjes në fuqi të këtij Ligji”.
Sipas këtij ndryshimi, pjesëmarrësit aplikojnë në formë elektronike pranë FKPK-së brenda katër muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij Ligji.
“Pagesa e mjeteve të aprovuara bëhet në bazë të numrit, çmimit dhe vlerës se njësive që ka çdo aplikant në Llogarinë e tij personale në FKPK në ditën e aplikimit, përfshirë këtu ndryshimet eventuale në çmimin e njësisë deri në datën e pagesës. Mjetet e tërhequra sipas këtij neni, janë të përjashtuara nga Tatimi në të Ardhurat Personale”, thuhet në Ligj. Fondi Pensional i Kosovës kohë më parë kishte publikuar të dhënat sesa është vlera që qytetarët i kanë në llogaritë e tyre.
Sipas Trustit, rreth 213 mijë kontribut pagues kanë deri në 1,000 euro në llogaritë e tyre, apo 33 për qind e tyre. Po ashtu, deri 5,000 euro kanë 30 për qind e kontributpaguesve, apo rreth 195 mijë qytetarë. Deri në 100 euro në llogaritë e tyre në Trust i kanë 105 mijë qytetarë. Nga numri total i kontribuueseve në Trust, 12% e tyre kanë deri 10 mijë euro.
Deri në 20 mijë euro në llogari kanë mbi 40 mijë qytetarë ose 6%, kurse mbi këtë vlerë janë rreth 13 mijë qytetarë apo vetëm 2% e kontribuueseve. Pra, vetëm 8% e kontribuuesve kanë mbi 10 mijë euro në llogaritë e tyre. Aktualisht sipas Trustit, numri i përgjithshëm i kontribuueseve është 639,264.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
qlirimkrasniqi@live
A mundem te aplikoj per terheqje
Ju lutem si behet aplikimi