Sektori bankar zgjeroi më tej fitimin sipas standardeve lokale të raportimit në muajin tetor, por rezultati financiar i këtij viti ngelet në nivelet ndjeshëm më të ulëta krahasuar me vitin e kaluar.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, fitimi neto i sektorit bankar në fund të 10-mujorit arriti në 14.25 miliardë lekë, në rritje me 1.46 miliardë Lekë krahasuar me fundin e 9-mujorit. Megjithatë, rezultati i 10-mujorit ngelet ndjeshëm më i ulët, me 19.8% më pak, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kthimi nga kapitali, mesatarizuar me bazë vjetore, në fund të tetorit arriti në 9.35%, nivel ndjeshëm më i ulët krahasuar me gushtin e vitit të kaluar, kur shënonte nivelin 12.76%.
Ndërkohë, kthimi nga aktivet për 10-mujorin rezultoi 1.04%, në nivel më të ulët në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur shënonte nivelin 1.3%.
Ky rezultat bazohet në standardet lokale të raportimit, që aplikohen nga Banka e Shqipërisë për qëllime të mbikëqyrjes bankare dhe mund të ketë ndryshime të ndjeshme krahasuar me rezultatet sipas Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar, që përfaqësojnë edhe standardin ligjor.
Kështu, deri në fund të 9-mujorit, fitimi i sektorit bankar sipas IFRS-ve (rezultate të paaudituara) kishte vlerën e 19.1 miliardë lekëve, ndërsa sipas standardit të Bankës së Shqipërisë fitimi ishte dukshëm më i ulët, me 12.8 miliardë lekë.
Standardet e Bankës së Shqipërisë janë në përgjithësi më konservatore, sidomos në përllogaritjen e provigjioneve për kreditë me probleme dhe në rezultatin nga instrumentet financiare.
Pavarësisht inflacionit të lartë, raporti i kredive me probleme po vijon rënien dhe në tetor zbriti në 5%, duke prekur nivelin më të ulët të 14 viteve të fundit.
Deri tani, cilësia e portofolit të kredisë nuk ka pasur një ndikim shumë të madh në rezultatin financiar, por megjithatë, në tremujorin e tretë statistikat e bankës qendrore treguan një rritje të provigjioneve për humbjet nga kreditë, duke reflektuar një qasje më të kujdesshme ndaj bankave përballë efekteve të pritshme të situatës makroekonomike.
Luhatjet në treguesit e performancës janë ndikuar kryesisht nga rritja e normave të interesit dhe yield-eve të instrumenteve financiare. Rritja e yield-eve ka sjellë rënie në vlerën e drejtë të instrumenteve financiare në portofolat e sektorit bankar.
Të paktën në raportimin sipas standardeve lokale, kjo është reflektuar në përkeqësimin e rezultatit nga instrumentet financiare, duke bërë që fitimet e sektorit të jenë ndjeshëm më të ulëta krahasuar me vitin e kaluar. Megjithatë, edhe rezultatet sipas standardit IFRS mund të pësojnë një korrektim në ulje në mbylljen e bilanceve vjetore.
Pritet që bankat të faktorizojnë në modelet e tyre të provigjionimit keqësimin e pritshëm të parametrave ekonomikë gjatë 2023, që në teori do të sjellë një rritje të pritshmërive për humbje nga kreditë dhe rritje të shpenzimeve për provigjione./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.