Financat kanë arritur të përmirësojnë rendimentin e mbledhjes së të ardhurave në tetor të këtij viti, megjithëse trendi rënës vjetor vazhdon të jetë i pranishëm.
Të ardhurat në buxhet arritën në 265 miliardë lekë për periudhën janar-tetor 2013, duke qenë 2.7% (rreth 7.4 miliardë lekë) më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Gjithsesi, ritmet e rënies janë ngadalësuar, teksa për periudhën janar-shtator 2013, tkurrja me bazë vjetore ishte 4%.
Shifrat bëhen të ditura në tabelat fiskale të periudhës janar-tetor, të publikuara nga Ministria e Financave.
Vetëm në tetor, periudhë kur qeveria e re e mori tërësisht në dorë situatën, të ardhurat në buxhet ishin gati 30 miliardë lekë, me një rritje prej 6.4% në raport me të njëjtin muaj të një viti më parë.
Për 10-mujorin, të ardhurat nga tatimet e doganat ishin 183 miliardë lekë, me një rënie prej 5% apo 9.6 miliardë lekë në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. (për 9-mujorin këto shifra ishin përkatësisht 6.5%, apo 11.2 miliardë lekë). Pas rishikimit të buxhetit, i cili kishte vendosur një planifikim më konservativ, të ardhurat për 10-mujorin rezultojë rreth 1.7 miliardë lekë më shumë se plani.
TVSH-ja vijon të jetë zëri që në vlerë absolute ka rendimentin më negativ në mbledhjen e të ardhurave buxhetore, duke ndikuar në gati 76% të rënies. Sipas të dhënave nga financat, të ardhurat nga TVSH ishin rreth 90 miliardë lekë në fund të 10-mujorit, duke u tkurrur me 7.6%, apo 7.3 miliardë lekë në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Duket se nuk ka pasur përmirësim të ndjeshëm në mbledhjen e këtij zëri, që sjell të ardhurat kryesore në buxhet, teksa për 9- mujorin, shifrat përkatëse ishin 8.4%, apo 7.2 miliardë lekë më pak me bazë vjetore.
Përmirësim ka pasur në mbledhjen e akcizës, e cila arriti në rreth 29.6 miliardë lekë, me një rënie prej 3.5% apo 15 miliardë lekë, në raport me periudhën janar-tetor 2012. (ndryshimet përkatëse për 9- mujorin ishin minus 8.9% apo 2.5 miliardë lekë).
Edhe tatim fitimi zbriti me 1.4 miliardë lekë, apo 6.3%, në 12.5 miliardë lekë.
Me ecuri pozitive ishin të ardhurat personale, që u rritën me 6.8% (1.4 mld lekë) në 24 miliardë lekë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.