Gjysma e kontributpaguesve mund të tërheqin vetëm 31 euro nga Fondi Pensional i Kursimeve në Kosovë. Megjithatë qytetarët ende po presin që Kuvendi i Kosovës të miratojë Pakon e Rimëkëmbjes dhe të tërheqin 10 përqindëshin nga trusti pensional.
Analisti i politikave në Institutin për Studime të Avancuara GAP, Agron Demi ka thënë se gjysma e kontributpaguesve pensional mesatarisht mund të tërheqin nga Trusti vetëm 31 euro.
Demi ka thënë se me siguri gjysmën e kësaj shume do ta marrë banka për mirëmbajtje.
“Derisa hanë e pinë ministrat e deputetët, e deri sa i kanë kryer pushimet në det, me mijëra qytetarë janë në ankth se kur do ti marrin 170 euro e kur do kenë mundësi me i tërheq 31 euro prej Trustit. Sjellja e politikanëve ndaj qytetarëve është sjellje prej sadistësh”, ka shkruar Demi në Facebook.
Ai tutje ka bërë me dije se mesatarisht në ditë shpenzon një zëvendëskryeministër vetëm për dreka zyrtare.
“Në anën tjetër, 42.5 euro mesatarisht në dit shpenzon një zëvendëskryeministër vetëm për dreka zyrtare. E 11.748 euro ka kushtu vetëm një biletë aeroplani. E ka plot punëtorë që ende nuk e kanë marr 170 euro ndihmën e premtuar nga Pakoja “Emergjente””.
Demi ka thënë se sjellja e politikanëve ndaj qytetarëve është sjellje prej sadistësh.
“Para disa ditësh deri sa po i preja flokët, e pyeta pronarin e lokalit nëse ka përfitu nga Pakoja për pagesën e qerasë së lokalit. “Shyqyr që nuk mbaj shpresa në shtet, se isha tranu” – tha. E po që ka plotë të tillë që shpresat i kanë bazu të shteti, e dojnë me u tranu nga papërgjegjshmëria e grykësve”.
E gjatë ditës së djeshme për shkak të mungesës së kuorumit, Kuvendi i Kosovës nuk arriti të votojë Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike COVID-19.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani tha se kjo pikë do të shtyhet për seancën e ardhshme plenare.
Votimi i këtij projektligji do t’iu mundësonte qytetarëve kontributpagues të tërheqin 10 për qind të mjeteve nga llogaria e tyre në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës.
Deri më tani, vlera e mjeteve në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës ka arritur në mbi 2 miliardë euro me rreth 690 mijë kontributpagues.
Kjo i bie se vlera e përgjithshme që do të mund të tërhiqej nga Fondi është rreth 200 milionë euro, mjete këto, që sipas zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, janë konsideruar se do të stimulonin kërkesën agregate në treg.
Projektligji për rimëkëmbje ekonomike, që më 22 korrik u miratua në Qeverinë e Kosovës, kap vlerën prej 385 milionë eurove. Ky projektligj synon që përmes politikave fiskale dhe monetare, t’iu ndihmojë bizneseve pas humbjeve të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit.
Kosova deri më tani ka zbatuar Pakon emergjente fiskale, në vlerë të rreth 180 milionë eurove. Kjo pako, e cila kishte për qëllim të zbuste problemet ekonomike dhe sociale, ishte miratuar në muajin mars, pas konfirmimit të rasteve të para me koronavirus, nga qeveria e udhëhequr nga ish -kryeministri Albin Kurti.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.