Cilët janë pronarët më të pasur të klubeve të futbollit në botë?
Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje “Il Sole 24 Ore” ka bërë klasifikimin e 10 pronarëve më të pasur të klubeve të futbollit, duke u mbështetur te të dhënat e revistës së specializuar “Forbes”.
10° Nasser Al Khelaifi (PSG), 6,2 miliardë
I pari në listë është presidenti Nasser Al Khelaifi, për të cilin “Mirror” shkruan se pasuria e tij personale shkon në 6,2 miliardë dollarë. Por pas krahëve të tij qëndron Qatar Investment Authority (Autoriteti i Investimeve të Katarit) i emirit Tamim bin Hamad al Thani, pronar i klubit Paris Saint-Germain, që sipas Forbes, pasuria e tij shkon më shumë se 500 miliardë dollarë.
9° Zhang Jindong (Inter)/ Dmitry Rybolovlev (Monaco), 6,8 miliardë
Në vendin e nëntë qëndrojnë Zhang Jindong (Inter)/ Dmitry Rybolovlev (Monaco), në shifra të barabarta. Zhang Jindongn është themelues dhe president i Suning Commerce Group, i cili ka krijuar një kompani me seli në Nanchino, që numëron më shumë se 10 milionë produkte në shitje nëpërmjet platformës e-commerce dhe një rrjet prej 4 mijë dyqanesh në Kinë. Në qershor të 2016-s, Zhang Jindong bleu 70% të Inter për 300 milionë dollarë.
Nga ana tjetër, Rybolovlev ka hyrë në botën e biznesit së bashku me të atin shkencëtar, në vitin 1990, pasi studioi për mjekësi në Perm Medical Institute. Pasuria e tij vjen nga Uralkali, prodhuesi më i madh rus i plehrave të kaliumit. Pasuria e Rybolovlev dhe Zhang është 6,8 miliardë dollarë.
8° Stanley Kroenke (Arsenal), 8,8 miliardë
Stan Kroenke është një manjat në sektorin e pasurive të patundshme dhe atë sportiv. Perandoria e tij përfshin edhe Denver Nuggets në NBA; Colorado Avalanche në NHL, si dhe klubin anglez të futbollit, Arsenal, tek i cili Kroenke u bë pronari i vetëm në gusht të 2018-s pasi bleu aksionet në pakicë të Alisher Usmanov. Vlera e klubit është rreth 2,3 miliardë dollarë.
7° Philip Anschutz (L.A. Galaxy), 11 miliardë
Philip Anschutz është aktiv në sektorin e naftës, hekurudhave, telekomunikacioneve, sektorin e pasurive të patundshme dhe argëtimit. Ai zotëron King në NHL, një të tretën e Los Angeles Lakers në NBA dhe impiantin që lidhet me të, Staples Center. Ai është pronar i L. A. Galaxy që në vitin e krijimit të tij në 1994, duke bërë pjesë të klubit lojtarë të kalibrit si Gerrard, Keane, Ashley dhe Zlatan Ibrahimovic.
6° Roman Abramovich (Chelsea), 12,4 miliardë
Roman Abramovich zotëron klubin anglez të Chelsea. Nën drejtimin e tij, klubi londinez ka fituar 5 tituj të Premier League, 4 FA Cup, një Champions League dhe një Europa League. Aktiv në sektorin e naftës, gazit dhe metaleve, Abramovich e ka fituar pjesën më të madhe të pasurisë së tij kur shiti 73% aksioneve të Sibneft te Gazprom në vitin 2005 (2 miliardë dollarë u shpenzuan “vetëm” për të forcuar skuadrën me lojtarë si Torres, Drogba, Lampard dhe Terry.)
5° Andrea Agnelli (Juventus), 15,9 miliardë
Andrea Agnelli është drejtues i Exor dhe që prej vitit 2010, president i Juventus. Shifra që lidhet me pasurinë e tij i referohet market cap të shoqërisë që administrohet prej tij, që përveç Juventus, vepron ndërmjet Gruppo Giat, Gruppo Fiat Industrial, Gruppo C & W, Gruppo Alpitour dhe Sistema Holdings. Agnelli është edhe president i ECA, shoqata e klubeve europiane, e cila sot është në qendër të diskutimeve rreth së ardhmes së kampionateve europiane.
4° Dietrich Mateschitz (New York RedBull), 18,9 miliardë
Miliarderi Dietrich Mateschitz është pronar i New York Red Bulls, RB Leipzig, Red Bull Salzburg dhe Red Bull Brasil (e krijuar në vitin 2007, sot militon në divizionin e dytë brazilian). Pasuria e tij vjen për shkak të pijes së famshme energjike, e shpikur në vitin 1987 së bashku me biznesmenin tajlandez Chaleo Yoovidhya (i cili ka vdekur në vitin 2012).
3° Mansour bin Zayd Al Nahyan (Manchester City), 23 miliardë
Mansour bin Zayd Al Nahyan e bleu klubin anglez të Manchester City në vitin 2008 për 250 milionë paund dhe deri më sot ka investuar në treg më shumë se 1,5 miliardë euro.
2° François Pinault (Rennes), 31,7 miliardë
Pronari i klubit francez Rennes – i cili kohët e fundit ka kontribuar në financimin për rindërtimin e Katedrales Notre – Dame – drejton Kering, grup i krijuar në vitin 1963, që përfshin marka luksoze si Yves Saint Laurent, Alexander McQueen dhe Gucci. Pasuria e tij është rritur në mënyrë të ndjeshme veçanërisht në vitet e fundit. Ai nisi të investojë te klubi në vitin 1998, duke synuar gjetjen e të rinjve të talentuar dhe duke ndërtuar një qendër stërvitjeje që përfundoi në vitin 2000.
1° Carlos Slim (Real Oviedo), 59,2 miliardë
Sipas revistës Forbes, me një pasuri prej 59,2 miliardë dollarësh, është njeriu i pestë më i pasur në botë. Së bashku me familjen e tij, ai drejton America Movil, kompania më e madhe e telekomunikacioneve në Amerikën Latine. Historia e tij me klubin spanjoll Real Oviedo daton në nëntor të vitit 2012, kur Slim – si me shaka – shpëtoi klubin duke derdhur në arkat e tij 2 milionë euro. Në të njëjtën kohë, emëroi Joaquin Del Olmo si drejtor sportiv dhe që prej atëherë kthehet çdo gjashtë muaj në Asturia për të kontrolluar ecurinë e klubit.