Champagne Thienot Brut
Si mund të mungojë një Champagne në tavolinat e fundvitit?!
E di, jo të gjithë mund t’ia lejojnë vetes por nëse keni vendosur që ky fundvit të jetë i veçantë, atëherë kjo Champagne është zgjedhja ideale për të bërë gëzuar.
Ka një aromë të pjekur, të majasë, kores së bukës, kripshmëri, me bulëza që nuk mbarojnë së marrë frymë dhe në shije e freskët, e mprehtë, por njëkohësisht e butë dhe e ekuilibruar. Çmimi i shitjes me pakicë është 7000 lekë.
Gewurztraminer 2015 Hugel
Varietet aromatik shumë i pëlqyer nga femrat por jo vetëm, ideal për të shoqëruar gatime aziatike pikante dhe me ndjesi ëmbëlsie. I prodhuar nga Hugel, nga më të njohurit e rajonit të Alsasës, Francë, Gewurztraminer shpreh plotësisht karakteristikat e tij të aromave të ëmbla, të mjaltit, frutës së shkretëtirës, në shije i butë dhe plot aromë, gëzon një freski që vetëm territore të ftohta si Alsasa mund të japin. Kush do të guxojë me menunë e vitit të ri duke bërë gatime orientale, le ta provojë. Çmimi për këtë etiketë në vinoteka është 2700 lekë.
Cabernet Sauvignon 2015 Terrazas de Lo Andes
Argjentina më shoqëron vitet e fundit dhe verërat e saj më habisin për cilësinë e lartë që kanë. Ky Cabernet Sauvignon është dëshmitari që nga ana tjetër e Atlantikut, prodhimi i verës po njeh zhvillim, veçanërisht në 30 vitet e fundit kanë bërë revolucion. Kjo verë është e pjekur, joshëse, e ngrohtë, me frutën eksplozive edhe në shije ndryshe nga binjakët europianë. Kjo do gjel!
Çmimi i shitjes me pakicë në vinoteka i kësaj etikete është 4000 lekë.
Bricco dell’Uccellone 2015 Braida
Kush nuk mendon se Barbera si varietet bën verëra të thjeshta të provojë këtë. Një verë serioze, e përqendruar, e mrekullueshme, e tymosur, unike!
E prodhuar nga Braida, mbreti i Barberes në Piemonte të Italisë i cili besoi te potenciali i këtij varieteti dhe tregoi se mund të bëhen verëra të jashtëzakonshme. Vini mënjanë ca para dhe provojeni. Çmimi i shitjes me pakicë, 10,000 lekë.
Brunello di Montalcino 2009 Poggio di Sotto
Ja një verë aq sa e famshme, por aq dhe e panjohur për cilësinë e saj në Shqipëri. Ky Brunello është simbolizimi i stilit tradicional i të prodhuarit Brunello dhe është një nga të paktët që arrijnë një nivel cilësor dhe aftësi vjetrimi me dekada. Vjetrohet për 4 vjet në fuçi lisi të mëdha dhe një vit tjetër në shishe. Është elegante, me tanicitet dhe freski të lartë, aroma fine dhe e pafund në shije. Kjo kërkon tavolina qejflinjsh dhe vëmendje. Çmimi i pakicës për këtë verë është 20,000-22,000 lekë.
Taurasi 2009 Terredora
Aglianico është një nga varietetet më fisnike të jugut të Italisë dhe jo shumë i njohur nga ne. Me aftësi vjetrimi dhe kënaqësi në shije shumë të mirë, kjo verë nga zona e Campania-s merr emrin nga fshati Taurasi dhe është e prodhuar nga një prej familjeve më në zë të zonës. Vjetrimi 24 muaj në fuçi lisi dhe 36 muaj në shishe përpara se të dalë në treg tregon se sa kohë do ky varietet për t’u “zbutur”. Çmimi i shitjes me pakicë 4000 lekë.
Sassicaia 2015 Tenuta San Guido
Një nga mitet italiane, vera që krijoi Bolgheri-n! Cabernet Sauvignon dhe Cabernet Franc për një nga verërat që ka sfiduar francezët dhe ka joshur amerikanët. E saposhpallur një nga verërat më të mira në botë, kjo është një verë ikonë që vetëm duke e shijuar mund të kuptojmë cilësinë e saj, karakterin e fortë dhe njëkohësisht butësinë.
Merr emrin nga një kodër plot guriçka që në vitet ’40. Falë intuitës së themeluesit të saj, Markezit Mario Incisa Della Rocchetta u mbollën këto varietete deri atëherë të panjohura në zonë. Verë për ushqim të rafinuar dhe gourmet. Çmimi i shitjes me pakicë, 20-22 mijë lekë.
Barolo 2012 “Gavarini Chiniera” Elio Grasso
Nebbiolo është një nga varietetet më fisnike italiane dhe baza e kësaj vere. Kjo kantinë është nga më cilësoret e zonës dhe ky Barolo mban një stil tradicional me një vjetrim të gjatë në fuçi lisi Slavonia. Me aromat e fruta të kuqe, të marmelatës, nota balsamike dhe minerale. Verë për t’u pritur, por nëse e hapim kërkon pjata të përpunuara dhe me yndyrë sepse taninet e shumta duan të rrëshqasin mirë në shije! Çmimi i shitjes me pakicë është 10 mijë lekë.
Amarone della Valpolicella 2011 Tenuta Chiccheri
Një kantinë e vogël, një importues shqiptar i vogël, një verë e madhe! Kjo Amarone që gjendet me vështirësi në treg, por të pasionuarit duhet të lodhen pak. Verë për tavolina të rëndësishme dhe për ushqime të rënda. E plotë, me frutë të pjekur të shurupuar, e lartë në alkool por që nuk ndihet, e pafund në shije. Cilësore dhe e bërë pasion nuk mund të mungojë në tavolinën e fundvitit. Çmimi i shitjes me pakicë, 5500-6000 lekë.
Primitivo Gioia del Colle 2012 “Vigneto Montevella” Polvanera
Nuk mund të mungonte Primitivo në këtë klasifikim, por që të bëhet interesante duhet një Primitivo ndryshe! Dhe ky është! Jemi përpara një Primitivo nga një zonë e freskët, mbi 400 metra mbi nivelin e detit në një terren guror dhe të gjitha këto japin elegancë, aroma të freskëta dhe finese. Zakonisht kërkojmë forcën dhe ëmbëlsinë te ky varietet, por ky prodhues, përveç elegancës ka zgjedhur dhe të mos ta vjetrojë në dru dhe kjo ndihmon në ruajtjen e karakterit fillestar. 16,5% alkool, por nuk ndihet.
Ka Primitivo dhe Primitivo! Çmimi i shitjes me pakicë, 4500 lekë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.