Kur bëhet fjalë për sistemin më të gjatë të shkallëve lëvizëse në botë, vendi i parë shkon për shkallët lëvizëse Central Mid-Level në Hong Kong, një sistem me një lartësi prej rreth 135 metrash dhe një distancë prej më shumë se 800 metrash.
Megjithëse shkallët më të gjata lëvizëse të pandërprera janë pak më të vogla se kaq, madhësia e tyre mbetet mbresëlënëse. Dhe ky përcaktim nuk i drejtohet vetëm një shkalle lëvizëse, por tre të tillave. Ato janë nga 138 metra të gjata, 70 metra të larta dhe janë vendosur në stacione të veçanta të metrosë në Shën Petersburg, Rusi: Ploshchad Lenina, Chernyshevskaya dhe Admiralteyskaya.
Lista e shkallëve lëvizëse më të gjata në botë, e përpiluar në blogun Panethos, përmban edhe disa shkallë të tjera që gjenden në stacione të tjera metroje në mbarë botën.
Në fakt, vetëm një nga 10 shkallët lëvizëse më të gjata në botë nuk ndodhet në një stacion hekurudhor – dhe kjo nuk është arsyeja e vetme pse kjo shkallë lëvizëse dallon nga të tjerat.
Në Trondheim të Norvegjisë ndodhet një shkallë lëvizëse për biçikleta, e njohur si Trampe, e cila transporton çiklistët në kodrën e pjerrët Brubakken.
Ju duhet të mbani këmbën tuaj të majtë në pedalin e majtë të biçikletës dhe të vendosni këmbën e djathtë në një pllakë të posaҫme që ndodhet në një rampë të ngushtë buzë bordurës. Teksa kjo pllakë lëviz për lart në rampin 130 metra të gjatë, ju ngjiteni bashkë me të.
Nëse do të kishte një çmim për ndërtimin e shkallëve lëvizëse më masive, Rusia padyshim që do ta fitonte atë. Përveç tre shkallëve lëvizëse që renditen të parat, Rusia zuri gjithashtu vendin e gjashtë për shkallët lëvizëse të stacionit të metrosë Park Pobedy të Moskës, me një gjatësi prej 127 metrash dhe lartësi prej 63 metrash. Ukraina, Turqia, Gjeorgjia, Kina dhe Azerbajxhani u renditën gjithashtu në listën e 10 shkallëve lëzisëse më të gjata në botë.
1. (Barazim) Stacioni i metrosë Ploshchad Lenina // Shën Petersburg, Rusi (138 metra)
2. (Barazim) Stacioni i metrosë Chernyshevskaya // Shën Petersburg, Rusi (138 metra)
3. (Barazim) Stacioni i metrosë Admiralteyskaya // Shën Petersburg, Rusi (138 metra)
4. Stacioni i metrosë Kreschatik // Kiev, Ukrainë (132 metra)
5. Trampe // Trondheim, Norvegji (130 metra)
6. Stacioni i metrosë Park Pobedy // Moskë, Rusi (127 metra)
7. Stacioni i metrosë Sirkeci // Stamboll, Turqi (~ 122 metra)
8. Stacioni i metrosë Rustaveli // Tbilisi, Gjeorgji (120 metra)
9. Shkalla lëvizëse Huangguan // Chongqing, Kinë (112 metra)
10. Stacioni i metrosë Khatai // Baku, Azerbajxhan (100 metra) / Mental Flos