Nëse dëshironi të zhvilloni aftësi të reja apo të rrethoheni nga bashkëpunëtorë frymëzues e ambiciozë, duhet t’i hidhni sytë nga Europa. Një studim i ri nga IMD Business School tregon se vendet e Europës bëjnë një punë më të mirë në tërheqjen dhe zhvillimin e punonjësve të talentuar më shumë se çdo vend tjetër i botës.
Për të pestin vit me radhë, Zvicra është në krye të renditjes së World Talent Ranking, falë investimeve të mëdha në edukimin dhe formimin, si dhe tërheqjen e punonjësve ndërkombëtarë. Ajo ndiqet nga Danimarka, Norvegjia, Austria dhe Holanda.
Kanadaja, në vend të gjashtë, ishte i vetmi vend jo europian në dhjetë vendet më të mira të World Talent Ranking. Ajo ndiqet nga Finlanda, Suedia, Luksemburgu dhe Gjermania.
SHBA (12), Australia (14) dhe Britania e Madhe (23) nuk bëjnë pjesë në Top 10 të renditjes që klasifikoi 63 vende në bazë të aftësisë së tyre për zhvillimin, tërheqjen dhe mbajtjen e punonjësve më të talentuar. Singapori (13) është vendi më i mirë aziatik për punonjësit e talentuar, para Hong Kongut (18). Kina (39), Indonezia (45) dhe India (53) ishin ndër vendet e tjera aziatike në këtë renditje.
Raporti, i cili është rezultat i kombinimit të kërkimeve me drejtues të kompanive dhe të dhënave të jashtme, mori në analizë tre faktorë: investimet dhe zhvillimin e sistemit arsimor kombëtar; tërheqjen e punonjësve të huaj (cilësia e jetës, taksat dhe kosto e jetesës) dhe aftësinë për të krijuar mundësi të reja pune dhe trajnimin e punonjësve.
Arturo Bris, drejtues i IMD World Competitiveness Center, thotë për CNBC Make it që rezultatet reflektojnë investimet e vazhdueshme në Europë në programet e arsimit dhe trajnimit.
“Vendet europiane dominojnë në mënyrë të vazhdueshme, – thotë Bris. – 10 vendet më të mira përfitojnë nga trashëgimia e sistemeve të mira të arsimimit dhe aftësia për të zhvilluar punonjësit”, vijon Bris. Kjo është veçanërisht e vërtetë për Zvicrën, e cila ka zhvilluar “një qasje praktike dhe ekonomike” në përshtatjen e arsimit me vendet e punës në industrinë prodhuese, kërkimit dhe zhvillimit, si dhe teknologjitë e nevojshme për industritë kryesore të vendit”, thotë Bris.
Shtetet e Bashkuara, që janë klasifikuar si vendi më konkurrues në botë – në një studim tjetër të IMD, mbeten pas në investime dhe në efikasitetin e sistemit arsimor.
Bris theksoi se ndërkohë vende si Kili, Lituania, Tajlanda dhe Vietnami – janë duke investuar në përshtatjen e sistemit të tyre të arsimit me fushat e reja.
*Karen Gilchrist
Burimi: CNBC Market