Kosova sot ka mbushur 10 vjet prej kur ka filluar negociatat me BE-në për liberalizimin e vizave. Ndryshe, qytetarët e vendeve të rajonit tash e 11 vjet lëvizin lirshëm pa viza brenda zonës shengen. Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë liberalizim vizash nga viti 2009, ndërkaq Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovina nga viti 2010.
Janë mbushur 10 vjet që kur Kosova ka nisur negociatat me Komisionin Evropian për heqjen e vizave.
Sot, ende qytetarët e Kosovës nuk mund të lëvizin lirshëm në Evropë pavarësisht se shteti i ka përmbushur kriteret për liberalizim e se ky komision ka përkrahur një gjë të tillë.
Para një dekade më 19 janar 2012 Komisionerja Evropiane për Punët e Brendshme, Cecilia Malmstrom kishte qëndruar në Kosovë për të prezantuar dialogun për liberalizimin e vizave dhe ishte takuar me ish-kryeministrin Hashim Thaçi dhe ish-ministren për Integrim Evropian, Vlora Çitaku.
Në qershor të vitit 2012, Komisioni Evropian i kishte dorëzuar autoriteteve të Kosovës udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave i cili kishte identifikuar masat legjislative dhe institucionale që Kosovë do duhej t’i miratojë dhe zbatojë për të përparuar drejt liberalizimin e vizave.
Më 4 maj 2016, Komisioni Evropian konfirmoi se Kosova ka plotësuar kriteret për liberalizimin e vizave dhe i kishte propozuar Këshillit të BE-së heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.
KE kishte konfirmuar sërish më 18 korrik 2018 se Kosova ka përmbushur edhe dy kërkesat për liberalizim të vizave, konkretisht ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe për arritjet në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
Parlamenti Evropian po ashtu në shtator 2018 kishte votuar me shumicë votash pro liberalizimit të vizave për Kosovën.
Edhe pse dy institucionet e BE-së(Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian) janë në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën, ky regjim është ende në fuqi për kosovarët.
Këshilli i BE-së ende nuk e ka futur në agjendë votimin për liberalizimin e vizave për Kosovën shkaku i mosunitetit të disa vendeve anëtare siç janë Franca e Holanda që janë skeptike për heqjen e vizave për Kosovën.
Kosova mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e së cilës ende nuk e gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën shengen.
Parlamenti Evropian, më mars të këtij viti ka ripërsëritur me shumicë votash mbështetjen në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën.
Vendimi final mbetet te Këshilli i Ministrave. Aty nevojitet shumicë e kualifikuar që të kalojë ky vendim.
Deri tash, votimi për liberalizimin e vizave për Kosovën nuk është prezantuar asnjëherë në takimet e ministrave të BE-së shkaku i skepticizimit të disa shteteve anëtare të BE-së.
Mosliberalizimi i vizave është parë si mospërmbushje e premtimeve të BE-së karshi Kosovës.
Franca dhe Holanda janë përmendur si dy shtete kryesore që kanë dilema për dhënien e dritës së gjelbër për liberalizim të vizave për Kosovën.
Sllovenia është kryesuese e Presidencës së Këshillit të BE-së deri më 31 dhjetor 2021, ndërkaq nga 1 janari 2022 deri më 30 qershor 2022, presidencën do ta udhëheqë Franca.
Ndryshe, qytetarët e vendeve të rajonit tash e 11 vjet lëvizin lirshëm pa viza brenda zonës shengen.
Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë liberalizim vizash nga viti 2009, ndërkaq Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovina nga viti 2010.
Serbia, Mali i Zi e Maqedonia e Veriut kishin arritur ta marrin liberalizimin e vizave nga BE-ja për 2 vjet. Shqipëria e Bosnja e Hercegovina për 3 vjet. BE-ja ia ka liberalizuar vizat edhe shteteve të Evropës Lindore siç janë Ukraina, Moldavia e Gjeorgjia pas 4 vjet negociatash.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.