Një hashtag në Facebook mund të fshehë mbledhjen më të madhe të të dhënave për njohjen e fytyrës
Ata që përdorin rrjetet sociale nuk mund të mos kenë vënë re trendin “#10 year challenge”, vënien e një foto të bërë kohët e fundit përkrah një të10 viteve më parë. Efekti është i bukur, ngjall nostalgji, pasi në një shikim të vetëm ju kuptoni se sa keni ndryshuar.
Janë pak a shumë të gjithë, njerëz të zakonshëm, të famshëm, politikanë, klube sportive, qytete, muze, kompani, shkencëtarë, aktivistë etj.“10 year challenge”lindi në rrjetet sociale si një lojë dhe, në pak ditë, është bërë një fenomen në mbarë botën. Deri kur dikush nisi të dyshojë që pas kësaj mund të jetë mbledhja më e madhe e të dhënave personale. Miliona imazhe për të ushqyer algoritmet për njohjen e fytyrës.
Dyshimi u ngrit nga gazetarja e “Wired”, Kate O’Neill dhe shumë analistë janë të një mendje me të. Kate O’Neill shkruan nëse kjo sfidë e re është edhe një mënyrë për të ushqyer algoritmet me të dhëna të dobishme, për të përmirësuar metodat e njohjes së fytyrës.
Me fjalë të tjera: nëse mijëra persona publikojnë fotot e fytyrës së tyre në intervale kohe (dhjetë vjet) dhe përdorin shprehje të ngjashme të fytyrës mes dy fotove, a mos ndoshta ata u bëjnë një dhuratë të madhe atyre që punojnë me sistemet informatike për njohjen e fytyrës?
Ajo shkruan se një ndër problemet thelbësore të Inteligjencës Artificiale qëndron pikërisht në të pasurit e të dhënave të mjaftueshme specifike, si për shembull foto personaletë shfaqura përkohësisht. “Foto të tilla mund t’i shërbejnë ndonjë kompanie të re që ka nevojë për këtë lloj informacioni” – shpjegon një ekspert,i cili preferoi të mbetej anonim.
Kjo gjë funksionon kështu: ata që merren me sistemet për njohjen e fytyrës zhvillojnë sisteme sigurie që do të përdoren në telefonat tanë për të na lejuar t’i zhbllokojmë, për të përmirësuar Inteligjencat Artificiale që aplikohen te kamerat e reja e kështu me radhë. Aplikacionet janë të shumta, duke përfshirë edhe ato më pak të pëlqyera, si Amazon dhe sistemi i saj përnjohjen e fytyrës në kohë reale, një program i cili i është shitur edhe Departamentit të Policisë në Oregon.
Është mirë të dimë që të dhënat tona janë një lloj materiali i çmuar, me të cilat, në fakt, paguajmë, shërbimet online që përdorim, dhe duhet të jemi të ndërgjegjshëm se si përpunohen dhe përdoren më pas këto informacione. Ka edhe raste kur të njëjtat informacione janë vjedhur dhe u janë dhënë palëve të treta. Lajmet janë të mbushura me shembuj të ngjashëm dhe për këtë çështje është folur shumë, veçanërisht pas skandalit të “CambridgeAnalytica”.
Mes kufijve të ndryshëm në të cilët punohet në fushën e njohjes së fytyrës janë edhe të ashtuquajturit “age progression” dhe “age recognition”, që synojnë të instruktojnë makinat të kuptojnë se si mosha lë shenjë dhe ndryshon fytyrën tonë dhe të njohë moshën duke u nisur nga fytyra. Pak a shumë, ajo që bëjnë të gjithë njerëzit kur takojnë një person të ri dhe hamendësojnë moshën e tij.
Pra, a është rasti të përdorni këtë hashtag dhe të publikoni fotot tuaja që mund të përdoren për 1000 qëllime ndryshme? Kjo nuk është një paranojë e pakuptimtë dhe as hipotezë e ndonjëkomploti, gjërat shpesh ndodhin në një mënyrë shumë më të thjeshtë. Mjafton një hashtag për të mbledhur të dhëna të dobishme,të cilat i përkasin dikujt.
Sido që të jetë, ka dy përgjigje për këtë pyetje, të dyja të sakta: ju mund të pranoni në mënyrë të ndërgjegjshme pasojat – reale ose hipotetike – e përhapjes së fotove. Ose jo, shmangeni hashtag-un dhe mos e bëni këtë gjë.
Duhet thënë se nuk është Facebook (e cila zotëron e Instagram) që e krijoi“10 year challenge”. “Bëhet fjalë për një meme e krijuar nga përdoruesit dhe që u bë virale në mënyrë spontane” – bëjnë të ditur nga kompania e Mark Zuckerberg. “Nuk e nisëm ne këtë trend, në të cilin përdoren foto që ekzistojnë tashmë në platformë dhe ne nuk përfitojmë asgjë nga kjo meme”.
Njohja e fytyrës u përdor nga Facebook për herë të parë në 2015 dhe shërben për të sinjalizuar kur dikush publikon një foto tuajën dhe i shërben rrjetit social për të njohur në mënyrë automatike përdoruesit e saj. Ky shërbim, megjithatë, mund të çaktivizohet.
Njohja e fytyrës nuk gjen zbatim vetëm në fushën e argëtimit. Njohja e fytyrës është një nga armët në dispozicion të kujtdo që kërkon të mbikëqyrë në mënyrë masive. Ajo aplikohet në Kinë, me qëllim për të vlerësuar reputacionin e qytetarëve të saj në çdo aspekt të jetës.
Sot, çdo “Vëlla i madh” e shikon me interes zhvillimin e këtij aspekti të Inteligjencës Artificiale që aplikohet tek imazhet, siç thekson studiuesja e “Harvard Law School”, Shoshana Zuboff, në “The Age of Surveillance Capitalism”. “Deri sa të mos ketë rregulla të qarta edhe jashtë kufijve të Europës, ne refuzojmë t’u japim qeverive teknologji të tilla si njohja e fytyrës”, pati thënë pak kohë më parë Julie Brill, zv.presidente e Microsoft dhe ish-numri i një i Federal Trade Commission në administratën e Obama-s.
Europianët për momentin mund të flenë të qetë. “General Data Protection Regulation” (GDPR) e ndalon përdorimin e teknologjive për identifikimin e qytetarëve. Por ka përjashtime, për shembull kur flitet për sigurinë kombëtare. Megjithatë, ka edhe mënyra për të përdorur njohjen e fytyrës duke mos shkelur GDPR, duke u kufizuar në mbledhjen e të dhënave jo mbi identitetin, por mbi sjelljen.
Në botë ka 626 milionë kamera për sigurinë. Në vitin 2017, u shitën 97 milionë kamera dhe vlerësohet se tregu i software-ve për njohjen e fytyrës vlen 9,6 miliardë dollarë, me rritje vjetore 21,3%. Ky është një instrument i dobishëm për sigurinë e qyteteve, në stacione apo aeroporte, por bëhet i rrezikshëm kur bie në duart e qeverive të paskrupullta.