Albin Kurti ka mbushur 100 ditë në krye të Qeverisë së Kosovës. Për këta tre muaj punë, ai ka vendosur të flasë vetë, të tregojë se çfarë ka bërë e çfarë do të bëjë në ditët e ardhshme. Ai ka premtuar rimëkëmbjen ekonomikë të Kosovës. Sipas Kurtit, rritja ekonomike për vitin 2021 do të jetë 7.9%, kurse, buxheti i shtetit 2.5 miliardë euro.
Nga Prishtina, Fatos Shala
Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, i ka bërë 100 ditë. Që nga dita kur mori detyrën e deri më tani, qeveria është përballur me pandeminë dhe vaksinimin e qytetarëve. Pikërisht situatës, ia ka kushtuar edhe fjalët e para Albin Kurti, në bilancin e punës për tre muaj qeverisje.
Në këtë pikë, shefi i qeverisë nuk ka hezituar edhe t’i thurë lavde vetes. “Gjendja me pandeminë është vënë nën kontroll dhe situata është përmirësuar dukshëm. Në muajin mars deri në qershor, kemi ulje prej 99% të rasteve të reja, 97% ulje të rasteve aktive dhe 86% ulje të rasteve të hospitalizuara. Ky është sukses të cilit duhet t’i gëzohemi të gjithë, sepse sot ndihemi më të sigurt të takojmë njëri-tjetrin, të shijojmë ecjet dhe ajrin e pastër, me më pak frikë e me më shumë besim në institucionet tona që të bëjnë punën e duhur”.
Kryeministri theksoi se pandemia ende nuk ka mbaruar dhe se rreziku nga virusi mbetet i pranishëm. Ai bëri thirrje që të jemi të kujdesshëm dhe të respektojmë udhëzimet e institucioneve shëndetësore.
Mbi 60% e popullatës do të vaksinohen
Për pandeminë dhe vaksinën ka folur edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, duke thënë se me dozat e siguruara të vaksinave kundër Covid-19, do të arrijnë të imunizojnë mbi 60% të popullatës në Kosovë.
Vitia foli edhe për furnizimin me barna esenciale, për çka ka thënë se deri në fund të vitit, niveli i furnizimit me këto barna do të jetë mbi 90%. Vitia ka thënë se prej marrjes së mandatit, prioritet kryesor ka qenë sigurimi i vaksinave kundër Covid-19.
“Qeverisjen e kemi filluar pa asnjë vaksinë në stoqet tona, më 28 mars kanë arritur dozat e parë të vaksinave të siguruara nëpërmjet mekanizmit Covax nga UNICEF-i, janë bërë ndryshime të nevojshme ligjore që i kanë hapur rrugë kontraktimit dhe sigurimit të vaksinave kundër Covid-19, dhe më datën 28 maj, Kosova ka siguruar 1 milionë e 213 mijë e 290 vaksina nga marrëveshja me Pfizer për vitin 2021.
Ky moment shënon hapin më të rëndësishëm për Republikën e Kosovës përballë Covid-19. Për informacion, deri më sot në Republikën e Kosovës kanë arritur 392 mijë e 980 doza dhe deri në fund të vitit janë siguruar mbi 2 milionë doza, që na mundëson të arrijmë objektivin tonë për imunizimin e 60% të popullatës, bile edhe më shumë”, u shpreh Vitia.
Ai përmendi edhe miratimin e planit nga qeveria, për vaksinimin masiv të popullatës, ku theksoi se, në bashkëpunim me komunat, kanë krijuar 278 ekipe vaksinimi.
Po ashtu, 40 milionë euro janë të ndara për blerjen e vaksinave në luftën kundër pandemisë COVID-19. “Këtu kemi mbështetjen për shëndetësinë, ku 40 milionë euro janë të ndara për blerjen e vaksinave për luftën kundër pandemisë, 8 milionë euro të tjera janë të dedikuara për blerjen e barnave esenciale në kuadër të ShSKUK-së dhe janë rreth 5 milionë euro, të ndara për mbulimin e kostos së shpenzimeve për specializantë të rinj, pra gjithsej 53 milionë euro”.
Rritja ekonomike 7.9%, buxheti 2.5 miliardë
Albin Kurti, në prezantimin e punës 100-ditore të Qeverisë së Kosovës ka thënë se rritja ekonomike për vitin 2021 pritet të jetë 7.9%. Sipas tij, buxheti i projektuar për këtë vit do të jetë 2.5 miliardë euro. Kurti shtoi se brenda pesë muajve, aktiviteti ekonomik është rritur 15%.
“Në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, eksporti është rritur 66%, aktiviteti ekonomik, 15% dhe të hyrat buxhetore për 30%. Në 5-mujorin e parë të këtij viti, Dogana e Kosovës, për herë të parë, ka mbledhur mbi 500 milionë euro të hyra, ndërsa ATK ka raportuar se ka inkasuar 60 milionë euro më shumë sesa në vitin e kaluar. Bazuar në këtë,
Qeveria e Kosovës ka miratuar buxhet mbi 2.5 miliardë euro, sipas të cilit projektohet rritje ekonomike prej 7.9%, për dallim prej 5.2% që parashihej vitin e kaluar, për të cilave buxhetit do t’i shtohen 155 milionë euro më shumë nga çfarë parashikohej”, tha Kurti.
Ai ka thënë se kjo rritje dhe ky ndryshim jep shpresë se ditë më të mira po do të vijnë.
“Natyrisht këto ndryshime pozitive janë rezultat i shumë faktorëve, por s’ka dyshim se rritja e besimit në institucione dhe punën e qeverisë, optimizmi dhe shpresa e qytetarëve për qeverinë e re dhe reformat që kemi filluar, formalizimi gradual i ekonomisë, por edhe intervenimet tona në ekonomi përmes pakos financiare janë faktorët kryesorë. Buxheti i rishikuar ka mundësuar edhe dizajnimin e një pakoje të re, që mundëson rimëkëmbjen ekonomike të vendit dhe krijon bazën për një rritje të qëndrueshme dhe të punësimit për vitet në vijim”.
420 milionë euro për rimëkëmbje ekonomike
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Muratika, prezantoi Pakon e Ringjalljes Ekonomike, e cila kap vlerën 420 milionë euro. Mjetet e ndara nga buxheti për financimin e kësaj pakoje janë 190 milionë euro, ndërsa 230 milionë euro vijnë nga huamarrja.
Lidhur me këtë, ministri Murati tha se kjo pako ka potencial të mobilizojë edhe rreth 700 milionë euro të tjera, pra në total 1.1 miliardë euro investime dhe shpenzime nga buxheti i shtetit, por edhe grante, kapital privat, dhe mobilizim të mjeteve nga sektori financiar.
-Mbështetja e punësimit, me vlerë 50 milionë euro
-Rimëkëmbja e ekonomisë dhe prodhimit, me vlerë 108 milionë euro
-Mbështetja për familjen, me vlerë 50 milionë euro
-Mbështetja për publiken, me vlerë 112 milionë euro, si dhe
-Investimi në infrastrukturë dhe mjedis, me vlerë 100 milionë euro.
“Kjo pako paraqet fillimin e fazës së dytë të adresimit, e cila synon punësimin dhe formalizimin e ekonomisë, përmirësimin e strukturës së përbërjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto, rritjen e balancuar dhe gjithëpërfshirëse ekonomike, si dhe ruajtjen e stabilitetit makrofiskal”, tha ai.
Ministri Murati bëri thirrje që bashkërisht të punohet dhe të synohet mbështetja e ekonomisë vendore, duke konsumuar produkte vendase e duke punuar në rritjen e formalitetit të ekonomisë. Në kuadër të pakos hyn edhe emetimi i bonove të diasporës, si instrument i rëndësishëm për kanalizimin e kapitalit të mërgatës drejt rimëkëmbjes dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të vendit.
Ujmani është i Kosovës për Kosovën
Albin Kurti, edhe në 100 ditët e para të punës, përsëriti se qëndrimi i tij dhe i Qeverisë që udhëheq për liqenin e Ujmanit nuk ka ndryshuar, sipas tij Serbia nuk mund të bëhet hisedare në të. Kurti ka kundërshtuar shumicën e zotimeve të dhëna nga Qeveria Hoti në Uashington më 4 shtator 2020 sa ishte në opozitë, dhe thotë se nuk ka ndryshuar as tani që është kryeministër.
“Qëndrimet tona sa i përket liqenit të Ujmanit janë po ato të njëjtat, natyrisht që mund të dalin analiza dhe studime, por që puna jonë është të konsiderojmë Ujmanin ashtu siç është, liqen artificial i Kosovës për Kosovën. Ne atë tashmë e kemi paguar.
Sa i përket marrëveshjes së Uashingtonit e kam thënë që pika më e rëndësishme është ajo e fundit që tashmë është realizuar (njohja nga Izraeli). Por nuk mund të flasim sikur nuk ka ndodhur 14 shkurti (2021), ndryshimi në Kosovë është gjigant. Këtë nuk e bënë ne, jemi pjesë e këtij ndryshimi”.
Shtetet e Bashkuara u kanë dorëzuar javën e kaluar, Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, studimin e fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit. Studimi shënon përmbushjen e një prej angazhimeve të Marrëveshjes së Uashingtonit, të arritur më 4 shtator 2020.
Raporti propozon formimin e një komisioni apo komiteti për lumin Ibër, që do të ndihmonte diskutimin midis palëve për mundësitë e menaxhimit të burimeve ujore. Ujmani është një liqen artificial, i ndërtuar në shtratin e lumit Ibër, në veri të Kosovës.
Liqeni u ndërtua në vitin 1972, me kredi 45 milionë dollarë amerikanë, që ishte marrë nga Banka Botërore, marrëveshje e ratifikuar atëherë nga Kuvendi i Krahinor i Kosovës dhe Kuvendi Federativ i Jugosllavisë. Serbia insiston se ka trashëguar borxhin e ish-Jugosllavisë, prandaj pretendon se ka të drejtë në pronë.
12.2 milionë euro për blerje ushtarake
Edhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka raportuar para kabinetit qeveritar për 100 ditët e qeverisjes, ku ka theksuar fuqizimin e mbikëqyrjes demokratike dhe civile, si dhe rritjen e transparencës në këtë institucion. Mehaj ka thënë se që në ditët e para kanë marrë vendim për uljen e shpenzimeve dhe kanë ndalur të gjitha aktivitetet jashtë planit të prokurimit.
“Fuqizimi i mbikëqyrjes demokratike civile dhe rritja e llogaridhënies dhe transparencës, për të arritur këtë objektiv, deri më tani kemi marrë këto vendime e veprime: vendimi për rritjen e efikasitetit për përdorimin e veturave zyrtare, vendimi për uljen e shpenzimeve të reprezentacionit për mbi 55%, janë ndalur të gjitha aktivitetet jashtë planit të prokurimit, me qëllim të avancimit të procesit të prokurimit kemi nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit me ambasadën e Britanisë dhe Ambasadën e Norvegjisë”, ka thënë ai.
Si një prej objektivave kryesore, Mehaj përmendi zhvillimin e kapaciteteve ushtarake në funksion të mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.
“Kemi bërë rishikimin e buxhetit për vitin 2021, kemi ridestinuar 7.7 milionë euro për blerje ushtarake, kurse qeveria ka ndarë fonde shtesë për blerje 4.5 milionë euro vetëm për blerje ushtarake, konkretisht dronët. Vetëm për 100 ditë të qeverisë janë ndarë gjithsej 12.2 milionë euro për blerje ushtarake”.
Ai pohoi se kanë pranuar pajisje ushtarake nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe Mbretëria e Bashkuar. Mehaj ka thënë se kanë ndarë 4.2 milionë euro për shlyerjen e borxhit të doganës, për të cilin ka theksuar se ishte i trashëguar nga qeveria e kaluar.
Si një prej sukseseve më të mëdha, ai përmendi zbarkimin e pjesëtarëve të forcës së Sigurisë së Kosovës në misionin e parë paqeruajtës në botë dhe pjesëmarrjen, si vend pritës, në ushtrimin më të madh ushtarak amerikan, “DefenderEurope 21”.
100-ditëshi numërohet si periudhë matëse e punës së një qeverie. Qeveria Kurti u formua më 22 mars, pas zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura më 14 shkurt, ku Lëvizja Vetëvendosje, fitoi 50.28, ose 58 vende në Kuvendin e Kosovës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.