2017, rritja e fuqisë blerëse sjell rekord shitjesh për kompanitë në Europën Juglindore
Kërkesa e lartë e brendshme, e mbështetur nga rritja e të ardhurave, nga një fluks i qëndrueshëm i investimeve dhe nga një mjedis i mirë ndërkombëtar, kanë bërë që ekonomitë në Europën Juglindore (EJL) të arrinin një rritje më të shpejtë gjatë vitit 2017, sipas publikimit të njësisë bullgare të inteligjencës, See News. Kompanitë në rajon kanë përfituar nga kërkesa e lartë e konsumatorëve, si në tregun vendas, ashtu edhe në atë global, pasi investimet e bëra kanë rritur produktivitetin, ndërkohë që shpenzimet kanë mbetur të ulëta.
Të ardhurat agregate të 100 kompanive më të mira në Europën Juglindore kanë shënuar nivele rekord. Rritja ekonomike e këtyre kompanive në Europën Juglindore preku pothuajse të gjithë sektorët e tyre, duke i dhënë një shtysë të madhe eksportit në industrinë e metaleve, prodhimit të makinave dhe pjesëve të makinave. Kompanitë e naftës dhe të gazit, të cilat janë renditur thuajse gjithmonë në vendet e para të 100 kompanive më të mira në Europën Juglindore, e forcuan sërish terrenin e tyre, duke lënë pas një periudhë aspak të lehtë gjatë viteve të fundit, si pasojë e rënies së çmimeve globale.
Sektorë si bujqësia nuk kanë arritur ende që të renditen ndër vendet e para të kësaj renditje Top 100, ndërsa kompanitë e Teknologjisë së Informacionit thuajse nuk janë fare të pranishme.
Zgjerimi i konsumit privat, i mbështetur nga rritja e disponueshme e të ardhurave, nxiti rritjen ekonomike në EJL me 4.0% në vitin 2017 nga 3.5% në 2016, duke tejkaluar mesataren e Bashkimit Europian, shkruan Nevena Krasteva në publikimin rajonal “100 kompanitë më të mëdhë në Europën Juglindore (EJL)”, nga njësia e inteligjencës me qendër në Bullgari, See News.
Një mjedis i jashtëm i favorshëm, duke përfshirë performancën e shëndetshme të ekonomive në BE, partnerin tregtar kryesor të rajonit dhe një rritje globale në çmimet e mallrave, siguruan një nxitje të mëtejshme të rritjes së ekonomive në rajon. Bankat mbetën të qëndrueshme dhe tregjet financiare, me përjashtim të Rumanisë, ishin gjithashtu në nivele të qëndrueshme.
Papunësia shënoi një trajektore rënëse, pasi menaxherët qëndruan optimistë sa u përket planeve të punësimit. Përmirësimi i besimit të biznesit dhe financimi i lirë, gjerësisht i disponueshëm, nxitën një rritje në investimet e korporatave, ndërsa fondet e BE-së vazhduan të mbështesin investimet publike. Investimet e Huaja Direkte u rritën në shumicën e vendeve në EJL, siç dëshmohet nga rritja e aktivitetit në tregun e blerje-shkrirjeve (M&A). Kina u cilësua si një prej investitorëve kryesorë që vazhdon të investojë miliarda euro në rajon. Shumica e parave shkojnë për projekte të rëndësishme të infrastrukturës në Serbi, por edhe sektori i korporatave mori një pjesë të mirë të këtij totali.
Revanshi i kinezëve
Në 2018, qeveria në Beograd e zgjodhi grupin kinez, Zijin Mining, si blerësin e 65% të aksioneve të minierës së bakrit RTB Bor, me një vlerë prej 350 milionë dollarësh. Në fillim të këtij viti, Grupi Hisense u bë pronari i 95.42% të aksioneve të kompanisë Gorenje, një nga dhjetë kompanitë më të mëdha në Slloveni. Një kompani tjetër kineze, CEFC China Energy, ishte pranë nënshkrimit të një marrëveshjeje për të blerë shumicën e aksioneve të kompanisë Kaz Munay Gas International, që zotëron edhe Rompetrol Rafinare në Rumani, kompania e shtatë më e madhe në rajon, sipas renditjes sonë. Gjithsesi, kjo marrëveshje nuk arriti të finalizohej. Në Bullgari, Korporata Kombëtare Bërthamore e Kinës shprehu interesin për ndërtimin e një impianti të dytë energjetik në këtë vend.
Shembulli rumun
Me një popullsi prej 19.6 milionë banorësh dhe me një rritje mbresëlënëse të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB-së) prej 7% në vitin 2017, Rumania është shembulli më i mirë i tregjeve në rajon dhe brenda vendit, për numrin e lartë të kompanive të mëdha, duke përfshirë edhe prodhuesin e makinave Dacia. Ajo është shembulli më i mirë edhe për të gjithë investitorët e huaj që po e vëzhgojnë këtë rajon, për mundësitë e mëtejshme të zgjerimit që ai ofron, duke kryesuar edhe rrugën drejt bashkimeve dhe blerjeve (M&A). Megjithatë, ekonomia e Rumanisë evidenton edhe pjesën më të madhe të problemeve që shqetësojnë investitorët në të gjithë rajonin, ku mund të përmendim institucionet joefikase, politikëbërjen e paparashikueshme dhe dështimin në luftën kundër korrupsionit.
Trazirat politike herë pas here reflektohen edhe në tregun e aksioneve, duke goditur monedhën vendase, ndryshimet e shpeshta të taksave i detyrojnë bizneset të rishikojnë planet afatgjata dhe përpjekjet e qeverisë për të ndërhyrë në vendimet e gjyqësorit, ngrenë shqetësime rreth pavarësisë së institucioneve. Për më tepër, zgjerimi i shpejtë ekonomik ka rritur edhe shqetësimet rreth mbinxehjes, duke bërë që FMN-ja të kërkojë vazhdimisht moderim fiskal dhe rritje të mbikëqyrjes nga Banka Qendrore. Sipas parashikimeve të FMN-së, hendeku fiskal i Rumanisë do të shkojë në 3.6% në vitin 2018 nga 2.8% që ishte në 2017, ndërkohë që inflacioni i çmimeve të konsumit ka shkuar në 4.7% nga 1.3%.
Pavarësisht rritjes së saj të fortë, PBB-ja e Rumanisë për banor ishte e barabartë me vetëm 63% të mesatares së BE-së në 2017. Vende të tjera në rajon, me përjashtim të Sllovenisë, kanë nivele edhe më të ulëta të pasurisë, pasi ato nuk gëzojnë avantazhin e Rumanisë. Në të njëjtën kohë, ata kanë të njëjtat probleme që vijnë nga sundimi i dobët i shtetit ligjor, niveli i lartë i korrupsionit, rregulloret e paparashikueshme dhe nga një infrastrukturë e vjetruar thuajse në të gjithë rajonin. Këtu nuk mund të rrimë pa përmendur edhe numrin e madh të kompanive shtetërore në Serbi, të cilat kanë nevojë emergjente për ristrukturim, sektorin informal në Shqipëri dhe në Maqedoni që, fatkeqësisht, po lulëzon dhe çështjet ende të pazgjidhura me vendet fqinje si Serbia, Kosova dhe Maqedonia.
Ecuri pozitive
Por, edhe pse në një sfond të zymtë, performanca e fortë në ekonominë e 100 kompanive Top në Europën Juglindore është e dukshme. Rritja ekonomike e 2017-s do të ulet pasi kompanitë më të mira në EJL i kanë rritur fitimet e tyre, duke shënuar nivelin më të lartë të të gjitha kohërave.
Teksa rajoni shënoi një rritje të qëndrueshme, të ardhurat totale të kompanive Top në EJL u rritën me 12.5% në krahasim me nivelin e një viti më parë. Fitimi i tyre i përgjithshëm u rrit edhe më shumë, me 22%, në 4.9 miliardë euro.
Pragu për hyrjen në renditjen e 100 kompanive Top në EJL, u rrit gjithashtu, duke shkuar në 515.5 milionë euro nga 464.7 milionë euro që ishte gjatë një viti më parë. Rritja është kryesisht për shkak të një rikuperimi të fortë të sektorit të naftës dhe gazit dhe një performance të mirë të kompanive të metaleve, e shoqëruar edhe me një rritje në çmimet e mallrave globale. Kompanitë e naftës dhe gazit përbëjnë rreth një të katërtën e të gjithë pjesëmarrësve në këtë renditje.
Në të njëjtën kohë, të ardhurat e tyre të kombinuara përbëjnë pothuajse një të tretën e totalit – 36.5 miliardë euro, krahasuar me 30.3 miliardë euro një vit më parë. Për më tepër, fitimi i tyre i kombinuar pothuajse u dyfishua me 2.2 miliardë euro. Në vendin e dytë renditet Petrol i Sllovenisë, me një qarkullim prej 3.8 miliardë eurosh, njëkohësisht edhe kompania me performancën më të mirë në këtë sektor. Pas saj vjen OMV Petrom e Rumanisë, me fitimin më të lartë në mesin e të gjithë pjesëmarrësve të 100 kompanive Top në EJL, me 515 milionë euro. Gjashtë nga dhjetë kompanitë më të mira në këtë renditje i takojnë sektorit të naftës dhe gazit. Megjithatë, sektori që ka shënuar edhe rritjen më të lartë nga viti në vit, është përpunimi i metaleve, me një rritje prej 46% në 5.7 miliardë euro.
Përveç rritjes së çmimeve globale, zgjerimi i industrisë së metaleve është nxitur në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe nga rritja e kërkesës nga industritë e tjera. Prodhimi i një automjeti konvencional me kambio automatike kërkon rreth 20-25 kg bakër, ndërsa automjetet hibride dhe ato elektrike, kërkojnë deri në 100 kg bakër. Ndërsa një gjenerator me erë kërkon deri në 20 tonë bakër, shprehet Tim Kurth, CEO-ja i Aurubis Bulgaria. Aurubis Bulgaria është prodhuesi më i madh i metaleve në këtë renditje dhe një prej hyrjeve të reja në dhjetëshen e më të mirëve.
Prodhuesit e makinave kryesojnë
Prodhuesit e makinave vazhdojnë të kryesojnë me sukses këtë renditje, ku Automobile Dacia është kompania më e madhe në renditjen e 100 kompanive Top në EJL për të katërtin vit radhazi. Të ardhurat e saj shënuan rritje me 11.62% në 5.0 miliardë euro. Fitimet e Dacias u rritën gjithashtu në 115.7 milionë euro nga 100.5 milionë. Shitjet e makinave dhe të pjesëve të këmbimit u rritën në krahasim me vitin 2016, për shkak të një ndërthurje të shkëlqyer midis modeleve dhe markave të ndryshme.
Prodhimi i makinave është industria e katërt më e madhe në rajon, duke gjeneruar një fitim të kombinuar prej 14.2 miliardë eurosh dhe një fitim neto prej 351.9 milionë eurosh. Ndërsa për sa u përket kompanive që prodhojnë goma, shifrat tregojnë se kjo industri është e treta më e madhe në rajon, për sa i përket qarkullimit vjetor, si dhe gjeneron fitimin agregat të dytë më të madh në rajon. Performanca e fortë financiare e sektorit të automobilave vjen edhe si pasojë e rritjes së jashtëzakonshme në prodhim.
Prodhimi i automjeteve në Europën Juglindore në vitin 2017 shënoi rritje vjetore prej 14% kundrejt një mesatare europiane prej 3.7% dhe një mesatare prej 1.9% në nivel global, ndërsa shitjet e makinave të pasagjerëve u rritën me 9.7% krahasuar me 3.1% në pjesën tjetër të Europës dhe me 2.4% në botë, sipas të dhënave të marra nga Organizata Ndërkombëtare e Prodhuesve të Makinave. Ky trend rritës është vënë re në të gjitha vendet e Europës Juglindore, me përjashtim të Maqedonisë. Që nga viti 2007, kur SeeNews filloi rankimin e 100 kompanive Top të EJL, të ardhurat vjetore të kombinuara të të gjithë prodhuesve të makinave dhe të atyre që prodhojnë pjesë makinash janë rritur me 140%, një rezultat i pakrahasueshëm nga çdo industri tjetër në rajon.
Sektori i automobilave është ndër industritë më të përhapura në të gjitha vendet e rajonit në aspektin e kontributit ndaj PBB-së, rritjes së kapaciteteve prodhuese, vëllimit të investimeve dhe krijimit të vendeve të reja të punës. Sektori, i cili përfiton drejtpërdrejt nga rritja e kërkesës, si në tregun vendas ashtu edhe në atë botëror, tërheq investitorë me kosto të ulët të ndërtimit, tokës dhe shërbimeve dhe subvencione të rëndësishme shtetërore. E fundit, por jo për nga rëndësia, Europa Juglindore, kryesisht vendet që e kanë traditë të tyre prodhimin e automjeteve si Rumania, Serbia dhe Sllovenia, kanë edhe një bazë të gjerë punëtorësh të kualifikuar.
Tregtia me rritje, por me humbje
Një tjetër sektor që përfiton nga rritja e konsumit është ai i shitjeve me shumicë dhe ai i shitjeve me pakicë. Megjithatë, ky është i vetmi sektor që ka shënuar një humbje të kombinuar prej 8.3 milionë eurosh. Performanca e dobët e këtij sektori ka ardhur edhe për shkak të shqetësimit në rritje të falimentimit të Agrokor kroat, i përfaqësuar në këtë renditje nga tre njësitë e saj të shitjes me pakicë Konzumit kroat, Poslovni Sistem Mercator slloven dhe Mercator të Serbisë.
Të tre kompanitë e mësipërme shënuan një humbje të kombinuar prej 786.9 milionë eurosh. Nëse do të përjashtoheshin rezultatet e tyre, fitimi i kombinuar i sektorit do të ishte i dyti më i madh në rajon. Pavarësisht ecurisë së dobët të tre anëtarëve të Agrokor, qarkullimi i kombinuar i sektorit u rrit në 22.9 miliardë euro në vitin 2017 nga 20.7 miliardë euro një vit më parë, duke treguar gjendjen e shëndetshme të shitësve me shumicë e atyre me pakicë.
Ajo që të bën më shumë përshtypje në renditjen e 100 kompanive Top të Europës Juglindore është se numrin më të madh të përfaqësuesve këtu e ka Rumania, me 51 kompani. Më pas vjen Sllovenia me 13 përfaqësues, Serbia 12, Kroacia 11, Bullgaria 10, Bosnjë dhe Hercegovina 2 dhe Maqedonia 1. Vendet e tjera që bëjnë pjesë në këtë rajon nuk arritën që të futen në këtë renditje. Për sa u përket sektorëve, nafta dhe gazi dhe ai i shitjeve me shumicë dhe pakicë, kanë 24 kompani secili, sektori i energjetikës 14, ai i automobilave 11 plus 3 në sektorin e prodhimit të gomave. Sektori i metaleve përfaqësohet nga 5 kompani, ndërkohë që prodhimet farmaceutike dhe bujqësia përfaqësohen me 3 kompani secila. Sektorët që përfaqësohen me një numër më të ulët kompanish në krahasim me një vit më parë është ai i pijeve dhe i cigareve, telekomunikacionit dhe transportit.
Ndërsa sektori që i mungon kësaj renditjeje është ai i Teknologjisë së Informacionit, edhe pse ajo është shfaqur si një prej nxitësve më të mëdhenj, të shumë ekonomive në rajon, duke krijuar mijëra vende të reja pune dhe duke krijuar disa marrëveshje të mëdha bashkimesh dhe blerjesh (M&A), gjatë viteve të fundit. Pothuajse gjysma e pjesëmarrësve në edicionin e sivjetshëm të 100 kompanive Top të Europës Juglindore janë në pronësi të huaj. Dhe pikërisht një detaj i tillë, u vjen në ndihmë kompanive vendase që të shmangin shumë prej problemeve të brendshme, duke u dhënë atyre akses në tregjet ndërkombëtare dhe duke mbështetur planet e tyre të investimeve. Kapaciteti për eksporte është vendimtar edhe për kompanitë vendase, për të kompensuar kufizimet e tregjeve të vogla lokale.
Shitjet e automjeteve dhe pjesëve të këmbimit të makinave jashtë Rumanisë përbënin 93% të shitjeve totale të Dacia-s në vitin 2017. Edhe prodhuesit e tjerë të automjeteve dhe pjesëve të këmbimit e shesin pjesën më të madhe të prodhimeve të tyre në tregjet e huaja. Aurubis Bulgaria, eksportuesi më i madh i vendit, kontribuon me 9% të eksporteve të Bullgarisë dhe HIP Petrohemija e Serbisë, kompania më fitimprurëse midis pjesëmarrësve në edicionin e këtij viti të 100 kompanive Top në EJL, gjeneron më shumë se 80% të të ardhurave nga eksportet. Shumica e kompanive më të mira gëzojnë ekonomitë e shkallës që sigurohen nga integrimi i plotë i aktiviteteve brenda linjës së tyre të veprimit. Në këtë pikë, ne përsëri mund të marrim një shembull nga fillimi i renditjes për ta mbështetur atë që thamë pak më sipër.
Groupe Renault Rumani, kompania mëmë e Dacia që punëson më shumë se 17,700 njerëz, integron të gjitha aktivitetet specifike për një prodhues makinash. Kjo ka gjeneruar ecuri të qëndrueshme ekonomike dhe një gamë të gjerë ofertash pune në fusha të ndryshme të studimeve mbi tregun, projektimin, inxhinierinë, kërkimin teknik, zinxhirin e prodhimit dhe furnizimit, shitjet, shërbimet e biznesit dhe financimit. Investimet në shkallë të gjerë janë një tjetër tipar i përbashkët i veprimtarive të kompanive më të mira në rajon. Investimet e OMV Petrom, për shembull, kaluan shifrën prej 640 milionë eurosh në 2017. Përveç investimit në zgjerimin e kapaciteteve, një numër i madh kompanish e kanë kuptuar rëndësinë e shpenzimit në kërkim dhe zhvillim. Për sa i përket mungesës së fuqisë punëtore të kualifikuar, bizneset po investojnë në programe të ndryshme trajnimi.
Shqipëria mungon në 100
Në tabelën e 100 kompanive më të mëdha të publikuar nga See News nuk ka asnjë sipërmarrje nga Shqipëria, teksa kompania më e madhe shqiptare (OSHEE, në pronësi shtetërore) realizon 462 milionë euro të ardhura, duke mos arritur pragun për të hyrë në renditje prej 515 milionë euro. Ndërsa nga Maqedonia, një ekonomi me madhësi më të vogël sesa Shqipëria, Johnson Matthey DOOEL, që prodhon katalizatorë makinash, me të ardhura prej 1.5 miliardë eurosh, renditet në vend të 19 në tabelën e Europës Juglindore. Nga Shqipëria mbizotërojnë kompanitë tregtare, kryesisht në naftë, ndërsa rajoni po zhvillohet drejt teknologjisë dhe industrisë së automobilave që po njeh rritje të madhe vitet e fundit.
Në Shqipëri, kompania më e madhe sipas të ardhurave është Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), me 462.5 milionë euro, e ndjekur nga Kastrati, tregtuesi me shumicë i karburanteve, me 328 milionë euro. Më pas renditen Spiecapag, me punime infrastrukture për gazsjellësin TAP, me 210 milionë euro; Bankers Petroleum, që shfrytëzon me koncesion fushën më të madhe të naftës mbi tokë në Europë, atë të Patos Marinzës, me 192 milionë euro.
Renditjen e vijojnë Europetrol Durrës Albania, me 164 milionë euro, Genklaudis, po në tregtimin e karburanteve, me 156 milionë euro; Kurum International, prodhuesi i çelikut, që po e merr veten nga falimenti, me 149 milionë euro. Dhjetëshen e mbyllin Eroil, që tregton karburante me 139 milionë euro, Vodafone, operatori më i madh i telekomunikacioneve me 129 milionë euro dhe Info Telecom me 112 milionë euro. Renditja është hartuar në bashkëpunim me Monitor. See News i rendit më vete bankat dhe shoqëritë e sigurimit. Nga Shqipëria, në listën e bankave më të mëdha, të cilat renditen sipas aseteve, janë Banka Kombëtare Tregtare, në vendin e 27, me asete prej 3 miliardë eurosh; Raiffeisen, në vend të 43, me asete prej 1.9 miliardë euro; Credins Bank në vend të 55, me asete 1.35 miliardë euro; Intesa San Paolo në vend të 65, me asete 1.16 miliardë euro. Në vend të 95, 96 dhe 97 janë përkatësisht Societe Generale (612 milionë euro); Tirana Bank (585 milionë euo); Alpha bank (577 milionë euro).
Nga shoqëritë e sigurimit, Sigal UNIQA Group Austria Sh.a. renditet në vend të 52 në Europën Juglindore, me prime të shkruara bruto prej 30.1 milionë eurosh; Sigma Interalbanian Vienna Insurance Group Sh.a., në vend të 67 me 25.4 milionë euro; Eurosig Sh.a., me prime 17.1 milionë euro renditet në vend të 79; Intersig Vienna Insurance Group Sh.a. në vend të 96, me 12.5 milionë euro.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.