Nga e marta i gjithë vendi do të jetë në shtetrrethim, lajmëroi kryeministri Edi Rama. Ndërsa thirrjes së Ministrisë së Shëndësisë për të luftuar në vijën e parë të frontit me koronavirusin i janë bashkuar mbi 1 mijë mjekë dhe infermierë.
“Të martën perimetri i blinduar do të njësohet më kufirin e Republikës së Shqipërisë. Dhe praktikisht e gjithë Shqipëria javën tjetër do jetë siç ishtë në Tiranë e Durrës këtë javë që kaluam dhe më pas qytetet e tjera. Kështu që miq duhet durim.
Mbi 1000 mjekë e infermierë i janë përgjigjur deri tani thirrjes për t’u regjistruar si vullnetarë të gatshëm për orët më të vështira në vijën e zjarrit. 497 mjekë dhe mbi 600 infermierë. Mirënjohje për këtë gjest prekës humanizmi e patriotizmi në këtë moment kaq përcaktues për shëndetin e popullit shqiptar. Për gjithë mjekët dhe infermierët që janë aktualisht në atë vijë zjarri paga e marsit do të ketë me një bonus prej 1000 euro, që do të vazhdojë mbi rrogën dhe në muaj në vijim deri në përfundim të kësaj lufte. Bonusi do tu jepet dhe gjithë vullnetarëve që thirren në front.
Nesër administrata do të vazhdojë të jetë pushim, nisur kjo edhe nga fakti që dita e verës pushim zyrtar qëlloi ditë të diele. Por pushim do të jenë edhe në vijim, pasi administrata aktualisht po punon me staf të reduktuar, ku nënat kanë marrë leje për të qenë pranë fëmijëve që nuk ndodhen në shkollë, apo edhe ata që janë në moshë, si më të rrezikuarit nga COVID-19. Në punë do të qëndrojnë ata që janë pjesë e shërbimeve dhe detyrave esenciale për qytetarët, siç janë edhe kompanitë që garantojnë hallkat jetike të ekonomisë së vendit”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.