101 persona janë konfirmuar të prekur nga virusi Covid 19 gjatë 24 orëve të fundit nga 474 testime të kryera, ndërsa gjashtë persona kanë humbur jetën si pasojë e virusit.
“Nuk e ka fituar dot betejën me sëmundjen, mjeku pneumolog 53 vjeçar me origjinë nga Tropoja, banues në Tiranë, si pasojë e insuficencës së rëndë respitarore, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve të spitalit “Shefqet Ndroqi”. Fatkeqësisht një i ri 28 vjeç nga Shkodra, i shtruar prej disa ditësh në spital, me gjithë përpjekjet e mjekëve, nuk ka mundur të mbijetojë.
Ka humbur jetën edhe pas përpjekjeve të ekipit mjekësor një 68 vjeçare nga Tirana, një 71 vjeçar nga Kurbini, një 79 vjeçar nga Durrësi, me disa sëmundje bashkëshoqëruese, dhe një 77 vjeçar nga Shkodra.”
Kryeqyteti vijon të jetë vatra kryesore e virusit.
“Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 66 raste në Tiranë, 9 në Krujë, 7 në Lezhë, 5 në Shkodër, 3 në Durrës, nga 2 raste në Korçë, Elbasan, Kavajë, nga 1 rast në Lushnje, Tropojë, Kamëz, Pogradec, Selenicë”.
Ministria e Shëndetësisë njofton se situata epidemiologjike në javën që lamë pas rezultoi me rritje të numrit të të prekurve nga Covid-19 dhe me shtrime të reja në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi”.
“Java që sapo lamë, paraqiti nje shtim me 5.9% të numrit të rasteve pozitive krahasuar me rastet e konfirmuara në javën e 30. Incidenca 7 ditore rezultoi 24.66 raste pozitive për 100 mijë banore. Incidencën më të lartë e ka qarku i Tiranës, ndjekur nga qarku i Durrësit dhe i Shkodrës.
Sa i përket grupmoshave të prekura, përqindja më e madhe e të infektuarve është në grupmoshat 55-64 vjeç, që përbëjnë rreth 20% e totalit të të prekurve”.
Listës të të shëruarve i janë shtuar edhe 13 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 3031, që nga fillimi i epidemisë.
“Aktualisht ne spitalet Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi”po trajtohen 122 pacientë te konfirmuar pozitiv ku 14 paciente janë në terapi intensive, 4 prej të cilëve pacientë të intubuar”.
2417 raste aktive rezultojnë në të gjithë vendin dhe po ndiqen nga mjekët e familjes.
Në total në të gjithë vendin prej fillimit të epidemisë janë kryer 42657 testime molekulare dhe serologjike, ndërkohë vijon gjurmimi dhe hetimi epidemiologjik nga strukturat e epidemiologjisë në të gjithë territorin.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.