“Rekordet botërore janë bërë për t’u thyer, një medalje ari mbetet përgjithmonë”. Me këto fjalë e përshkruante emocionin e ngjitjes në shkallën më të lartë të një podiumi olimpik kampioni nga Xhamajka, Usain Bolt. Një emocion të cilit atij nuk i mungonte para vendimit për të varur këpucët në gozhdë…
Fitimi i një medalje ari në Lojërat Olimpike, megjithatë nuk sjell vetëm gëzim dhe krenari, por edhe diçka më shumë – një çmim të rëndësishëm në para, që përpiqet “të shpërblejë” përpjekjet e bëra në katër vjet nga sportistët që marrin pjesë në këtë garë.
Me këtë rast, Forbes kontaktoi me Komitetet Olimpike Kombëtare apo Ministritë e Sporteve të qeverive të 91 vendeve pjesëmarrëse – të paktën 32 prej tyre do t’i shpërblejnë me çmime me para atletët që do të fitojnë medalje; vetëm 4 vende nuk parashikojnë t’i shpërblejnë sportistët me bonus në rast të fitores së medaljeve.
Vendi që shpërblen me më shumë para atletët për një medalje ari në Lojërat Olimpike
Në bazë të të dhënave të analizuara nga Forbes, vendi që do të shpërblejë me më shumë para atletët e tij në rast të fitores së një medalje të artë është Hong Kongu, rreth 642 mijë dollarë. Në Tokio 2020, vetëm sportisti i skermës, Cheung Ka-long, e ka fituar këtë çmim të madh.
Disa vende, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i paguajnë njësoj, si atletët e sporteve individuale, si ata të sporteve të ekipit, ndërsa vende të tjera i shpërblejnë me më pak para atletët e sporteve të skuadrës. Sllovakia, për shembull, premton rreth 56.000 dollarë në rast fitoreje të një medalje ari në një sport individual dhe mesatarisht 17.000 dollarë për çdo pjesëtar të një ekipi fitues të medaljes së artë.
Shuma e saktë mund të rritet ose të ulet lehtë për çdo atlet të një ekipi, në varësi të mënyrës se si Komiteti Olimpik dhe Sportiv Sllovak e vlerëson rëndësinë e tyre për ekipin e tyre.
Vendet që nuk ofrojnë bonuse
Ndërsa ofrojnë lloje të tjera mbështetjesh, Anglia, Islanda dhe Norvegjia nuk parashikojnë ndonjë bonus në para në rast të fitores së një medalje. Ndër të tjera, Norvegjia ishte vendi që u rendit i pari në tabelën e medaljeve të Olimpiadës PyeongChang 2018, me gjithsej 39 medalje të fituara.
Disa vende e konsiderojnë bonusin e medaljes si të ardhura të tatueshme, ndërsa të tjerë e përjashtojnë atë. Danimarka, për shembull, e cila ka disa nga normat më të larta të taksave në botë, i shpërblen atletët me rreth 15,000 dollarë, duke mos përfshirë taksat, në rast të fitores së një medalje ari në sporte individuale. Çmimet mund të shtrihen edhe për trajnerët dhe stafin mbështetës nga disa delegacione, si Koreja e Jugut.
Olimpiadat e Pekinit 2022 – 12 vendet që shpërblejnë më shumë atletët për një medalje ari, mes tyre edhe Kosova
1.Hong Kong
Shpërblimi i Medaljes së Artë: 642.000 dollarë
Hong Kongu nuk ka fituar asnjë medalje në pesë pjesëmarrjet e fundit në Lojërat Olimpike Dimërore, por gjithsesi dha të njëjtin çmim të madh në Lojërat Verore të vitit të kaluar. Cheung Ka-long (atlet i skermës) fitoi një medalje të artë për meshkuj në Tokio, duke u shpërblyer me 5 milionë dollarë Hong Kongu (rreth 642.000 $ me kursin aktual të këmbimit) sipas Henderson Land Commendation Scheme për atletët Atletët Elitë.
2.Turqia
Shpërblimi i Medaljes së Artë: 383.000 dollarë
Një fitore në vendin e parë në një garë olimpike individuale vlen afërsisht 380.000 dollarë dhe atletët mund të fitojnë edhe gjysmën tjetër të kësaj shume në rast të thyerjes së një rekordi në Lojërat Olimpike. Fituesit (individualë) të medaljes së artë mund të sigurojnë gjithashtu një pension mujor sa dyfishi i pagës minimale neto. Turqia ka konkurruar në 17 Lojëra Olimpike Dimërore, por ajo nuk ka fituar ende një medalje në borë apo akull.
3.Malajzia
Shpërblimi i Medaljes së Artë: 238.000 dollarë
Kjo është vetëm hera e dytë e pjesëmarrjes së Malajzisë në Lojërat Olimpike Dimërore, e cila këtë vit do të përfaqësohet nga skiatorët Aruëin Salehhuddin e Jeffrey Webb. Në rast se ata do të fitojnë një medalje të artë, do të shpërblehen me rreth 238.000 dollarë nga qeveria, plus do të marrin një kompensim mujor të përjetshëm prej rreth 1.200 dollarësh.
Disa vende në të njëjtën mënyrë u ofrojnë fituesve të medaljeve pensione, duke përfshirë Kroacinë, me 11 medalje në historinë e saj të Lojërave Olimpike Dimërore. Vendi do t’i shpërblejë fituesit e medaljeve me një kompensim të përjetshëm, duke filluar nga mosha 45 vjeç: 100% të pagës mesatare neto për fituesit e medaljes së artë (afërsisht 1,100 dollarë në 2021), e cila zbret në 80% për fituesit e medaljes së argjendtë dhe 60% për fituesit e medaljes së bronztë
4.Italia
Shpërblimi i Medaljes së Artë: 201.000 dollarë
Italia është një fuqi olimpike, duke u renditur e 7-a sa i përket numrit total të medaljeve në Lojërat Olimpike Verore të Tokios vitin e kaluar, me 40 medalje, si dhe e 13-ta në Lojërat e fundit Olimpike Dimërore, në PyeongChang në 2018-n, me 10 medalje. Kjo i bën shpërblimet edhe më tërheqëse. Duke paguar rreth 212.000 dollarë për medalje ari, 106.000 dollarë për medalje argjendi dhe 71.000 dollarë për medalje bronzi – me kursin e këmbimit të verës së kaluar – dhe të njëjtën shumë për atletët në lojë skuadre – vendi shpenzoi më shumë se 9 milionë dollarë për atletët e tij në Tokio.
5.Qipro
Shpërblimi i Medaljes së Artë: 168,000 dollarë
Qiproja e vogël ka marrë pjesë në çdo Olimpiadë Dimërore që nga viti 1980, kurse këtë vit do të përfaqësohet në Pekin me skiatorin Yianno Kouyoumdjian. Edhe pse vendi nuk ka fituar kurrë një medalje në borë, Organizata e Sporteve të Qipros do të paguajë për një rezultat kudo në 16-shen e parë: afërsisht 168.000 dollarë për një medalje të artë, 140.000 dollarë për medalje argjendi dhe 123.000 dollarë për medalje bronzi, deri në 11.000 dollarë për vendin e 16-të.
6.Letonia
Shpërblimi i Medaljes së Artë: 159.000 dollarë
Letonia do t’i paguajë atletët në Lojërat Olimpike deri në një shumë të caktuar bazuar në buxhetin e qeverisë. Këtë vit, atletët do të shpërblehen deri në 142.288 euro (afërsisht 159.000 dollarë) në rast të fitores së një medalje ari në sportet individuale; kurse ekipet do të marrin deri në 426.862 euro (477.000 dollarë) – një shumë e cila do të ndahet. Dhe ashtu si vendet e tjera duke përfshirë Gjermaninë dhe Lihtenshtajnin, Letonia do të shpërblejë edhe atletët që renditen poshtë podiumit; pagesat shtrihen deri në vendin e gjashtë.
7.Hungaria
Shpërblimi i Medaljes së Artë: 156.000 dollarë
Në Hungari, edhe fituesit e medaljes së bronztë do të marrin shpërblime në thuajse 6 shifra: 28.5 milionë forinta, ose afërsisht 89,000 dollarë. Shpërblimi për një medalje argjendi është 111.000 dollarë. Shpërblimet shtrihen deri në tetë vendet kryesore në çdo garë.
8.Bullgaria
Shpërblimi i Medaljes së Artë: 143.000 dollarë
Atletët e sporteve individuale të Bullgarisë kanë të drejtën të shpërblehen deri në rreth 143.000 dollarë për çdo medalje ari, sipas bilancit të Ministrisë së Rinisë dhe Sporteve. Por, megjithatë, qeveria thotë se atletët kanë marrë gjithnjë shifrën maksimale.
9.Lithuania
Shpërblimi i Medaljes së Artë: 143.000 dollarë
Atletët që do të fitojnë një medalje të artë në Pekin do të shpërblehen me 3,049 BSB, ose rreth 143,000 dollarë të vlerës aktuale. Vendi i tetë vlen 153 BSB, ose rreth 7,000 dollarë.
10.Kosova
Shpërblimi i Medaljes së Artë: 123.000 dollarë
Kosova është një hyrje e re në skenën olimpike, e cila do të përfaqësohet me dy skiatorë – Kiana Kryeziu e Albin Tahiri. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Kosovës do të paguajë rreth 112.000 dollarë për çdo medalje ari individuale, kurse Komiteti Olimpik Kombëtar do të paguajë rreth 11.000 dollarë. Atletët mund të përfitojnë edhe 112.000 dollarë nga qeveria në rast të një thyerjes së një rekordi në Lojërat Olimpike. Kosova nuk është i vetmi vend që ofron pagesë shtesë për vendosjen e një rekordi të ri. Qeveria portugeze, për shembull, do të paguajë rreth 56.000 dollarë për medalje ari, plus rreth 17.000 dollarë për një rekord.
11.Estonia
Shpërblimi i Medaljes së Artë: 112.000 dollarë
Komiteti Olimpik i Estonisë do t’I shpërblejë atletët me rreth 112.000 dollarë për çdo medalje të artë individuale, 78.000 dollarë për medalje argjendtë dhe 50.000 dollarë për medalje bronzi. Ndër të tjera, Komiteti, në rast të një fitore me medalje të artë do të rrisë pagën e një atleti. Ndërsa të gjithë atletët e “nivelit A” marrin çdo muaj një pagë rreth 2.800 dollarë dhe afërsisht 2.500 dollarë për stërvitje – paga e tyre mujore do të rritet në 4.500 dollarë për dy vjet, me të njëjtin financim përgatitor, në rast se fitojnë një medalje të artë.
12.Republika Çeke
Shpërblimi i Medaljes së Artë: 110.000 dollarë
Republika Çeke do të përfaqësohet në Lojërat Olimpike të Pekinit me 116 atletë, duke u barazuar me Suedinë për delegacionin e nëntë më të madh në garë – edhe pse 48 janë nga skuadra e hokejit për meshkuj dhe femra. Atletët e sporteve në ekip marrin shpërblime më të vogla nga Agjencia Kombëtare e Sporteve sesa atletët e sporteve individuale për medaljen e artë, të argjendtë dhe të bronztë, përkatësisht 110.000, 82.000 dhe 55.000 dollarë.
/ Brett Knight, Forbes