Sa herë që kryejnë një transaksion, bizneset duhet të verifikojnë nëse subjekti që faturojnë është me status aktiv, pasi nëse rezulton se është me status pasiv, ata gjobiten me 10 mijë lekë. Që nga janari, ky verifikim është shtuar në një punë shtesë për ekonomistët e subjekteve, që janë ankuar shpesh se pse duhet të penalizohen subjektet active për këto faturime.
Deri në datën 5 prill, kur është bërë dhe përditësimi i fundit, ishin rreth 122 mijë subjekte me status pasiv në vend.
Së fundmi, tatimet kanë nxjerrë një tjetër kujtesë për tatimpaguesit:
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bazuar në ligjin nr.9920 datë 19.05.2008, “Për procedurat tatimore në RSH, i ndryshuar, si dhe udhëzimit nr. 10, datë 15.03.2019 “Për disa shtesa dhe ndryshime në udhëzimin nr. 24, datë 02.09.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar”, informon se çdo tatimpagues përpara se të hyjë në një transaksion me një tatimpagues tjetër, duhet të verifikojë statusin e tij dhe të sigurohet që blerësi apo shitësi është tatimpagues me status “Aktiv” dhe mund të kryejë transaksione.
📍Për tatimpaguesit me status “Pasiv”
Do të konsiderohet shkelje administrative, çdo transaksion i kryer nga tatimpaguesit, persona fizikë apo juridikë, tregtarë, të cilët në datën e kryerjes së transaksionit rezultojnë të jenë me status pasiv.
📍Për tatimpaguesit me status “Aktiv”
Me përjashtim të transaksioneve të kryera nga subjekte që ushtrojnë aktivitet në fushën e telekomunikacionit, shitjes së energjisë dhe ujit për konsumatorët finalë, sigurimeve, si dhe në rastet kur janë lidhur kontrata afatgjata “leasing”, do të konsiderohet shkelje administrative çdo transaksion i kryer nga tatimpaguesit aktiv, persona fizikë apo juridikë tregtarë, me tatimpagues të cilët janë me status pasiv.
Të gjithë tatimpaguesit mund të konsultojnë listën e tatimpaguesve të cilët kanë kaluar në regjistrin pasiv në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve (https://ëëë.tatime.gov.al/c/8/129/132/subjekte-pasive). Kjo listë përditësohet çdo ditë pune.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.