Veturat e reja që hynë në Kosovë tash e tutje nuk do t’i nënshtrohen procesit të homologimit. Gjatë ditës së djeshme është bërë e ditur se Qeveria e Kosovës ka marr vendim që të anulohet ky proces. Bashkimi Evropian e ka mirëpritur vendimin e Ministrisë së Infrastrukturës që të anulohet homologimi për veturat e reja të importuara. Ndryshe, çdo makinë e importuar në Kosovë duhet t’i nënshtrohej një kontrolli rutinor i quajtur homologim, që kushtonte hiç më pak se 125 euro.
Bashkimi Evropian e ka mirëpritur vendimin e Ministrisë së Infrastrukturës që të anulohet homologimi për veturat e reja të importuara.
Përmes një reagimi, nga BE kanë shkruar se kjo po shihet si hap i duhur për heqjen e barrierave për tregti që janë të dëmshme për konsumatorët e Kosovës.
Të njëjtët kanë kërkuar kjo qasje të zbatohet për të gjitha automjetet e importuara që përputhen me standardet e BE, përfshirë automjetet e dorës së dytë.
“Bashkimi Evropian Kosova mirëpret vendimin e Ministrisë së Infrastrukturës që të anulojë homologimin për automjete të reja të importuara ,të prodhuara për tregun e BE-së, si hapi i duhur për heqjen e barrierave për tregti që janë të dëmshme për konsumatorët e Kosovës. Ne presim që e njëjta qasje të zbatohet për të gjitha automjetet e importuara që përputhen me standardet e BE përfshirë automjetet e dorës së dytë”, shkruhet në reagimin e BE-së.
Tre muaj më parë ndërkaq në Kuvend të Kosovës është miratuar rezoluta për heqjen e monopolit në homologim. Në këtë seancë u kërkua që të shfuqizohet udhëzimi administrativ për procedurën për homologim dhe të hyjë në fuqi një udhëzim i ri administrativ.
Kjo që deri në fund të vitit të liberalizohet tregu i homologimit të automjeteve dhe sipas tij, urgjent duhet të merren masa për ndryshime legjislative që të ndërrohen monopolet.
Për këtë kishin reaguar nga Bashkimi Evropian dhe ambasada amerikane.
Në Kuvend të Kosovës për këtë çështje ishte dorëzuar edhe një peticion i nënshkruar nga më shumë se 10 mijë qytetarë.
Kurse, kandidati për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëherësh ekonomisti, Hekuran Murati, i është gëzuar vendimit të ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit për largimin e homologimit për veturat e reja që vijnë nga Bashkimi Europian.
Gjithsesi ministria nuk ka marrë vendim për heqjen e homologimit për veturat e përdorura që vijnë nga BE’ja. E për këtë Murati thotë se do të ndodhë shumë shpejt.
“Dhe ja, gjërat fillojnë të vijnë në vend ende pa e marrë mandatin Qeveria e re. Efektet po vërehen që tani”, ka thënë Murati.
“Së shpejti do të hiqet obligimi për homologim edhe për veturat e përdorura, gjë që e kanë kërkuar mbi 10 mijë qytetarë me peticion, e madje edhe vetë BE-ja”, shton ai.
Kundër monopolit të Devollëve në homologim ishin shprehur edhe ambasadori gjerman në Kosovë dhe Oda Amerikane.
Ambasadori gjerman, Christian Heldt ka thënë se nuk e kupton se si veturat që vijnë me të gjitha dokumentet dhe kontrollat e nevojshme, duhet t’i nënshtrohen edhe një kontrolli tjetër nga kompania private, që në këtë rast është e Devollit.
“Vetëm një ambasador i gjorë që po provojë të kuptojë logjikën se si shkojnë procedurat: Veturat e reja nga Evropa importohen në Kosovë me dokumente të kompletuara për homologim. Por pastaj, gjithçka duhet të kontrollohet edhe njëherë nga një monopol lokal që duhet të paguhet më shtrenjtë në gjithë BE-në??”, ka shkruar Heldt në Tëitter.
Edhe Oda Amerikane ka shprehur shqetësimet e saj lidhur me monopolin në homologimin e automjeteve nga Devollët, duke thënë se kjo pengon konkurrencën, promovon praktikat e padrejta të ofrimit të shërbimeve dhe rrit shpenzimet e bizneseve dhe qytetarëve.
“Të pasurit e një operatori të vetëm të homologimit pengon konkurrencën e lirë, e rrjedhimisht edhe efikasitetin që do të rezultonte nga ofrimi i shërbimit nga më shumë operatorë, si në aspekt të shmangies së çmimeve të larta, por edhe të rritjes së disponueshmërisë së shërbimeve të diversifikuara për publikun. Sistemi aktual i homologimit të automjeteve pengon lirinë e ofrimit të shërbimeve, e cila ka për efekt ndëshkimin e konsumatorëve me shpenzime shtesë logjistike nga marrja e shërbimit në një lokacion të vetëm”.
Një reagim të njëjtë e ka pasur edhe shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova.
Ndryshe, çdo makinë e importuar në Kosovë duhet t’i nënshtrohet një kontrolli rutinor i quajtur “homologim”. Ky lloj kontrolli bëhet vetëm për t’i inkasuar 125 euro.
Pra, secili qytetar apo kompani që blen vetura, detyrohet t’i nënshtrohet homologimit në Qendrën e Automjeteve të Kosovës (QAK), e cila është pronë e Shkëlqim Devollit nga Peja.
Kurse tash e tutje qytetarët mund të blejnë vetura të reja nga vendet e BE’së dhe nuk do të kenë nevojë që të paguajnë homologimin tek kompania “EuroLab” që deri sot ka pasur monopolin në këtë fushë. Për këtë ka pasur kundërshtime të shumta.
Bashkimi Europian ka përkrahur lajmin për largimin e homologimit për vetura të reja, por gjithsesi ka kërkuar që kësaj pune të i shkohet deri në fund dhe të largohet obligimi për homologim edhe për veturat e përdorura që vijnë nga vendet anëtare të bllokut. /Monitor.al/.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.