Numri i këmbësorëve që kanë humbur jetën në komunikacionin rrugor krahasuar me vitin e kaluar është rritur dukshëm në Kosovë. Sipas statistikave të Policisë krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar, këtë vit, numri i këmbësorëve të vdekur është rritur për tetë persona.
Për këtë qëllim, Policia e Kosovës respektivisht Divizioni i Trafikut Rrugor, në përkrahje nga Departamenti Koordinues për Siguri Rrugore në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit kanë lanuar fushatën “Të gjithë jemi këmbësorë”.
Në kuadër të këtij aktiviteti në të cilin morën pjesë zyrtarë të lartë nga Policia e Kosovës dhe Ministria, është bërë edhe shpërndarja e fletushkave, që kanë për qëllim sensibilizimin e pjesëmarrësve në trafik, sidomos këmbësorëve, të cilët janë kategoria më e rrezikuar në trafikun rrugor.
Përdorimi i rrugës duhet të përdoret në mënyrë sociale, që nënkupton se këmbësorët duhet të respektojnë vendkalimet për këmbësorë dhe vendet e tjera të lejuara. Gjithashtu edhe shoferët duhet të lëvizin konform rregullave të trafikut, duke mos penguar pjesëmarrësit e tjerë.
Zyrtar të Policisë së Kosovës kanë treguar se qëllimi i kësaj fushate është që të ndërgjegjësojnë pjesëmarrësit në trafik, në mënyrë që të ulet numri i vdekjeve të këmbësorëve.
Kolonel Jeton Rexhepi tha se qëllimi i kësaj fushatë është që të ndërgjegjësojnë pjesëmarrësit në trafik, në mënyrë që të ulet numri i vdekjeve të këmbësorëve.
“Numri i aksidenteve në përgjithësi por edhe i atyre me fatalitet të jetë më i vogël apo të jetë më i reduktuar” , tha Rexhepi.
Fejzullah Musfafa nga Departamenti Koordinues i Këshillit për Sigurinë e Komunikacionit Rrugor në Ministrinë e Infrastrukturës, tha se kjo fushatë është në vazhdën e angazhimeve për ngritjen e sigurisë në trafik.
“Ne nuk do të ngelim me kaq, prapë do të kemi edhe fushata të tjera vetëdijesuse, që tani jemi duke punuar edhe në projekte të reja që do t’i kemi bashkërisht me Policinë e Kosovës, në fund ju falënderoj të gjitha mediave sepse jeni duke bërë një punë jashtëzakonisht të mirë duke sensibilizuar situatat e sigurisë rrugore”.
Kjo fushatë ka për qëllim sensibilizimin e këmbësorëve për sigurinë në trafik.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.