Zbardhen 13 masat, që duhen të merren deri në fund të vitit dhe qw synojnwë uljen e huave me probleme. Dokumenti që synon uljen e NPL në më pak se 16% brenda dy viteve parasheh angazhim edhe të institucioneve jashtë sistemit bankar. Një sërë nenesh duhet të ndryshojnë në Kodin e Procedurës Civile dhe gjithashtu një duzinë me procedura të reja duhet të aplikohen për regjistrimin e pasurive në gjykata.
1 -Hartimi i Ligjit të ri të falimentit
Institucioni përgjegjës Ministria e Drejtësisë. Tetor 2015 afati i dërgimit në Parlament
Drafti është përgatitur në bashkëpunim me IFC. Ligji synon të rregullojë ristrukturimin hibrid të borxhit, (ristrukturim jashtëgjyqësor që certifikohet nga gjykata).
2-Ndryshime në Kodin e Procedurës Civile
Institucioni përgjegjës Ministria e Drejtësisë, tetor 2015 afati i dërgimit në Parlament
2.1 vendosja e tarifës së suksesit për përmbaruesit (kombinuar me ndryshime të mundshme në ligjin për shërbimin përmbarimor)
2.2 Rishikimi i nenit 609 të K.pr. civile. Vendosja e një afati parashikimi (nga momenti i përfundimit të procesit të ekzekutimit, lidhur me të drejtën e debitorit për paraqitjen e kërkesës për pavlefshmëri. Dhe ose të hiqet e drejta për të kërkuar pavlefshmërinë e titullit ekzekutiv për rastin kur debitori pretendon se detyrimi ekziston në një masë më të vogël, duke hequr nga paragrafi parë i nenit 609 “ose ekziston në një masë më të vogël”. Ndërkohë t’i jepet e drejta debitorit që të kërkojë këtë të drejtë nëpërmjet padisë për shkaktim dëmi.
2.3 Rishikimi i vazhdimit të proceseve gjyqësore për rivlerësim kolateralesh pas përfundimit të ekzekutimit të kolateraleve. Kodi i procedurës civile është shprehur në mënyrë të qartë dhe eksplicite se çfarë ndodh me gjykimin në lidhje me kundërshtimin e vlerësimit të bërë nga eksperti i caktuar nga përmbaruesi, i cili vazhdon ndërkohë që përfundon ekzekutimi i sendit kolateral.
2.4 Rishikim i nenit 511 i kodit të procedurës civile. Në vendimin e lëshimit të urdhrit të ekzekutimit të përcaktohet se nga data e lëshimit të urdhrit të ekzekutimit deri në përmbushjen e detyrimit të parashikuar në të, kalkulohet interesi ligjor.
2.5 Kufizimi i kodit të procedurës civile i së drejtës së kundërshtimit gjyqësisht të çdo njoftimi apo veprimi përmbarimor, si p.sh. të njoftimit vullnetar.
2.6 Çmimi në ankand. Marrja në konsideratë në procesin e ankandit që zhvillohet nga përmbaruesi gjyqësor, çmimet e referencës të caktuara nga organet shtetërore (si një çmim dysheme) dhe çmimin e vlerësuar të kolateralit në momentin e dhënies së kredisë si një çmim tavan, duk u hequr kështu të drejtën palëve për të ankimuar vendimin e përmbaruesit.
3.Ndryshime në ligjin nr 33/2012 “ për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”
Institucioni përgjegjës Ministria e Drejtësisë, tetor 2015 afati i dërgimit në Parlament
3.1 Pika 2 e nenit 46 të ligjit, bërja detyruese e regjistrimit të kontratave të sipërmarrjes/porosisë mbi ndërtimet e reja, për të rritur sigurinë ndaj palëve të treta që mund të jenë banka kredituese
3.2 Në udhëzimin nr.3 “Përcaktimin e kritereve e të procedurave për regjistrimin e lejes së ndërtimit”, në kreun I të përcaktohet mundësia dhe detyrimi i subjektit për të regjistruar lejen e ndërtimit brenda një afati të përcaktuar.
Neni 3.3 neni 47 i ligjit-të rishikohet çështja e regjistrimit të karabinave dhe statusi i mëtejshëm në këtë pasuri kur kalon në pronësi të një banke kreditore në përfundim të procedurave përmbarimore. Shqetësuese është pamundësia e transaksioneve me këto pasuri të paluajtshme, çka përbën një ngërç ligjor për bankat kreditore, duke i penalizuar ato për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve nga shoqëritë ndërtuese.
4 -Ndryshime në ligjin “për barret siguruese”
Institucionet përgjegjëse, Ministria e Financave, e Drejtësisë dhe Ekonomisë, tetor 2015 afati i dërgimit në Parlament
Rishikimi i termave “pasuri e paprekshme”, “instrument”, “letër me vlerë” dhe “llogari”.
5- Propozim i shoqatës së bankave:
Institucionet përgjegjëse, Ministria e Financave, e Drejtësisë dhe drejtoria e Përgjithshme e tatimeve, afati tetor 2015
Nevojiten ndryshime në ligjin për procedurat tatimore, duke vendosur kritere dhe kufizime në lidhje me vendosjen e sekuestros mbi pasuritë që shërbejnë si kolateral për kreditorë të siguruar (bankat) dhe kjo sekuestro mund të vendoset vetëm pasi të jene verefikuar se, debitori nuk ka pasuri të tjera të lira.
6-Shtyrje e afatit të masave të marra nga Banka e Shqipërisë mbi koeficientet e rrezikut dhe ristrukturimin e kredive më probleme.
Afati 5 shtator, përgjegjësia Banka e Shqipërisë
Masat e ndërmarra në vitin 2013 nga banka e Shqipërisë që janë në fuqi aktualisht. Ndryshimi i koeficientit të riskut (ne zero) për peshimin e kredive të reja të dhëna nga bankat në intervalin 4-10 % rritje, duke marrë të njëjtën datë reference si për aplikimin e koeficienteve të riskut për investimet e bankave jashtë dhe ndryshimi për lehtësimin e ristrukturimit të kredive me probleme
7-Ndryshimi i terminologjisë në rregulloren për fshirjen e kredive me probleme
Banka e Shqipërisë shtator 2015
Zëvendësimi i termit “fshirje” me termin “riklasifikim në zërat jashtë bilancit”. Për qartësi në paragrafin përkatës në rregullore të përcaktohet që detyrimet e debitorit nuk fshihen pas klasifikimit së kredisë në zërat jashtë bilancit.
8-Ndryshimi i limitit një vjeçar për mbajtjen nga bankat të kolateralit të marrë
Banka e Shqipërisë shtator 2015
Nevojitet të hulumtohet nëse përtej ndryshimit rregullator, mund të nevojitet edhe një ndryshim ligjor.
9-Trajtimi i 35 grupeve/kompanive me përqindjen më të lartë të borxhit
Banka e Shqipërisë tetor 2015
Analizim i plotë dhe marrje masash për adresim të borxhit
10-Përmirësim i kuadrit mbi shitjen e NPL
Banka e Shqipërisë dhjetor 2015
11-Përmirësim i regjistrit të kredive
Banka e Shqipërisë dhjetor 2015
Të shtohen çështjet gjyqësore në proces dhe të vendoset një sistem pikësimi (credit Scoring)
12 Dhënia e kredive vetëm në bazë të deklaratave tatimore
Banka e Shqipërisë dhjetor 2015
Detyrim për bankat duke filluar nga janari 2018
13-marrëveshje Kuadër për ristrukturimin jashtëgjyqësor të borxhit
Banka e Shqipërisë dhjetor 2015
Hulumtimi i mundësisë së adoptimit të një marrëveshje kuadër të bankave për dakordësi paraprake për ristrukturimin jashtëgjyqësor të borxhit.
Intervistë
Guvernatori i Malit të Zi: Monitorimi i rreptë i bankave dhe shmangia e falimentit ulen NPL-të
Nga më shumë se 22 % në vitin 2010 kreditë e këqija në Malin e Zi ranë në fund të 2014 më pak se 17 për qind. Për shkak se “Modeli Podgorica” u shndërrua në një referencë suksesi në Rajon “Monitor” ka intervistuar pak kohë më parë guvernatorin e Malit të Zi, z. Milojica Dakić, i cili ka sjellë përvojën e institucionit që ai drejton në reduktimin e NPL-ve, ndërsa nuk mungojnë as rekomandimet për qeverinë shqiptare.
Sipas tij ristrukturimi i kompanive ka qenë në thelb të planit “Podgorica”, duke u preferuar dukshëm ndaj falimentimit të tyre. Z. Dakić pohon se, ka pasur vullnet politik dhe një konsensus të përgjithshëm të të gjithë faktorëve të rëndësishëm në sistemin e Malit të Zi për t’u marrë me zgjidhjen e kredive me probleme në sektorin bankar, duke përfshirë të gjithë aktorët që mund të jepnin kontributin e tyre. Ky është rekomandimi që ai jep për Shqipërinë, teksa thekson se, nëse çështja do të mbetet brenda bankës qendrore, ka pak gjasa për të pasur sukses.
Kemi mësuar se përqasja juaj për sa i përket reduktimit të NPL-ve ka qenë shumëplanëshe. A kishte një vullnet politik në Mal të Zi që ndihmoi në hartimin dhe zbatimin e strategjisë për të reduktuar huat me probleme?
Unë mund të them se ka pasur konsensus të përgjithshëm të të gjithë faktorëve të rëndësishëm në sistemin e Malit të Zi për t’u marrë me zgjidhjen e kredive me probleme në sektorin bankar, duke përfshirë të gjithë aktorët që mund të jepnin kontributin e tyre. Nuk ka dyshim që ka pasur vullnet politik për të zgjidhur këtë çështje. Kjo është mbështetur nga fakti që akti kyç rregullator, që është Ligji për Ristrukturimin Financiar Vullnetar ndaj institucioneve Financiare, u miratua në Parlament në prill 2015. Përfaqësues të Ministrisë së Financave, Federatës së Punëdhënësve të Malit të Zi, Dhomës së Tregtisë dhe Shoqatës së Bankave të Malit të Zi morën pjesë në hartimin e këtij ligji. Ata, në mënyrë unanime, e mbështetën konceptin e ligjit.
A mund të shpjegoni cilat kanë qenë masat strategjike të ndërmarra për të reduktuar NPL-të në Mal të Zi?
Ne presim që zbatimi i ligjit të mësipërm do të jetë faktori kyç i veprimeve në të ardhmen e afërt dhe do të rezultojë me një reduktim të NPL-ve. Ky ligj i mundëson si bankat ashtu dhe debitorët në sistemin bankar të fillojnë procesin e ristrukturimit të huas, duke synuar të përmirësojnë pozicionet e tyre dhe të krijojnë perspektivë për debitorët që të konsolidojnë situatën financiare dhe të vazhdojnë me veprimtarinë e rregullt të bizneseve. Banka qendrore e Malit të Zi ka përdorur aktet e saj rregullatore për të angazhuar bankat që ato të përcaktojnë në mënyrë precize strategjitë e tyre në këtë drejtim dhe të identifikojnë mundësitë e ristrukturimit për çdo hua individuale që ata përcaktojnë se do të përmirësojë pozicionin e vetë bankës, si dhe pozicionin e debitorit.
Si u zbatua konkretisht procesi. Si u shmang impakti social nëse ka pasur raste kur kompanitë u çuan për faliment?
Banka Qendrore e Malit të Zi monitoron ndikimin e hapjes së procedurave të falimentimit në kompanitë domethënëse dhe vlerëson implikimin dhe efektin në stabilitetin financiar. Në kontekst të kësaj pyetjeje, duhet të theksoj se përpjekjet tona për të zbatuar kuadrin ligjor, që synon të reduktojnë në mënyrë domethënëse NPL-të, treguan se ne u munduam të parandalojmë mundësinë e falimentimit të kompanive. Në këtë drejtim, ne e shohim ristrukturimin e huave si një mekanizëm që kontribuon gjerësisht në eliminimin e arsyeve për falimentim. Edhe në rast falimentimi, ristrukturimi i huas mbetet një element i rëndësishëm që mundëson riorganizimin e kompanisë përmes procedurave të falimentimit. Kjo përqasje është në përfitim të të gjithë aktorëve për shkak se mundëson ruajtjen e kompanisë dhe aktiviteteve të saj. Këto raste janë relativisht të zakonshme, për shkak se është më mirë të përpiqesh të japësh një shans sesa të shesësh kompaninë menjëherë dhe në këtë mënyrë, të përmbushësh detyrimin kundrejt kreditorëve, duke rezultuar në një mbyllje komplete të kompanisë.
Cilat kanë qenë masat specifike të ndërmarra nga Banka qendrore për sa u përket ligjeve dhe rregulloreve për reduktimin e NLP-ve?
Në fund të vitit 2013, banka qendrore e Malit të Zi amendoi Vendimin për Standardet Minimale për Menaxhimin e Riskut të Kredisë në Banka. Ky vendim përcakton se bankat janë të detyruara të zhvillojnë një strategji për trajtimin e kredive me probleme, vendosjen e objektivave vjetore operacionale dhe dorëzimin e raporteve tremujore te banka qendrore për zbatimin e këtyre objektivave. Qëllimi i miratimit të kësaj rregulloreje ishte që t’i shtynte bankat të merreshin me reduktimin e NPL-ve, në një mënyrë sistematike dhe të organizuar. Bankat përcaktojnë objektivat operacionalë që synojnë të reduktojnë NPL-të, duke marrë në konsideratë nivelin e NPL-ve në çdo bankë individuale, kapacitetet aktuale operacionale të personave që merren me NPL-të, dhe nevojën për të përdorur kriteret e qëndrueshmërisë kur vlerësohen marrëveshjet e rimëkëmbjes. Si rrjedhojë, ne u kërkuam bankave të konsiderojnë situatën aktuale në mënyrë që të përmirësonin kornizën dhe përqasjen për adresimin e kredive me probleme. Përshtatja e rregulloreve të sipërpërmendura ishte e një rëndësie të veçantë në periudhën përpara miratimit të ligjit, që parashikonte zbatimin e dispozitave të së ashtuquajturës përqasja ‘Podgorica’.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.