Kosova feston sot 13-vjetorin e shpalljes si shtet i pavarur. 17 Shkurti 2021 shënon ditën kur shteti i Kosovës mbush 13 vjet prej kur është shpallur i pavarur. Për nder të këtij përvjetori janë organizuar një sërë aktivitete nga institucionet e vendit.
Të dielën e 17 Shkurtit 2008, në orën 15:39, në Kuvendin e Kosovës u lexua Deklarata e Pavarësisë.
Kosova e pavarur menjëherë nisi të njihej nga shtetet mike. Ky proces u bë i zakonshëm në ditët e para pas pavarësisë, ndërsa deri më tash Kosovën e kanë njohur 117 shtete. Vendi i fundit që e njohu Kosovën është Izraeli.
Edhe monumenti Newborn ka ndryshuar pamjen me rastin e 17 Shkurtit, ditës së pavarësisë së Kosovës. Këtë vit janë duart me ngjyrën e ushtrisë që kanë zënë vend në shkronjat e këtij monumenti.
Përmes kësaj synohet që t’i tregohet botës se jemi bashkë, si në ditën kur u shpall pavarësia dhe të gjithë lamë një shenjë, dhe se jemi të njëzëshëm për sakrificën dhe flijimin e të gjithë atyre që dhanë jetën, që ne të jetojmë në paqe.
Motoja e këtij monumenti sivjet është “E prumë paqen bashkë”.
Për nder të kësaj dite është ngritur flamuri shtetëror nga Garda Ceremoniale e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK), në oborrin e Qeverisë.
Në këtë ceremoni morën pjesë ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, si dhe kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti.
Për nder të këtij përvjetori janë organizuar një sërë aktivitetesh nga institucionet e vendit.
Në bazë të agjendës shtetërore të aktiviteteve për Ditën e Pavarësisë së Kosovës mbahen homazhe në Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz, te varri i Presidenit Rugova si dhe te Varrezat e Dëshmorëve nëpër komunat e Kosovës.
Manifestimi qendror për shënimin e Pavarësisë mbahet në Forcën e Sigurisë së Kosovës në të cilën do të marrin pjesë ushtruesja e detyrës, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti si dhe figura tjera publike.
Gjatë kësaj dite, po ashtu do të organizohen gara sportive nga federatat e ndryshme të sporteve si dhe do të hapen ekspozita dhe koncerte nga institucionet kulturore në vend.
Edhe Qendra Kinematografike e Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit shfaqin filma kosovar me rastin e trembëdhjetë vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Për nder të 13-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës edhe Shoqata Miqtë e Amerikës do ta ndërrojë flamurin amerikan.
Në këtë mënyrë, edhe një herë Shoqata Miqtë e Amerikës ka deklaruar se dëshiron të theksojë faktin që sponsorues i formimit të shtetit të Kosovës janë SHBA dhe aleatët e tyre, andaj do ta repektojnë duke e vendosur një flamur të ri.
Të dielën e 17 Shkurtit 2008 në Kuvendin e Kosovës u lexua Deklarata e Pavarësisë.
Rreth orës 15:30, kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi, i kishte dhënë fjalën kryeministrit Hashim Thaçi për ta lexuar Deklaratën e Pavarësisë. Në ora 15:39 Kosova veçse ishte e pavarur.
Nga ai çast, Kosova u shpall e pavarur derisa në Ballkan u konfirmua edhe një shtet i ri.
Kosova e pavarur menjëherë nisi të njihej nga shtetet mike. Ky proces u bë i zakonshëm në ditët e para pas pavarësisë, ndërsa deri më tash Kosovën e kanë njohur 117 shtete. Vendi i fundit që ka njohur Kosovën është Izraeli.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.