Në internet keni parë celularin që keni ëndërruar dhe pasi keni pyetur vërdallë, kushton më lirë se në Tiranë? “Victoria’s Secret” ka bërë ulje marramendëse dhe nuk dëshironi që ta humbisni për asgjë në botë?
Keni mbetur pa euro kur keni udhëtuar jashtë dhe nuk keni mundur të tërhiqni në ATM?
Të gjitha këto e kanë një zgjidhje. Ju ndoshta e keni ditur, po ja që e kishit renditur në vendin e 10 në listën e gjërave tuaja. Jeni ende në kohë për ta ndryshuar situatën.
Ajo mund të jetë një kartë krediti Visa, MasterCard, American Express ose edhe kartë debiti, të cilat pranohen në të gjithë botën.
Si funksionon
Banka e Shqipërisë për vitin 2011, llogariti se në total, në qarkullim janë rreth 732,000 karta, të llojeve të ndryshme, si Visa, Master Card, Maestro, American Express etj. Pjesa më e madhe e përdoruesve kanë kartë Visa
dhe shumë pak janë me funksion krediti (rreth 38,000). Të dhënat e janarit për 2012-n flasin për rreth 954,000 veprime, me vlerë rreth 9.4 miliardë lekë. Shifrat tregojnë se në Shqipëri ende këto praktika nuk janë të përhapura masivisht,
por mund të themi se ky shërbim po evoluon.
Liberalizimi i vizave krijoi hapësira për më shumë lëvizje, përballje me eksperienca dhe nevoja deri-diku të panjohura.
Shumë nga ne nuk janë mësuar që të lëvizin pa para në xhep apo të bëjnë blerje në internet. Kjo ka të bëjë jo vetëm me çështjen e sigurisë, por edhe me njohjen e procedurave me besimin te praktikat etj.
Më poshtë do të mund të lexoni avantazhet, por edhe një guidë të shpejtë, për të kuptuar se si funksionon ky sistem.
Ajo që ndryshon nga banka në bankë janë normat e interesit, limiti i shpenzimit, procedurat e nevojshme, koha për marrjen e saj (nga 2 deri në 3 javë), shumat minimale të pagesës fillestare, këstet, interesat mbi to etj.
Një kartë krediti mundëson pasjen në dispozicion të një shume të caktuar krediti, me shlyerje të pjesshme. Shuma ndryshon edhe në bazë të pagës suaj neto. Pra, banka që ju jep kartën, ju jep një limit krediti,
për shembull nga 500 deri në 1,000 euro. Kjo do të thotë se ju mund të bëni shpenzime brenda këtij limiti. Karta e kreditit ofron avantazhin se ju mund të mos paguani gjë brenda 30-45 ditëve.
Më pas jeni të detyruar të paguani një përqindje të caktuar (10-30%) të shumës totale që keni harxhuar. Nëse shlyeni vetëm një pjesë për shumën e mbetur që keni shpenzuar, do t’ju duhet të paguani interesa,
që do t’ju zbriten nga krediti që ju ka mbetur në dispozicion. Kartat e kreditit mund të përdoren kudo, në pikat e shitjes me pakicë, dyqane, restorante, stacione karburanti, hotele, kinema etj.
Me anë të tyre mund të tërhiqni edhe para cash në ATM, qoftë edhe të ndryshme nga banka ku ju keni marrë kartën. Natyrisht, për një shumë të kufizuar dhe me interes shtesë.
Çfarë ofrojnë bankat…
Për t’ju ardhur në ndihmë, më poshtë po analizojmë praktikat e disa bankave për të marrë një kartë krediti dhe po jua lëmë ju zgjedhjen.
Raiffeisen Bank: Kjo bankë ofron kartë krediti me pagesë të pjesshme mujore. Për një pagë neto 70,000 lekë, banka ofron një limit në shumën 100,000 lekë në muaj (ose 150% të pagës suaj neto mujore).
Mund ta merrni në dy monedha, euro dhe lekë. Për ta marrë këtë kartë, ju nevojiten disa dokumente, si vërtetimi i pagës, gjendja e llogarisë bankare për 6 muaj, një mjet identifikimi dhe një faturë pagese, uji,
energjie apo telefoni. Afati i kartës është tre vjet. Ofrohet falas, nuk ka komision aplikimi ose mirëmbajtjeje. Për blerjet në internet nuk ka asnjë komision. Për blerje jashtë vendit, mbani mend se ju do të ngarkoheni me kursin ditor,
për monedhën që do të përdorni. Nëse do t’ju duhet të tërhiqni para cash nga ndonjë ATM tjetër, pra e ndryshme nga banka ku ju keni aplikuar, atëherë do t’ju mbahet komision 2 euro. Ju mund të përdorni paratë e bankës për 45 ditë,
pa paguar asnjë interes. Muajin pasardhës duhet të paguani minimalisht 10% të shumës së shpenzuar. Për shumën e mbetur do t’ju duhet të paguani interes që llogaritet nga 16-17% (me bazë vjetore).
Kjo kartë krediti ju ofron: tërheqje cash në bankomate, kryerje pagesash për mallra dhe shërbime që mbajnë logon MasterCard, blerje në internet, rezervim hoteli, marrje me qira makine, bileta avioni, telefonata ndërkombëtare etj.
Në muajin pasardhës ju do të pajiseni me një faturë përmbledhëse për të gjitha veprimet që keni bërë.
Emporiki Bank: Kjo bankë ofron kartë krediti Visa Gold. Nëse paga juaj mujore neto është më e ulët se 75,000 lekë, atëherë për të marrë një kartë krediti duhet të lini si garanci një depozitë me një shumë të caktuar (minimumi 1,200 euro).
Mund të bëni blerje deri në këtë shumë.
Në të dyja rastet (kategoria klientët normal dhe me depozitë) interesi vjetor që duhet të paguani është 20 euro (ose 2,500 lekë). Interesi vjetor është 15%, në rast vonesash mund të shkojë deri në 17.5%.
Pagesa minimale e detyrueshme llogaritet në 15% të shumës së shpenzuar. Nuk aplikohet komision për blerjet në POS ose edhe për ato të kryera jashtë shtetit. Nuk ka limit në shuma për sa i përket transaksioneve në blerje.
Për të tërhequr cash nga ATM-të, limiti është 10 transaksione, ndërsa si shumë limiti është 50,000 lekë (ose 400 euro). Dokumentacioni i kërkuar është mjeti i identifikimit dhe vërtetimi i pagës suaj.
Intesa Sanpaolo Bank: Për blerje brenda dhe jashtë vendit, në internet apo edhe për tërheqje, një nga kartat që ofron kjo bankë është edhe MasterCard Standard. Është kartë debiti që lidhet direkt me llogarinë tuaj rrjedhëse.
Banka mban komision 1.5 euro në muaj për mirëmbajtjen e kartës, ndërsa për transaksione 2.5 euro, për shuma më të larta se 100 euro do t’ju duhet të paguani si komision 2.5% të shumës. Limiti ditor për tërheqje cash është 500 euro,
ndërsa për blerje, deri në 5,000 euro.
Kjo kartë iu ofron mbajtësve kontroll mbi shpenzimet, pasi çdo veprim pasqyrohet në gjendjen e llogarisë. Në këtë mënyrë mund të verifikoni çdo transaksion. Nuk ka komision kur përdorni terminalet POS në Shqipëri.
Për marrjen e kartës do t’ju duhet të prisni deri në 3 javë. Banka ofron edhe karta me chip. Ndryshimi me kartat që punojnë me shirit magnetik ka të bëjë me faktin që karta me chip kryen transaksione nga një numër personal identifikimi (PIN).
Ky është një element shtesë për sigurinë e të dhënave tuaja dhe rrit shpejtësinë e transaksionit.
Union Bank: Kjo bankë ofron kartë MasterCard me limit nga 500 deri në 5,000 euro, në varësi të pagës suaj neto. Është ndër të paktat banka që detajon kushtet edhe në faqen e saj të internetit.
Karta ka vlefshmëri për dy vjet dhe me të drejtë rinovimi. Banka aplikon komision vjetor për lëshimin e kartës në shumën 20 euro, ndërsa interesi kreditor është 15% në vit. Për mbylljen e kartës ju nuk do të paguani, shërbimi ofrohet falas.
Ju keni në dispozicion një muaj kohë nga blerja për të mbuluar totalin e shpenzimit. Shuma minimale e pagesës është 10% e shpenzimit të kryer (duhet të kryhet deri në 18 ditë pas kryerjes së blerjes). Interesi për vonesë të pagesës është 24% në vit.
Në rast se dëshironi të kryeni tërheqje cash, limiti është deri në 30% të shumës që ka karta. Për tërheqje në bankat e tjera paguhet 2% komision. Për blerjet në internet, banka nuk mban komision.
Societe General: Banka ofron vetëm karta debiti, MasterCard Standard dhe MasterCard Gold, që nënkupton se duhet të keni një llogari tuajën rrjedhëse për të përfituar shërbimin.
Pra, veprimet do të kushtëzohen nga sasia e parave që ju do të keni në këtë llogari. Ndryshimi mes dy kartave ka të bëjë me komisionet që duhet të paguhen.
Në rastin e MasterCard Gold, duhet të paguhet tarifë anëtarësimi 1,000 lekë, ndërsa tarifa e mirëmbajtjes mujore është 300 lekë. Për MasterCard Standard, tarifa e anëtarësimit është 500 lekë,
ndërsa tarifa mujore e mirëmbajtjes është 200 lekë. Një tjetër dallim është se te karta Gold, ju keni të përfshirë edhe një sigurim, vlera e të cilit përcaktohet rast pas rasti me klientët në Shqipëri,
për aksidente individuale, vonesa në fluturim, në rast anulimi udhëtimi ose shtyrje të tij. Po kështu mund të mbulohen me rimbursim edhe rastet e aksidenteve jashtë vendit (kur është paguar me kartë).
Kartë Debiti
Një kartë debiti mundëson tërheqjen e parave nga një bankomat. Me anë të tyre mund të bëni edhe blerje, por vetëm në shumën që ju keni në dispozicion në llogarinë rrjedhëse.
Kjo kartë mund të përdoret brenda dhe jashtë vendit, si dhe për pagesat e ndryshme në internet.
Karta Elektron
Janë të ngjashme me kartat e Debitit, por jo të gjitha mund të përdoren për pagesa në internet. Ato mund të përdoren gjerësisht edhe jashtë vendit.
Karta Charge
Ofrohen nga banka dhe më e njohura është American Express. Banka do t’ju vendosë një limit shpenzimi parash çdo muaj dhe në një ditë të caktuar jeni të detyruar të paguani shumën e parave të shpenzuara.
Pesë fakte që çdo njeri duhet t’i dijë
Duhet të tregoheni të kujdesshëm në përdorimin e kartave të kreditit, veçanërisht në blerjen në internet dhe udhëtimet jashtë. Kryefjala: kur ju duhet të përdorni një kartë krediti, përdorni atë që ka komisionet më të ulëta ndërkombëtare
dhe sigurohuni që transaksioni të kryhet në monedhën e vendit ku ju ndodheni. Po ju rendisim disa rregulla që duhet t’i merrni në konsideratë, nëse do t’ju duhet të udhëtoni në Europë, më pas buzëqeshni dhe gëzojuni udhëtimit.
Rregulli numër 1
Karta e duhur e kreditit është ajo që ju ofron komisionet më të ulëta. Navigoni në internet dhe merrni informacionin e duhur mbi kartën që keni ose që duhet të merrni.
Rregulli numër 2
Asnjëherë nuk duhet të këmbeni para në pikat kufitare. Ofrojnë normat më të këqija, duke qenë se ju jeni një konsumator i zënë “rob”. Mund të konsultohesh me faqen e internetit “TravelMoneyMax.com” për t’u njohur me çdo komision apo tarifë.
Rregulli numër 3
Kartat e debitit nuk janë shumë të rekomandueshme duke qenë se kanë normat më të larta të tarifimit.
Rregulli numër 4
Nëse ju pyesin si preferoni të paguani në monedhën vendase apo euro, përgjigjuni në euro. Refuzoni çdo pagesë në monedhë tjetër me kartën tuaj të kreditit. Quhet kursi “dinamit” i këmbimit,
pasi është biznesi që vendos tarifën e shkëmbimit dhe zakonisht është më e keqja.
Rregulli numër 5
Bëni kujdes kur paguani cash në monedhën vendase. Në ditët e pushimit, tarifat e këmbimit valutor janë më të ulëta.
Të bësh zgjedhjen e duhur
Flet Erion Maxhari, drejtor i departamentit të kartave, Fibank
Fibank ofron Karta Debiti dhe Krediti. Kartat tona të kreditit ofrohen për grupe të ndryshëm, si studentë, të punësuar në institucione publike dhe private, për persona që udhëtojnë jashtë shtetit,
deri në kartë në emër të biznesit ose të firmës. Një larmishmëri kartash krediti që përmbushin të gjitha nevojat e klientëve, pavarësisht cilit grup i përkasin. Të gjithë janë të ftuar në rrjetin e kartave Fibank.
Ndryshimi thelbësor mes kartave të kreditit dhe atyre të debitit janë llogaritë me të cilat ato janë të lidhura.
Karta e debitit është e lidhur me llogarinë rrjedhëse të klientit ku veprimet mbahen nga kjo llogari me paratë e vëna në dispozicion nga vetë klienti.
Karta e kreditit është një hua që banka i mundëson klientit nëpërmjet plastikës dhe këtë, ai mund ta shlyejë në mënyra të ndryshme.
Mendoni dy xhepa në pantallonat tuaja, xhepi i djathtë është ai ku ju keni para dhe me të (pra me paratë që zotëroni) bëni pagesa të ndryshme, ndërsa xhepi i majtë është bosh.
Në xhepin e majtë vendosni paratë që prindi iu jep hua edhe përsëri me to mund të blini gjëra të ndryshme. Huanë e marrë nga prindërit ju mund ta shlyeni pas një muaji, ose pjesërisht sa herë që keni të ardhura.
Karta e debitit është xhepi i djathtë, në të cilin vendosni fondet tuaja (pagën, derdhje në llogari etj.) dhe xhepi i majtë është karta juaj e kreditit, me të cilën përdorni paratë e bankës dhe ia ktheni në afate të caktuara, në varësi të kushteve të bankës që e lëshon atë.
Fibank ka hapur dyert për këdo që dëshiron të ketë një kartë krediti. Aplikimi bëhet duke vizituar degë dhe/ose on line. Për këtë kërkohen disa të dhëna mbi personin e interesuar.
Pas marrjes së informacionit, sistemi ynë bën disa përllogaritje paraprake në lidhje me aftësinë paguese që ka aplikuesi dhe jepet menjëherë mesazhi mbi limitin e lejuar për këtë klient.
Pajisja me kartë krediti është tepër e thjeshtë dhe kushdo mund të kontrollojë me një klikim nëse mund të marrë kartë krediti ose jo, si edhe me çfarë limiti mund ta marrë.
Klienti duhet të paraqesë: kartë identiteti, vërtetim të ardhurash dhe një kopje të faturës së shërbimeve utilitare për vërtetimin e banesës.
Politika jonë është gjithëpërfshirëse, për të gjitha nivelet ekonomike, duke i diferencuar ata vetëm në limitin e vënë në dispozicion në kartën e tyre.
Ky limit analizohet dhe përpunohet ose përditësohet me ndryshimin e të ardhurave të klientit.
Për shembull: Nëse jeni një person që blini shpesh dhe ju duhet një limit më i lartë, banka analizon rastin dhe nëse shlyerjet e pagesave janë në kohë, limiti i kartës rritet.
Rreth dy javë më parë, kushtet e kartave të kreditit nga Fibank janë përmirësuar për të qenë sërish më të mirat në treg. Karta Fibank është më e shpejta,
pasi ne jemi e vetmja bankë që i personalizon kartat këtu në Shqipëri, me interesat më të ulëta, 9.8% në vit. Vlera minimale e një karte krediti është 100 euro (për studentët) dhe mund të shkojë deri në 25,000 euro (ose ekuivalenti në lekë).
Limiti i kartës përcaktohet automatikisht sipas të dhënave të klientit. Nuk ka komisione për blerjet on line dhe POS, por vetëm në rastin e tërheqjeve cash, i cili është 2.5%. Shuma minimale e pagesës mujore është 10% e vlerës së limitit të përdorur nga klienti.
Të mirat e kartës së kreditit janë të shumta, por mund të them që karta e kreditit është kthyer në një mjet pagese shumë të rëndësishëm në ditët e sotme.
Në shumicën e dyqaneve sot në Shqipëri mund të paguash me kartë, gjë që mundëson pagesat e përditshme nëpërmjet parasë elektronike.
Disa nga avantazhet janë: ofron komoditet, pasi fondet që janë në kartë krediti mund t’i përdorni në çdo orë të ditës, në 7 ditë të javës. Bankomatet nuk kanë kurrë ditë pushimi; fleksibilitet financiar,
një portofol më i madh sesa keni të ardhurat mujore, por pa rënë në borxhe të thella. Karta e kreditit është një mjet i leverdisshëm, ku përdoren fondet e bankës për një periudhë të caktuar dhe në disa raste edhe pa komisione ose interesa.
Ju mund të bëni blerje on line brenda dhe jashtë shtetit. Në gjithë shtetet e botës ka mbi 1.5 milionë bankomate dhe pothuajse në çdo dyqan/supermarket/hotel në vendet e BE-së ose në SHBA-të mund të blini me kartë.
Mund të “merrni edhe hua” në çastin kur ju duhet dhe mund ta ktheni sipas mundësisë.
Blerjet on line janë shtuar ndjeshëm dhe fatmirësisht edhe në Shqipëri. Statistikat tregojnë se me krijimin e telefonave “Smart” blerjet kanë tejkaluar të gjitha parashikimet,
sidomos në Amerikë, por kjo rritje ka ardhur gradualisht edhe me rritjen e shitblerjeve on line në përgjithësi, jo vetëm nga celularët.
Kartat e kreditit Fibank kanë dy anë të mira për sa i përket blerjeve në internet, ku e para është kostoja, kurse e dyta është monedha.
Politika e bankës sonë referuar blerjeve on line fokusohet te: klienti duhet të bëjë transaksione në internet thjesht, pa kosto dhe në mënyrë të sigurt.
Rrjedhimisht për blerjen në internet nuk ka asnjë komision dhe transaksionet vijnë po aq sa blihet malli në internet. Lehtësia e dytë është monedha e blerjes.
Fibank ofron karta krediti në euro dhe në lekë. Këshillohet pajisja e një karte në euro, duke pasur parasysh që shumica e blerjeve realizohet në këtë monedhë.
Të gjithë lexuesve do t’i sugjeroja që të përdorin kartë krediti në monedhën euro, sidomos nëse blejnë bileta avioni, trageti ose rezervime hotelesh, pasi është shumë e leverdisshme.
Transaksioni i kryer mbahet po në këtë monedhë dhe nuk ka asnjë komision për të. Nëse karta e krediti është në lekë, atëherë bëhet konvertimi me kursin qendror të “Visa”
, i cili në të shumtën e rasteve është më i mirë sesa kurset e ofruara nga bankat ose agjencitë e këmbimeve.
Zhvillimet teknologjike kanë sjellë sofistikime dhe rritje të lartë të sigurisë. Në të shkuarën, rreziku i vjedhjeve ose manipulimi i të dhënave në kartë për përfitime monetare,
ka qenë më i madh, ndërsa tashmë, me teknologjinë e fundit “Chip & Pin”, është vështirë të lexohen të dhënat në kartë.
Sot kartat me “Chip” janë po aq të sigurta sa edhe një kasafortë bankare dhe të dhënat e klientit janë në duar të sigurta.
Teknologjia “Chip” ua bën të pamundur falsifikuesve vjedhjen e të dhënave personale, por ka rritur mundësinë e përvetësimit të padrejtë të kartës fizike së bashku me kodin identifikues, por këto raste janë të pakta.
Është e këshillueshme që të dhënat të memorizohen dhe jo të shkruhen diku. Siguria kibernetike, ose siguria e transaksioneve në internet është një çështje që ka evoluar me vetë internetin dhe teknologjinë, sidomos këto kohët e fundit.
Transaksionet janë shumë të sigurta nëse karta përdoret në mënyrën e duhur.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.