Jeni mërzitur me plazhet e zakonshme? Mendoni se keni parë gjithçka? Apo, ndoshta, jeni të pavendosur se ku të shkoni.
Atëherë, merrni një laps dhe letër dhe shënoni emrat e këtyre 15 ishujve përrallorë, “më të bukurit në botë”, të zgjedhur si çdo vit nga revista Travel + Leisure.
Revista amerikane ka zgjedhur 15 ishuj, me votën e lexuesve të saj. Turistët kanë vlerësuar vendet e vizituara në 12 muajt e fundit, në bazë të kritereve të ndryshme si: plazhet, atraksionet kulturore, ushqimi, mirëpritja e banorëve vendas, peizazhi, relaksi, aventura dhe kultura. Në vend të parë të World’s Best Award 2018, në “kategorinë ishuj”, është një ishull nga Azia. Zbuloni më poshtë se cilat janë 15 ishujt më të mirë në botë për këtë vit
15. Azores, Portugali
Në vend të 15 gjejmë Azores, në Portugali. Temperatura mesatare gjatë gjithë vitit është mes 10 – 30 gradë Celsius. Të gjithë ata që kanë qenë në këtë ishull betohen se kanë ngrënë peshk të mirë dhe të freskët.
14. Maui, Hawaii
Një destinacion i famshëm dhe shumë i largët, por që ia vlen ta vizitoni. Maui është një ishull i Hawaii relativisht i ri, jo vetëm gjeografikisht. Ndër të tjera është ishulli me numrin më të madh të plazheve ku mund të relaksoheni.
13. Ishujt Orkney, Skoci
Në Orkney, arkipelagu me rreth 70 ishuj në veri të Skocisë Kontinentale, mund të shkoni për kafshët e egra, plazhet, natyrën e mrekullueshme, shkëmbinjtë mbresëlënës dhe historinë. Por edhe për plazhet me rërë të bardhë dhe ujërat turkeze, do t’ju duket sikur jeni në Karaibe.
12. Ishujt Cook, Polinezia neozelandeze
Ishujt Cook janë një destinacion i largët prej vendit tonë. Por nëse zgjidhni të shkoni për pushimet tuaja të ardhshme, do të shpërbleheni për rërën e bardhë, malet e gjelbra vullkanike dhe ujin e kaltër. Me pak fjalë, një kartolinë nga parajsa.
11. Ishujt Galápagos, Ekuador
Ishujt Galápagos, arkipelag vullkanik i Oqeanit Paqësor, në të cilat Darvinit i lindi ideja e teorisë së përzgjedhjes natyrore, janë një ëndërr. Është arkipelagu me numrin më të madh të specieve në botë. Ishujt e këshilluar janë: Santa Cruz (pjesa më e madhe e udhëtimeve në Galápagos nisin dhe përfundojnë këtu), Bartolomé, San Cristobal, Santiago, Fernandina, Isabela, Genovesa, Rabida.
10. Tasmania, Australia
Tasmania është sinonim i historisë, hapësirave të mëdha natyrore, maleve spektakolare, plazheve të mrekullueshme dhe ushqimit dhe verës së mirë. Popullsia e saj është rreth 1 milionë e gjysmë. Kjo është arsyeja pse ky ishull është kaq mikpritës. Ju këshillojmë të vizitoni Ammirate Wineglass Bay dhe Cradle Mountain, parqet kombëtare, si dhe Launceston, Stanley dhe Strahan në bregdet.
9. Paros, Greqi
Paros është më shumë se një ishull. Me plazhe të mrekullueshme të cilat lagen nga Deti Egje, me ngjyra të pabesueshme, Paros nuk i trembet krahasimit me ishuj të tjerë të famshëm grekë, të cilët janë të mbipopulluar nga turistët.
8. Cebu, Filipine
Cebu është një ishull i mrekullueshëm tropikal me plazhe me rërë të bardhë dhe ujëra të kristalta, të cilat ia ka zili e gjithë Azia. Është i famshëm për resortet dhe është një ëndërr për zhytësit.
7. Mauritius
Ndoshta e keni pyetur veten më shumë se një herë. Përgjigjja është “po, nisuni”. Ia vlen, e thënë kjo nga gjithnjë e më shumë turistë, për… detin, relaksin, spa-të. Është një destinacion në të cilin duhet të shkoni patjetër në muajin e mjaltit dhe jo rastësisht quhet “ishulli i dashurisë”.
6. Palawan, Filipine
Ky arkipelag në Filipine renditej në vend të parë në vitin 2017 për ujërat e kristalta, perëndimet e magjishme dhe natyrën e paprekur. Destinacioni (i cili këtë vit renditet në vendin e gjashtë), është i famshëm edhe për dy vende, pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, Tubbataha Reef dhe Parku Kombëtar i lumit nëntokësor Puerto Princes.
5. Waiheke, Zelandë e Re
Waiheke, ishull i gjirit Hauraki në Zelandë të Re, është ishulli i dytë më i madh në këtë gji, pas atij Great Barrier. Ndodhet vetëm 40 minuta nga Auckland. Banorët e quajnë edhe “Ishulli i Verës”, pasi këtu ndodhen rreth 30 vreshta e shumë kantina që prodhojnë kryesisht verë të kuqe.
4. Maldive
Ishujt Maldive, gjithnjë një ëndërr. Në klasifikimin e Travel + Leisure renditen në vend të katërt ndër ishujt më të dashur nga lexuesit, për plazhet e gjata me rërë të bardhë dhe detin e kristaltë, për të mos u humbur!
3. Lombok, Indonezi
Në vend të tretë në podium është Lombok, ishull i Nusa Tenggara, pranë Balit, në të cilin mund të shkohet me traget. Këtu, në këto fshatra, me kasolle dhe rërë të bardhë, jeta rrjedh ngadalë. Është ende një vend i paprekur dhe larg fluksit së turistëve.
2. Bali, Indonezi
Pushime mes tempujve dhe plazheve, historisë dhe fesë, natyrës dhe kulturës. Të pasuruara nga plazhet e Kuta Beach, valët për sërf në Balian Beach, e më tej Palau Menjagan, i cili pëlqehet veçanërisht nga zhytësit dhe resortet e shumta.
1. Java, Indonezi
Java, me popullsi 141 milionë banorë, renditet në vend të parë të klasifikimit të “ishujve më të bukur në botë” për vitin 2018, të votuar nga lexuesit e revistës Travel + Leisure. Arsyet: kultura antike, natyra që të magjeps dhe vendet, pjesë e Trashëgimisë UNESCO (si për shembull Tempulli Borobudur, një mrekulli arkitekturore), ujëvarat, vullkanet, parqe të mbrojtur dhe plazhe me rërë të bardhë.
Burimi: Corriere della Sera