15 karakteristika të punonjësve të pazëvendësueshëm

16/10/2019 3:18 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Me siguri, të gjithë në punë e kanë dëgjuar shumë herë shprehjen se “askush nuk është i pazëvendësueshëm”, edhe pse kjo ka më shumë gjasa të dëgjohet më shpesh te kompanitë e mëdha ku njerëzit konsiderohen ende si “pozicione”.

Megjithatë, nuk është teknologjia, produkti apo procesi që e bën një kompani të madhe, por janë personat në të. E nëse disa mund të mendojnë që “i pazëvendësueshëm” është një deklaratë shumë e fortë, besoj se të gjithë janë dakord se disa persona janë shumë të vështirë për t’i zëvendësuar. Dhe nuk duhet një drejtues gjenial për ta kuptuar këtë.

Më poshtë janë 15 karakteristika që dallojnë një punonjës “të pazëvendësueshëm” nga një punonjës “lehtësisht i zëvendësueshëm”

 

1.Bëjnë më shumë se sa u kërkohet

Kjo është një nga karakteristikat më të rëndësishme të punonjësve të pazëvendësueshëm, ata bëjnë përherë më shumë se sa u kërkohet.

2.Kanë aftësi të jashtëzakonshme në komunikim

Punonjësit e pazëvendësueshëm dinë të komunikojnë me lehtësi një problem, pa i ardhur rrotull me shpjegime të gjata. Ata e respektojnë kohën e të tjerëve dhe komunikojnë në mënyrë efikase.

3.Janë një hap para

Çdo drejtues pëlqen të marrë një seri përgjigjesh pohuese ndaj pyetjeve si “A e dërgove atë email?”, “A i përfshitë edhe detajet”, ndjekur nga fjali të tilla si “Po ashtu, bëra këtë dhe atë dhe…”.

4.Janë dëgjues dhe vëzhgues të mirë

Ata dëgjojnë dhe nuk bëjnë të njëjtat pyetje dy herë. Punonjësit e pazëvendësueshëm e kuptojnë kur u është komunikuar diçka e rëndësishme dhe veprojnë mbi të. Ata krijojnë vlerë duke parashikuar situatën dhe duke bërë atë që është e nevojshme.

5.Janë të besueshëm dhe të përgjegjshëm

Kur drejtuesi është jashtë zyrës për takime, ai i drejtohet punonjësit të pazëvendësueshëm, duke deleguar në duar të sigurta funksionet e tij. Punonjësit e pazëvendësueshëm nuk kanë frikë të marrin përsipër përgjegjësi të mëdha, pasi besojnë në aftësinë e tyre. Qershia mbi tortë: ata janë besnikë.

6.Nismëtarë

Punonjësit e pazëvendësueshëm propozojnë zgjidhje të reja dhe të mira. Japin këshilla, bëjnë pyetje dhe janë të gatshëm të ndihmojnë të tjerët.

7.Përçojnë në ambientin e punës energji pozitive

Pozitiviteti ushqen pozitivitetin. Ata janë miqësore, ekstrovertë, optimistë edhe në orët e punës kur presioni është i madh.

8.Dinë të përshtaten

Punonjësit e pazëvendësueshëm u përshtaten me lehtësi ndryshimeve. Të pazëvendësueshmit e kapërcejnë valën e ndryshimit, nuk i bëjnë rezistencë dhe e dinë se nuk ka një arsye të fortë për ta bërë këtë.

9.Ata zgjidhin probleme, nuk ankohen kurrë

Ata nuk vijnë vetëm me një problem, por sjellin edhe propozimet për t’u konsultuar në lidhje me veprimet e mëpasshme. Ose më mirë, drejtohen nga parimi “kërko falje, por jo leje” dhe e kanë zgjidhur problemin urgjent në mënyrën në të cilën ishte më e mira në ato momente.

10.Janë të vetëmotivuar dhe mund të motivojnë të tjerët

Ata nuk kërkojnë vëmendje të vazhdueshme dhe motivim. Ata e dinë se çfarë po bëjnë dhe përse po e bëjnë, dhe nëse kanë një problem, nëpërmjet motivimit gjejnë edhe zgjidhjen. Dhe çfarë është cilësia më e mirë, dinë si të motivojnë edhe kolegët e tjerë.

11.Ata nuk kanë nevojë të menaxhohen në mënyrë specifike

Ata mund të shikojnë tablonë e përgjithshme dhe t’u paraprijnë gjithë gjërave që duhet të bëhen, pa qenë e nevojshme të marrin drejtime specifike. Çdo drejtues dëshiron që të ketë njerëz që t’u kushtojnë rëndësi detajeve më të vogla dhe të merren me gjërat edhe kur atyre nuk u thuhet asgjë.

12.Përballen me sfida të reja

Ata nuk kanë frikë të përballen me një sfidë të re, në një fushë në të cilën nuk kanë ekspertizë. Le të hamendësojmë se kompania ka nevojë që të organizojë një event për klientët e saj. Punonjësi i pazëvendësueshëm do të marrë përgjegjësi edhe nëse është diçka që nuk e ka bërë më parë. Ata janë të gatshëm të të bëhen pjesë e lojës, edhe pse rreziku për të dështuar është i madh.

13.Mësojnë dhe mendojnë shpejt

Ata e njohin në majë të gishtave kompaninë, produktet e saj, proceset, klientët, kulturën. Kur vjen diçka e re, ata me lehtësi mund të përpunojnë dhe aplikojnë njohuri të reja dhe t’i vënë ato në zbatim.

14.E duan punën e tyre

Ata shkojnë në punë sepse duan, dhe jo sepse duhet. Ka pak gjasa që të ketë ndonjë punonjës të pazëvendësueshëm që nuk e do punën e tij.

15.Janë të mirorganizuar dhe eficientë

Nëse një punonjës lehtësisht i zëvendësueshëm e kryen një punë që i është ngarkuar në dy orë, punonjësi i pazëvendësueshëm mund ta bëjë në një orë. Ata dinë ta organizojnë më së miri kohën e tyre dhe mund të koordinojnë të tjerët.

*Nina Angelovska
Burimi: Forbes.com

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of