30 Mars 1853, Gëzuar ditëlindjen Van Gogh!
Po të ishte ende gjallë sot, piktori holandez Vincent van Gogh do të festonte 170-vjetorin e lindjes.
I lindur në Groot-Zundert, një qytet në jug të Holandës, jeta e Van Gogh do ta largonte atë nga shtëpia e tij nëpër Europën Perëndimore, fillimisht si tregtar arti, më pas një piktor mes post-impresionistëve të hershëm.
Ai u zhvendos në jug të Francës në fund të viteve 1880, ku ishte vazhdimisht nën kujdesin e psikiatërve. Ai ndërroi jetë në 1890, nga një plagë me armë zjarri, që besohet se ishte e vetëshkaktuar.
Gjatë jetës së tij dhe veçanërisht në vitet e fundit, Van Gogh pikturoi në mënyrë të frytshme, duke përdorur një gamë të gjerë ngjyrash të gjalla.
Ndërsa ishte gjallë, ai nuk u bë kurrë një artist i famshëm, shpesh duke jetuar me mbështetjen financiare të vëllait të tij Theo. Megjithatë, pas vdekjes, reputacioni i Van Gogh u rrit.
Sot, ai konsiderohet një nga piktorët më të mirë në të gjithë historinë e artit botëror.
Në fakt, reputacioni i Van Gogh u rrit në vitet e tij të fundit. Në vitin 1890, vepra e tij u ekspozua nga grupi avangard i Brukselit Les XX dhe u vlerësua në një revistë letrare.
Më pas, vepra e Van Gogh u shfaq në ekspozita përkujtimore në Bruksel, Paris, Hagë dhe Antwerp në 1891.
Gjatë viteve në vijim, do të celeshin më shumë ekspozita dhe ndikimi i Van Gogh do të përhapej.
Kur Henri Matisse, i panjohur në atë kohë, iu dha një pikturë e Van Gogh-ut në 1896, ajo vepër e bindi Matisse të përdorte një gamë ngjyrash më të ndritshme.
Matisse themeloi Fauvizmin, lëvizjen artistike të shekullit të 20-të, me artistët e tjerë André Derain dhe Maurice de Vlaminck, të cilët morën pjesë në një ekspozitë retrospektivë në Paris të punës së Van Gogh-ut në 1901.
Sot, vepra e Van Gogh njihet në gjithë botën.
Muzeu Van Gogh në Amsterdam, dhoma e Van Gogh në Musée d’Orsay të Parisit dhe Galeria Kombëtare në Londër, duhen vizituar patjetër nga ata që janë të interesuar për të parë punën e tij.
Përtej muzeve të artit, jeta dhe vepra e tij shndërrohen rregullisht në instalacione arti interaktive, subjekt i filmit të jashtëzakonshëm të vitit 2017 “Loving Vincent”, filmi i parë artistik i animuar, plotësisht i pikturuar, në botë.
Për ndjekësit e fantashkencës, episodi i Doctor Who ku ata takojnë Van Gogh, është edhe momenti më prekës i të gjithë serialit. / Euronews