Taksa e tabelës funksionon në çdo bashki të vendit dhe paguhet nga biznesi si pjesë e taksave vendore. Qeveria ka ndryshuar mënyrën sesi llogaritet kjo taksë në projektligjin e saj “Për taksat vendore” duke huazuar modelin e Malit të Zi dhe duke theksuar në relacionin shoqërues se kjo mënyrë do të ndikojë në uljen e barrës fiskale të bizneseve që paguajnë këtë taksë.
Në themel të logjikës së re të taksës së tabelës janë marrë parasysh tre faktorë: lloji i tabelës së vendosur, sipërfaqja që zë tabela, ruajtja dhe kategorizimi i ndarjes aktuale që kanë bashkitë.
“Kështu, tabelat deri në një sipërfaqe të caktuar, taksohen në nivelin 100% të taksës. Mbi këtë sipërfaqe, për çdo diapazon rritje nga një sipërfaqe në tjetrën, niveli i taksës ulet në masat 85%, 75%, 55% dhe 40% ndaj nivelit 100%. Gjithashtu, duke qenë se përgjithësisht tabelat ndahen në të thjeshta, me ndriçim dhe elektronike, niveli i taksës ndryshon me rritje sipas këtyre ndarjeve. Niveli më i lartë është për taksën e tabelës elektronike 100%, duke u ulur në nivelet 77% për tabelat me ndriçim dhe 44% për tabelat e thjeshta” thuhet në relacionin e qeverisë.
Taksa e re e tabelës
Në draftin e qeverisë është bërë një ndarje më e detajuar e kategorive të tabelave. Në total janë katër ndarje ku e para është “tabela për qëllime identifikimi, të trupëzuara, ose jo brenda territorit, ku zhvillohet veprimtaria e biznesit dhe nuk përdoret për të reklamuar veprimtaritë e të tretëve (ku shënohet emri/ose aktiviteti i biznesit)”.
Pikërisht këtu është edhe risia ku kjo kategori ka të paktën pesë nënndarje të tjera. Edhe me këtë skemë për një tabelë deri në 2 metër katror biznesi paguan zero taksë por rritje progresive të saj ka edhe rritje të çmimit. Nga ana tjetër ka edhe një ndarje sipas llojit : e thjeshtë, e thjeshtë me ndriçim dhe elektronike.
Me kategorizimin e ri për një tabelë të thjeshtë (pa ndriçim) 2 m2 deri në 10 m2 taksa në Bashkinë Tiranë dhe Durrës është 15 mijë lekë m2. Për Bashkinë Shkodër dhe gjithë ato të renditura në kategorinë 2 taksa vjetore është 10 mijë lekë m2/vit.
Shembull: Një biznes në Tiranë ka të vendosur një tabelë të thjeshtë pa ndriçim e cila është 15 metra katror. Shuma e taksës që ky biznes do të paguajë është(10 m2 x 15 000 lekë) + (5m2 x 12 750 lekë) = 150 000+63 750= 213 750 lekë në vit ose (17 812 lekë/muaj). E njëjta logjikë do të ndiqet edhe për sipërfaqet e tabelave mbi 20 m2 dhe mbi 40 m2.
Kategoria e dytë e tabelave janë “tabelat për qëllime identifikimi jashtë territorit ku zhvillohet aktiviteti në formën e përmasat e tabelave të sinjalistikës për orientim”. Kjo tabelë duket se taksa e saj është 120 lekë metër/katror.
Në kategorinë e tretë janë tabela për qëllime reklamimi e lëvizshme dhe e palëvizshme, në atë të katërt tabelë në funksion të ekspozimeve të ndryshme të hapura, panaire, spektakle, stenda reklamuese, banderola. (shiko tabelën e parë)
Taksa e tabelës aktualisht
Taksa e tabelës aktualisht përbëhet nga tabelë për qëllime identifikimi dhe tabele për qëllime reklamimi. Vetë tabela për qëllime identifikuese ndahet ne tabelë për qëllime identifikimi, tabelë për qëllime reklamimi e lëvizshme dhe e palëvizshme si dhe tabelë në funksion të ekspozimeve të ndryshme të hapura, panaire, spektakle, stenda reklamuese, banderola etj.
Bashkitë në vend mund të aplikojnë vlera të ndryshme të kësaj takse në referencë të bazës së miratuar nga qeveria.
Kështu për tabela për qëllime identifikimi, pavarësisht nga sipërfaqja, të trupëzuara në sipërfaqen e ndërtesës ose brenda territorit ku zhvillon aktivitet biznesi dhe që nuk përdoren për të reklamuar aktivitetin e të tretëve taksa është 120 lekë/vit.
E njëjta vlerë aplikohet edhe për tabelën për qëllime identifikimi jashtë territorit ku zhvillohet aktiviteti por gjithmonë nëse ajo është deri në 2 metra katror, nëse kalon këtë sipërfaqe vlera e taksës është 45 mijë lekë për metër katror. Tabela për qëllime reklamimi e thjeshtë apo elektronike ndryshon në bazë të bashkive (shiko tabelën e dytë).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.