Sezoni i pushimeve i përqendruar vetëm në tre muajt e verës është një nga problemet kryesore për turizmin shqiptar, që ka penguar dhe shtimin e kapaciteteve hoteliere. Por, teksa vendi po bëhet gjithnjë e më shumë një destinacion i preferuar turistik, dhe moti është favorizues edhe në vjeshtë, po zgjatet edhe sezoni.
Të dhënat mujore të publikuara nga INSTAT tregojnë se në shtator-tetor, hyrjet e të huajve (më shumë se gjysma e të cilëve janë turistë) ishin gati 840 mijë persona, me një rritje prej 18% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Listën vijojnë ta kryesojnë shtetasit nga Kosova, ku vetëm në shtator-tetor kanë hyrë 250 mijë të tillë, apo 30% të totalit. Ka një rikthim të pushuesve nga Kosova, që në muajt e vjeshtës vijnë kryesisht në fundjavë, teksa numri i tyre për këto dy muaj ka rënë me vetëm 3.4%, nga 21% që ishte tkurrja e tyre për gjithë 10 mujorin.
Të dytët që kanë preferuar Shqipërinë në vjeshtë janë grekët, numri i të cilëve ka shënuar rritjen më të lartë, me 46%, në 116 mijë persona (grekët kanë qenë në 35% të rritjes në total për dy muajt në fjalë).
Nuk jemi vetëm ne që shkojmë tek fqinjët për fundjavë. Ka një rritje të ndjeshme të maqedonasve dhe malazezëve në shtator-tetor, me përkatësisht 28% dhe 50%.
Edhe italianët kanë vijuar të vijnë, ndonëse me ritme më të ngadalësuara (rritje 12.7%).
Polakët, të cilët “zbuluan” Shqipërinë këtë verë, kanë vijuar të jenë aktivë edhe në shtator e tetor, teksa hyrjet e tyre janë rritur me 67% (24 mijë persona në të total).
Në krahasim me një vit më parë, vendin e kanë vizituar më pak anglezët dhe amerikanët, kurse zviceranët janë në rritje.
Në total, për 10 mujorin, numri i shtetasve të huaj të hyrë në vendin tonë është 4.604.010, duke u rritur me 7,1 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2016. Por të huajt që vizituan Shqipërinë për qëllime për të pushuar u rriten me 21 për qind në 10 mujor.
Në dhjetëmujorin e 2017, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Polonia ka pasur rritjen më të madhe me 73,9 % dhe rënie kanë pasur vetëm hyrjet nga Kosova me 21,1 %. Agjencitë turistike të Kosovës pohuan se, rënia po krijohet nga ofertat me ulëta të vendeve fqinjë dhe nga shërbimi ende i pa përmirësuar në Shqipëri. http://www.monitor.al/janar-tetor-numri-i-turisteve-te-huaj-rritet-me-21-renie-drastike-e-vizitoreve-nga-kosova/
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.