Dyshimet nëse po ndjekin rrugën “e duhur” të karrierës mund të mundojnë edhe njerëzit më të sigurt në vetvete.
Por siç ka ndodhur edhe me më të suksesshmit, nuk është e thënë që ju t’i keni dhënë drejtim gjithçkaje që në fillim.
Shumë njerëz të suksesshëm bëjnë ndryshime të mëdha në karrierën e tyre.
Lexoni më poshtë për 19 njerëz shumë të suksesshëm që kanë provuar se asnjëherë nuk është vonë për të ndryshuar drejtim:
1.Jeff Bezos kishte një karrierë fitimprurëse në shkencat kompjuterike në Wall Street dhe mori role kryesore në firma të ndryshme financiare para se të kalonte në botën e tregtisë elektronike dhe të krijonte Amazon në moshën 31-vjeçare.
2.Julia Child punoi në fushën e reklamave, medias dhe inteligjencës sekrete përpara se të shkruante librin e saj të parë në moshën 50- vjeçare, duke nisur karrierë si kuzhiniere e famshme në vitin 1961.
3.John Glenn njihet si astronauti i parë amerikan që bëri një udhëtim rreth Tokës në vitin 1962. Por 12 vjet më vonë, në moshën 53-vjeçare, ai u bë senator amerikan në Ohajo, një rol që e mbajti për 24 vjet. Gjithsesi, ai u rikthye në hapësirë në vitin 1998, për një mision nëntëditor në bordin e anijes kozmike Discovery.
4.Terry Crews ka marrë nderime të shumta për komedinë e tij në shfaqjet e famshme televizive “Everybody Hates Chris” dhe “Brooklyn Nine-Nine”. Por lojtarët e basketbollit nuk po qeshnin kur po ndaleshin nga Crews gjatë periudhës së tij prej katër sezonesh si lojtar mbrojtës për ekipet e ndryshme të NFL në mesin e viteve ’90.
5.Martha Stewart ishte modele me kohë të plotë derisa filloi të mos merrte shumë oferta pune për modelim, pasi u bë nënë në moshën 25-vjeçare. Pas një periudhe pesëvjeçare si agjente burse në Wall Street, Stewart iu përkushtua dashurisë së saj të vjetër për gatimin dhe prezantimin kreativ, duke krijuar kompaninë Martha Stewart Living Omnimedia.
6.Michael Bloomberg la punën si drejtor ekzekutiv i kompanisë mediatike Bloomberg L.P. dhe në vitin 2002 në moshën 59-vjeçare, mori postin si kryetar i Bashkisë së Nju Jorkut, të cilin e mbajti për 12 vjet. Ai e ka marrë sërish rolin si drejtor ekzekutiv i Bloomberg.
7.Vera Wang ishte patinatore artistike dhe gazetare para se t’i hynte industrisë së modës në moshën 40-vjeçare. Sot, ajo është një nga stilistet më të njohura të botës.
8.Dwayne “The Rock” Johnson ka ndryshuar profesion jo vetëm një, por dy herë. Përpara se të bëhej “njeriu më elektrizues në sports entertainment”, Johnson punoi për një kohë të shkurtër si mbrojtës rezervë për Ligën e Futbollit Kanadez Calgary Stampeders. Ai e la pas karrierën e futbollit dhe iu bashkua World Wrestling Federation (WWF) në vitin 1996 në moshën 24-vjeçare. Aty ai fitoi sukses të menjëhershëm dhe më pas iu hap rruga për role në shfaqje televizive dhe filma të ndryshëm në fillimet e viteve 2000.
9.Shumë më parë se Regani të bëhej Presidenti i 40-të i Shteteve të Bashkuara, ai ishte një aktor i ri filmash Hollivudi.
10.Sara Blakely, themeluesja miliardere e kompanisë Spanx, kur ishte rreth të njëzetave, ka shitur për shtatë vjet me radhë furnizime zyrash përpara se të krijonte linjën e streçeve të ngushta që pati një sukses të madh që në fillimet e saj në vitin 2000. Blakely e la punën si shitëse në moshën tridhjetëvjeçare për të drejtuar me kohë të plotë kompaninë e vet.
11.Arnold Shvarceneger ka bërë dy ndryshime të rëndësishme në karrierën e tij, së pari kur ishte një kampion botëror i bodibillding në të njëzetat dhe u bë aktor i suksesshëm në të tridhjetat e tij dhe së dyti kur u bë guvernator i Kalifornisë, në vitin 2003, në moshën 56-vjeçare.
12.Harland Sanders, i njohur më mirë si Koloneli Sanders, ishte 62 vjeç kur krijoi kompaninë Kentucky Fried Chicken në vitin 1952, të cilën 12 vjet më vonë e shiti për 2 milionë dollarë. Para se të krijonte recetën e tij origjinale, Sanders bëri disa punë të rastit si jurist, operator i stacionit të benzinës dhe punonjës hekurudhash.
13.Përpara se të krijonte faqe virale interneti si Buzzfeed dhe The Huffington Post në të tridhjetat e tij, Jonah Peretti ishte mësues informatike dhe u mësonte nxënësve të shkollës nëntëvjeçare si të përdornin Microsoft Office.
14.Joe Behar, një humoriste dhe ish-spikere e shfaqjes “The View”, gjithmonë ka pasur dhunti në të folur, por ajo vendosi të shfrytëzonte talentin për komedi vetëm në të tridhjetat e saj kur pothuajse humbi jetën nga një shtatzëni ektopike, gjë që e shtyu të braktiste punën si mësuese dhe të ndiqte ëndrrën e saj.
15.Ray Kroc punonte si shitës i pajisjeve për prodhimin e koktejit me qumësht deri në moshën 52-vjeçare kur bleu McDonalds në vitin 1954 dhe e bëri atë kompaninë më të famshme të fastfood-it në botë.
16.Anna Mary Robertson Moses, e njohur më mirë si Gjyshja Moses, nisi karrierën e saj si piktore në moshën 78-vjeçare. Në vitin 2006, një nga pikturat e saj u shit për 1.2 milionë dollarë. Më parë, ajo punonte si pastruese shtëpie dhe punëtore në fermë.
17.Taikichiro Mori ishte një akademik i cili u bë një investues i real estate në moshën 51-vjeçare, kur themeloi Mori Building Company. Investimet e tij të shkëlqyera e bënë atë njeriun më të pasur në botë në vitin 1992, kur arriti një vlerë neto prej 13 miliardë dollarësh.
18.Donald Fisher ishte 40 vjeç dhe nuk kishte përvojë në shitjen me pakicë kur ai dhe e shoqja Doris, hapën dyqanin e parë Gap në San Francisko në vitin 1969. Veshjet e Gap u bënë menjëherë të modës dhe sot kompania është një nga zinxhirët më të mëdhenj të veshjeve në botë.
19.Tim dhe Nina Zagat ishin të dy avokatë në të tridhjetat e tyre kur në vitin 1979 botuan koleksionin e parë të kritikave për restorantet, me emrin Zagal. Marka më pas u kthye në një pikë reference në botën e kuzhinës.
Burimi: INC