Bashkëthemeluesi i Twitter, Jack Dorsey është një nga miliarderët e teknologjisë më të njohur në botë – por një prej sekreteve të tij të suksesit është shumë më i thjeshtë nga sa mund të mendoni.
Adam Brotman, i cili ishte për gati një dekadë shefi dixhital dhe zëvendëspresidenti ekzekutiv i operacioneve globale të shitjes me pakicë në Starbucks, punoi së bashku me Dorsey gjatë kohës së tij në gjigantin e kafesë, duke formuar partneritete me Twitter dhe Block (më parë njihej si Square), ku Dorsey është CEO.
Tani, Brotman është CEO i startup-it Brightloom me qendër në Seattle (i mbështetur nga Starbucks), i cili ndihmon bizneset më të vogla të përdorin mjete të tilla si porositë dixhitale dhe marketingu i personalizuar.
Por, vitet që ai kaloi duke parë dhe duke mësuar nga Dorsey vazhdojnë të kenë ndikim në mënyrën se si Brotman i qaset punës së tij.
“Unë jam një fans i madh i Jack Dorsey-t,” thotë ai për CNBC Make It. “Mësimi më i madh që kam marrë duke vëzhguar atë dhe duke punuar me të, ishte se ai është shumë i qartë për atë po bën dhe për qëllimin e saj, si në nivel makro, ashtu edhe në mikro.”
Brotman rikujton momentin kur kishte parë ish-CEO-n e Twitter-it duke marrë shënime të hollësishme për çdo bisedë gjatë takimeve të biznesit në Seattle dhe San Francisko. Një herë, ai vendosi ta pyeste Dorsey se për çfarë ishin ato shënime.
“Ai tha: ‘Unë i ndaj këto shënime me të gjithë kompaninë time’ – thotë Brotman. Ai ishte tepër transparent me ekipin për proceset dhe vendimet e ndryshme.”
Vendosja e qëllimeve të qarta dhe të qenët një dëgjues i mirë janë dy nga cilësitë që e kanë bërë Dorsey-n “një lider kaq efektiv”, shton Brotman. Këto janë cilësi që njerëzit e tjerë duhet t’i bëjnë pjesë të punës së tyre, nëse duan të jenë të suksesshëm.
“Ka disa modele që filloni t’i vini re te të gjithë liderët e jashtëzakonshëm në biznes,” thotë Brotman, duke përmendur si dy shembuj të tjerë xhaxhain e tij Jeff Brotman, bashkëthemeluesin e Costco, si dhe Howard Schultz, ish-CEO i Starbucks.
Ky zakon i marrjes së shënimeve, shton Brotman, tregon më tepër për mënyrën se si Dorsey drejton Twitter dhe Block. “Ai ishte gjithmonë kaq i qetë dhe i qartë për atë që po bënte dhe për arsyen pse po e bënte, si kur i dinte gjërat, ashtu edhe kur nuk i dinte,” thotë ai. “Ai kurrë nuk ishte emocional apo i çrregullt – gjithmonë ishte i qëndrueshëm dhe i qartë.”
Ekspertë të tjerë të lidershipit kanë lavdëruar drejtuesin nga Misuri për stilin e tij të qetë të lidershipit. Në një intervistë të vitit 2019 për CNBC, Jeffrey Sonnenfeld, dekan i asociuar për studimet e lidershipit në Fakultetin e Menaxhimit të Yale, e përshkroi Dorsey-n si “një gjeni, i cili, ndryshe nga [CEO i Tesla-s, Elon] Musk, nuk të kundërshton në mënyrë të paedukatë” dhe, shtoi Sonnenfeld, ndryshe nga themeluesi i WeWork, Adam Neumann, “nuk pretendon të jetë një gjeni.”
“Ai është me të vërtetë i shkëlqyer dhe i përkushtuar – duke shmangur tundimet e krenarisë dhe të madhështisë që vetë teknologjia e tij i ofron disa të tjerëve që nuk kanë aq shumë disiplinë”, tha Sonnenfeld për CNBC.
Dorsey dha dorëheqjen si CEO i Twitter në nëntor. Parag Agrawal, ish-shefi i teknologjisë së kompanisë, ka marrë tashmë drejtimin e kompanisë. / CNBC