Pjesëmarrja e popullsisë në forcën e punës (+15 Vjeç) u rrit vitet e fundit duke arritur në 59% në vitin 2020, nga 57 për qind që ishte në vitin 2016.
Forca e Punës përfshin personat e punësuar dhe të papunë dhe përjashton ato persona që nuk duan të punojnë se janë të angazhuar me detyra shtëpiakë, janë të sëmurë apo nuk duan të punojnë.
Një analizë e Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) mbi forcën e punës sipas grupmoshave zbulon se, popullsia në moshë pensioni është e aktivizuar në tregun e punës. Gati 20 për qind e burrave mbi 65 vjeç janë të integruar në tregun e punës, shumica si të vetëpunësuar. Gratë në këtë moshë janë më pak të aktivizuara, por të dhënat tregojnë se 10 për qind e grave mbi 65 vjeç kanë raportuar se punojnë si të vetë punësuara në biznesin e familjes.
Pjesëmarrja më e ulët në forcën e punës shihet tek të rinjtë. Vetëm 40 për qind e grup moshës 15-24 vjeç aktivizohet në tregun e punës, ndërsa pjesa tjetër janë në ndjekje të arsimit, përfshirje në përgjegjësitë shtëpiake dhe familjare, ose janë të dekurajuar për të kërkuar punë.
Përkundër shkallës së ulët të pjesëmarrjes në forcën e punës, kjo grup moshë shfaq shkallë të lartë të papunësisë dhe përqindje të ulët punësimi.
Në grup moshën e “artë” për punë midis 25 dhe 54 vjeç, gratë shfaqin pjesëmarrje më të ulët në fuqinë punëtore. Pjesëmarrja e në forcën e për rrjedhojë edhe te punësimit vihet re tek burrat më shumë se tek gratë.
ILO sugjeron se për të rritur pjesëmarrjen e përgjithshme në forcën e punës është e rëndësishme të mbështeten të rinjtë në kalimin e tyre nga arsimi në punë.
Nga ana tjetër të dhënat e publikuara nga INSTAT flasin për një rritje konstante të masës së popullsisë në moshë pune, gjatë 18 viteve të fundit, por projeksionet e fundit tregojnë se rritja tashmë e ka arritur kulmin dhe pritet që vitet në vijim të shënojnë rënie graduale të popullsisë në moshë pune.
Pa skenarë të emigracionit përllogaritje të ndryshme tregojnë se forca e punës në Shqipëri do të bjerë deri në 24% deri më 2050.
Gjatë 18 viteve të fundit, pjesëmarrja në forcën e punës është karakterizuar nga luhatje të vazhdueshme në kufijtë e 58% dhe 72%.
Punësimi i llogaritur si përqindje ndaj popullsisë në moshë pune është relativisht konstant dhe është mesatarisht sa 54% e popullsisë në moshë pune. Norma e punësimit karakterizohet nga një luhatje që ecën në mënyrë thuajse identike me atë të pjesëmarrjes në forcën e punës./ B.Hoxha
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.